Emigrimi drejt Britanisë së Madhe vijon të jetë tërheqës për një pjesë të shqiptarëve, të cilët kanë bërë përpjekje të mëdha për të qëndruar atje. Së fundmi ligjet britanike janë edhe më kontrolluese për të nxitur emigracionin e ligjshëm, duke refuzuar njohjen e martesave fiktive prej vitit 2020, si edhe kalimin e atësisë fiktive të fëmijëve te shtetas anglezë.
Juristi Saimir Kumrija u shpreh se shpeshherë shtetasit shqiptarë që ndodhen në Mbretërinë e Bashkuar, aktualisht, të cilët kanë lidhur martesë pas vitit 2020, pra pas Brexit, kanë marrë refuzim të dosjeve të tyre të vizës, pasi martesa është kontraktuar pas vitit 2020 kur Anglia ka dalë nga BE.
“Kemi vënë re se një numër i konsiderueshëm emigrantësh, të cilitdo kombësie, tashmë po ndjek një rrugë tërësisht të gabuar, duke dhënë atësinë, në një situatë kur prindi i dytë të ketë pasaportë angleze ose dokumente të përhershme në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë që fëmijës që lind t’i japë të drejtën e marrjes së pasaportës, që prindit pa dokumente t’i mundësohet aprovimi i statusit të tij ligjor”, shpjegoi ai.
Në përpjekje për të nxitur emigracionin e ligjshëm, juristi Kumrija thekson se janë krijuar kushtet për kompanitë shqiptare që mund të ndërtojnë simotrat e tyre në Angli, duke marrë me vete edhe stafin shqiptar.
“Një nga pikat kyçe që qeveria laburistë ka menaxhuar për uljen e emigrimit të paligjshëm është edhe lehtësimi i procedurave për marrjen e vizave të punës dhe licencave për kompanitë që duan të punojnë në Mbretërinë e Bashkuar, në mënyrë që të ketë të drejtën për të marrë më pas stafin e specializuar për të dhënë shërbimin për kompaninë mëmë në Mbretërinë e Bashkuar”, u shpreh Kumrija më tej.
Juristi i specializuar në rastet e emigrantëve të paligjshëm në Angli e cilëson këtë zhvillim si mundësi pozitive për ata që duan të emigrojnë.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb