Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, nuk priten sinjale pozitive nga Hungaria – kujtohet takimi Orban-Putin

2 months ago 8
Reklamë

Belgjika ka përfunduar kryesimin gjashtëmujor të Bashkimit Evropian dhe këtë detyrë, që nga 1 korriku, për gjashtë muaj, e ka marrë Hungaria.

Fatkeqësisht, gjatë presidencës belge nuk ka ndodhur asnjë lëvizje për ta shqyrtuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, që është bërë në dhjetor të vitit 2022, në fund të presidencës së atëhershme çeke.

Aktualisht, Kosova është i vetmi vend evropian, i cili ka aplikuar për anëtarësim në BE, por nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim. Mbetet e vetmja nga dhjetë shtete të përfshira në procesin e zgjerimit të BE-së pa statusin formal të kandidates.

Megjithatë, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, shpreson që gjatë udhëheqjes së Presidencës të Bashkimit Evropian nga Hungaria, të ketë lëvizje pozitive sa i përket marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, i cili që më shumë se një vit e gjysmë po qëndron në sirtarë të BE-së.

Hyseni: Hungaria e ka një momentum shumë të rëndësishëm

Image

Driton Hyseni

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni thotë se pret që Hungaria të ketë një rol proaktiv dhe pozitiv për shqyrtimin e aplikacionit për marrjen e statusit të vendit kandidat për Kosovën.

Ai është optimist se gjatë presidencës hungareze do të largohen në tërësi edhe masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

Me marrjen e presidencës, unë besoj se Hungaria e ka një momentum shumë të rëndësishëm që të tregoj se ekziston me të drejtën statusin e anëtarit të BE-së dhe operon me të njëjtat frekuenca në të cilat është BE-ja. Do të doja të kemi një përafrim sa i takon qëndrimeve që shteti hungarez ka me shtetet e unionit, qoftë për çështje që lidhen me sigurinë por edhe me proceset integruese që po kalon Ballkani Perëndimor por me një vëmendje të veçante edhe të proceseve integruese që po kalon Kosova. Në këtë drejtim që në një kohë më të afërt të mundshëm të kemi edhe një evoluim të aplikacionit tonë për të qenë anëtar të BE-së. A do të ndodh kjo gjatë presidencës hungareze, mendoj se kjo do të jetë një qëndrim i anëtarëve të BE-së dhe jo vetëm i Hungarisë”, u shpreh Hyseni.

Mirëpo, analistët nuk duken të jenë optimistë, sa i përket ardhjes së Hungarisë në kryesimin e BE-së, kjo për disa arsyje.

Preqi: Hungaria shumë takime nuk e ka përmendur çështjen e Kosovës

Për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli opinionisti Dedë Preqi, derisa shtjelloi edhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.

Image

Dedë Preqi

 Ai përmendi tri shtete, që gjatë kryesimit të BE-së, nuk është se i ndihmuan Kosovës në synimin e saj për të marrë statusin e vendit kandidat.

“Kosova në dhjetor të vitit 2022, përmes kryeministrit Albin Kurti, ia dorëzoi Çekisë, vendit që e kryesonte Presidencën e Bashkimit Evropian, aplikimin e Kosovës, për anëtarësim në BE, që do të ishte një rast i veçantë dhe ngjarje historike për vendin tonë dhe demokracinë Evropiane.

Aplikimi i Kosovës, për anëtarësim në BE, do të ishte një hap shumë i rëndësishëm për Kosovën, edhe pse vendi jonë do të ketë pengesa të cilat do i paraqesin ato vende që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, siç janë Rumenia, Greqia, Spanja, Qiproja dhe Sllovakia, por këto vende nuk e kundërshtuan Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në vitin 2015.

Edhe gjatë periudhës së presidencës belge nuk ndodhi ndonjë lëvizje e dukshme për ta shqyrtuar aplikimin e Kosovës, e cila aktualisht është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor, që nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësimin në BE.

Para Belgjikës e kishte Spanja, presidencën e radhës, meqenëse ishte e ditur se ky vend nuk e ka njohur akoma shtetin e Kosovës, dhe ishte e ditur se edhe nga ky vend pritjet ishin të zbehta, dhe s ëcilës nuk mund t’i vëmë ende një emër, por mbetemi me shpresë se edhe ky vend do ta thotë një ditë fjalën e vet pozitive për vendin tone”, shpjegoi opinionisti.

Krahas kësaj, Preqi përmendi edhe disa shtete që kanë marrë statusin e vendit kandidat në mënyrë të përshpejtuar, derisa Kosovës nuk po i mundësohet një gjë e tillë.

Statusin e vendit kandidat e kanë marrë në mënyrë të shpejtuar edhe Ukraina e Moldavia, po ashtu statusin e vendit kandidat e ka edhe Gjeorgjia, ndërsa vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria, Mali Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia Veriore dhe Serbia, ndërsa vetëm Kosova, është vendi i vetëm që akoma nuk i është njohur një status i tillë, duke mbetur kërkesa e saj në sirtarët e BE-së.

Partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, pret që gjatë udhëheqjes së Presidencës të Bashkimit Evropian nga Hungaria, mund të ketë lëvizje pozitive sa i përket statusit kandidat për anëtarësimin e Kosovës, në BE, po ashtu edhe gjatë kësaj presidence do të heqen edhe masat ndëshkuese ndaj Kosovës, duke shpresuar se i ka ardhë radha Hungarisë, që të jetë shpëtimtarja e jonë, sa i përket këtyre pikave”.

Tutje, opinionisti nuk u shpreh shumë optimist me ardhjen e Hungarisë në krye të BE-së, kjo për faktin se pavarësisht se e ka njohur Kosovën, ky shtet mban lidhje të ngushta me Rusinë dhe Serbinë.

Madje, ai përmendi edhe vizitën e Orban në Moskë dhe takimin e tij me Putinin.

 “Po të marrim në konsideratë pa paragjykime të gjitha vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, si shtet i pavarur dhe sovran, nuk do të thotë se kanë hequr dorë nga një proces i tillë, që ta njohin Kosovën, por edhe ato vende që e kanë njohur nuk do të thotë se nuk do i ndryshojnë qasjet e tyre në rrethana aktuale ndaj Kosovës, kur kemi të bëjmë me ato vende që kanë raporte të mira me Rusinë dhe me Serbinë, siç është edhe Hungaria.

Edhe pse Hungaria, para se ta merrte mandatin e presidencës në BE, paralajmëroi se e ka prioritetet zgjerimin me vendet e Ballkanit, por në shumë takime nuk e ka përmendur çështjen e Kosovës, apo që ka treguar ndonjë interesim të veçantë për ndonjë lëvizje të mundshme.

Dhe vizita e presidentit hungarez Viktor Orban, në Moskë, duke u takuar me Vladimir Putin, menjëherë pas marrjes së presidencës të Bashkimit Evropian, ishte shumë shqetësuese për BE-në, po ashtu edhe për Shtëpinë e Bardhë, si një hipotezë mendjelehtë dhe pa ndonjë marrëveshje paraprake me BE, dhe SHBA-në”, shtjelloi ai.

Nisur nga kjo, Preqi tha se nuk mbetet gjë tjetër vetëm që të shpresohet që Kosova të anëtarësohet një ditë në familjen evropiane, pasi që një kohë të gjatë nuk po përfillet dhe po trajtohet padrejtësisht.

Prandaj, duke u nisur nga një kriter i tillë, se Hungaria, gjegjësisht kryeministri i saj Viktor Orban, ka raporte të mira me Rusinë dhe me Serbinë, dhe i njëjti person e udhëheq presidencën e Bashkimit Evropian, është pikërisht edhe natyra e kësaj çështje që ka të bëjë ndaj Kosovës, dhe këtu emërtimi i përzgjedhur duket se zhvlerësohet vetvetiu.

Nuk mbetet tjetër vetëm shpresojmë se edhe Kosova, do ta ketë fatin e vet, që do të vie në radhë për t’u anëtarësuar një ditë në familjen evropiane, ashtu sikur e meriton. Mund të na duket se, prej këtu zë fill një lënie pas dore, një papërgjegjësi në mënyrën e trajtimit ndaj Kosovës, që bëhet aq më e pa kuptueshme për vëzhguesin, apo qytetarin e këtij vendi, dhe sa më shumë të përpiqet të kuptojë me kujdes ecurinë e ngjarjeve dhe rrjedhat e saj, sikur do të ishte e pamundur”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.

Halimi: Me udhëheqjen e Presidencës së Bashkimit Evropian nga Hungaria, nuk do të ketë lëvizje pozitive

Kurse, drejtoriekzekutiv i Institutit për Studime Evropiane dhe Globale, Jeton Halimi u shpreh shumë skeptik se Hungaria mund ta ndihmojë Kosovën në marrjen e statusit të vendit kandidat.

Image

Jeton Halimi

Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpreh se kryeministri Kurti duhet të ndryshojë qasje ne disa pika.

 “Albin Kurti me këtë politikën e tij destruktive, që mbanë në raport me Bashkimin Evropian dhe SHBA-në, nuk mundet me lëvizë drejt këtyre gjërave pozitive për Kosovën, vetëm për një qëllim, kinse nuk do ta themelojë Asociacionin. Kurti e di shumë mirë që është oblgim ligjor dhe shtetërore i Kosovës, prandaj duhet ta themelojë atë. Edhe me marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023 dhe aneksin e saj, Albin Kurti e ka pranu ‘Vetëmenaxhimin’.

Albin Kurti nëse nuk ndërron qasje në bisedime dhe nuk koordinohet me Bashkim Evropian dhe SHBA-në, me shumë vështirësi edhe me udhëheqjen e Presidencës së Bashkimit Evropian nga Hungaria, nuk do të ketë lëvizje pozitive, sa i përket marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE”, potencoi ai.

Krahas kësaj, Halimi përmendi edhe sanksionet e vendosura ndaj Kosovës, derisa nuk pret shumë nga presidenca hungareze.

“Kosova është ende në sanksion, si pasojë e politikës së dështuar nga Albin Kurti, këto politika e mbajnë Kosovën shumë larg BE-së dhe miqve tanë SHBA-së.

Shpresat janë shumë të vogla, që gjatë presidencës hungareze do të largohen në tërësi edhe masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

Nga Hungaria nuk varet 100% se mundet ta shpëtojë Kosovën, kur Albin Kurti nuk koordinohet me aleatët e saj dhe kryeneçësia e tij e ka sjellë Kosovën buzë greminës dhe në dështim total”, përmbylli Jeton Halimi për “Bota sot”.

Read Entire Article