“Armiqësi”, “Dikush duhet të jap përgjegjësi për atentatin ndaj Rugovës dhe aktivistëve të LDK-së”, Bytyçi: Në Hagë duhet të shkojnë edhe...

4 months ago 10

Gjatë ditës së sotme në Hagë, dëshmitarit Jan Kickert iu prezantua një fotografi, në të cilën u tha se shihej delegacioni i Rambujesë, e që në të ishte i gërvishtur ish-Presidenti Ibrahim Rugova.

Gërvishtja pretendohet se u bë nga Jakup Krasniqi.

Pasi dëshmitari identifikoi që personi që është gërvishtur në fotografi është Rugova, prokurori kërkoi që kjo provë të pranohet në prova materiale.

Prokurori John Capin tha se fotografia e dëmtuar e cila është gjetur në shtëpinë e Krasniqit, reflekton ndjesinë e armiqësisë që ka pas i akuzuari ndaj Rugovës.

“Me sa kam unë dijeni, kjo është marrë nga një album fotografik nga shtëpia e Jakup Krasniqit. Është një prej shumë fotografive, por asnjë nga fotografitë e tjera nuk është e gërvishtur dhe e dëmtuar si kjo fotografi. Ne mendojmë se kjo fotografi është dëmtuar sepse reflekton ndjesinë që ka pasur ky i akuzuar kundrejt këtij personi, armiqësinë pra”, tha prokurori Capin, duke shtuar se mendojnë që këtë gjë e ka bërë Krasniqi.

Por, pranimin e kësaj fotografie si provë materiale e kundërshtoi mbrojtja e Krasniqit, përmes avokatit Aiden Ellis.

“E kundërshtojmë për shkak se nuk ka relevancë dhe nuk ka asnjë vlerë provuese. Sipas nesh, ky nuk është një dokument që shërben për t’i identifikuar anëtarët e delegacionit të Rambujesë sepse trupi gjykues ka shumë materiale në lidhje me Rambujen, por ky është paragjykues si dokument sepse është gërvishtur fotografia e Ibrahim Rugovës, kjo është e vërtetë. Prokuroria nuk është në gjendje ta thotë kush e ka gërvishtur fotografinë e tij, kur është gërvishtur fotografia e tij dhe jam i bindur që prokurori do të thotë që ky është një dokument që është gjetur gjatë bastisjes së shtëpisë së zotëri Krasniqi”, tha Ellis.

“Nuk ka asnjë provë që vërtetohet se si ka përfunduar kjo fotografi në shtëpinë e zotëri Krasniqi dhe mendojmë që relevanca është shumë e vogël dhe ka një efekt paragjykues të pranohet kjo fotografi pa u vërtetuar… në ç’kusht është gjetur kjo fotografi në shtëpi të Krasniqit. Ne mendojmë që efekti cenues dhe paragjykues që ka kjo fotografi është tepër i dëmshëm edhe nuk ka asnjë vlerë provuese”, tha Ellis.

Megjithatë, kryetari i trupit gjykues Charles Smith tha se kjo fotografi do të pranohet në prova materiale e që vlera provuese e saj do të përcaktohet më vonë nga trupi gjykues.

Në lidhje me këtë çështje, është deklaruar profesori dhe analisti politik, Enver Bytyçi.

“Jakup Krasniqit ia paskan gjet në shtëpi një album me fotografi nga aktiviteti i delegacionit të Kosovës në Rambuje. E në atë album është një foto e delegacionit, ku bën pjesë edhe presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova. Kështu thoshte prokurori i gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë. Ai konsideron se fotoja e Rugovës është dëmtuar qëllimisht nga zoti Krasniqi dhe sipas prokurorit, kjo dëshmon për urrjetje dhe armiqësi të të akuzuarit ndaj ish-presidentit historik”, thotë Bytyçi.

Ai shton se, ia tërhoqi vëmendjen ky detaj, duke shtuar se dikush duhet me dhënë përgjegjësi për atentatet ndaj presidentit Ibrahim Rugova, vrasjet e aktivistëve të LDK-së dhe gazetarëve të gazetës “Bota sot”.

“Së pari, ata që janë në bankën e akuzës në Hagë besoj se janë aty për përgjegjësi më të mëdha se sa armiqësia verbale ndaj Ibrahim Rugovës. Dikush, (nuk e di nëse janë këta apo jo. Këtë duhet ta thotë prokuroria dhe provojë gjykata), por dikush është përgjegjës për atentatet që i janë bërë Rugovës, vrasjet e aktivistëve të Lidhjes Demokratike e likuidimet e gazetarëve si Bardhyl Ajeti, Bekim Kastrati etj. Këto vepra kriminale duhen zbuluar dhe duhen dënuar”, potencon profesori.

“Së dyti, se Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi e të tjerë e kanë urryer Ibrahim Rugovën, nuk kishte nevojë të përdorej ai album. Albumi është një fakt i vetëm. Hapni gazetat dhe merrni në analizë deklaratat e tyre kundër presidentit të Kosovës. Ato deklarata, si dhe të miqve të tyre në Prishtinë e në Tiranë, janë plot urrejtje e mllef dhe dëshmojnë armiqësinë e pashembullt kundër Ibrahim Rugovës. Ndërkaq, nëse i lexoni në këto medie deklaratat e liderit të madh të Kosovës, nuk do të gjeni në asnjë rast gjurmë urrejtjeje e armiqësie ndaj kundërshtarëve të tij”, shton ai.

Sipas tij, ky ishte dhe mbetet dallimi i madh midis njeriut të madh, Rugova dhe njerëzve të vegjël, të cilët e urryen atë.

“Megjithatë, organizimi i atentateve ndaj Rugovës, si dhe vrasja e dhjetëra aktivistëve dhe bashkëpunëtorëve të tij, janë veprat penale, të cilat duhen provuar. Se po të ishte për armiqësi verbale ndaj Rugovës, atëherë në Hagë duhet të shkojnë edhe nja një dyzinë politikanësh të majtë dhe analistë të verbër të Tiranës”, përfundon profesori Enver Bytyçi.

Ndryshe, sot në Hagë, personat që identifikoi dëshmitari Kickert në fotografinë për të cilën u diskutua në seancë, ishin Xhavit Haliti, Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Skender Hyseni, e të tjerë.

“Xhavit Halitin, Skender Hysenin, Ibrahim Rugovën, Ramë Bujën, Bren Shala, Veton Surroin, Fehmi Aganin, është edhe dikush tjetër nga opozita këtu dhe krejt në të majtë Jakup Krasniqi, Hidajet Hyseni”, tha ai.

Read Entire Article