Arratisja e Faton Hajrizit nga burgu, flasin juristët – kërkojnë hetime mbi këtë çështje

2 months ago 12
Reklamë

Kosova po del të jetë vendi i “ndodhive”.

Drejtësia në Kosovë, siç duket nuk po funksionon si duhet. Tash e tre ditë një i burgosur po qëndron jashtë burgut, jo se është i liruar.

I burgosuri për vrasjen e një ushtari rus, Faton Hajrizi po vuante dënimin prej 25 vitesh burgim në burgun e Smrekonicës kur mëngjesin e ditës së shtunë u bë hera e nëntë që ai është arratisur nga hapësirat rehabilituese.

Ai dje është shfaqur në rrjetin social TikTok, por duke mos treguar vendndodhjen e tij.

Kurse, si pasojë e këtij rasti janë suspenduar oficeri i dhomës dhe oficeri i krahut.

Ish-kryeshefi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Safet Zogiani pas kësaj ngjarje thotë se kujdesi për një person që ka ikur nga burgu disa herë do të duhej të ishte më i madh.

“Unë mendoj që përgjegjësia më e madhe është e atij burgut që ka ardhë sepse këtu është e pamundur me i parandalu ikjet sidomos kur është fjala për personin që ka qenë 25 vjet i dënuar dhe po më duket ka qenë edhe tjera herë që është larguar nga qendrat tjera të paraburgimit”, ka thënë Sokol Zogiani – Ish-kryeshef i SHKK-së.

Për këtë rast, ishte deklaruar edhe Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla.

Ai ka paralajmëruar se kapja e Faton Hajrizit, është çështje orësh apo ditësh.

“Tashmë policia ka bërë angazhimin e saj që të hetojë rastin në plotëni, në qoftë arratisjen apo vendndodhjen e tij dhe arrestimin shumë të shpejtë... Policia po punon unë jam i bindur dhe policia shumë shpejt do të vijë me rezultate. Ju po i shihni rezultate e policisë për çdo ditë që të kemi numër minimal të rasteve ku kemi vështirësi në zbulueshmëri, do të thotë zbulueshmëria është maksimale, edhe veprimet e policisë janë jashtëzakonisht efektive. Unë nuk jam shumë i brengosur me këtë duke parë efikasitetin e policisë, është çështje orësh apo ditësh”, ka thënë Sveçla.

Burjani: Moskujdesi po shihet si e metë e madhe

Image

Juristi Blerim Burjani

Juristi Blerim Burjani, në një përgjigje për “Bota sot”, tha se nuk duhet anashkaluar faktorin njeri, por që problemi kryesore qëndron te segmetet ndërtuese të hapësirave në burgje.

“Po konstatimi i juaj është i saktë, faktori kryesor është siguria e hapësirave, përkundër arkitekturës se sigurt prapë po gjenden rrugë për të ikur nga burgjet, duhet të rishikohen disa segmente ndërtuese, pra faktori teknik është më shumë i shprehur se sa faktori njeri, pa anashkaluar deri në fund edhe faktorin njeri.

Duhet punuar me segmente për sigurinë teknike të burgjeve, moskujdesi është pa dhe po shihet si e metë e madhe”, deklaron ai.

Bajraktari: Dështim, risocializimi i tij

Lidhur me këtë çështje, avokati Ardian Bajraktari, shpjegon detajisht se si duhet vepruar me persona të tillë.

Sipas tij, të dënuarit duhet t'i bëhet vlerësimi i rrezikut individual, duke shtuar se një person i cili arratiset për herën e nëntë, dëshmon se ka dështuar risocializimi i tij.

Image

Ardian Bajraktari

“Ekzekutimi i sanksioneve penale është kompetencë e Shërbimit Korrektues të Kosovës, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, ku kjo e fundit ushtron mbikëqyrje ekzekutive mbi tërë Shërbimin Korrektues.

Që nga vendosja e personit të dënuar në institucionin korrektues, por pastaj edhe trasferimi i tij nga një institucion korrektues në një tjetër, të dënuarit duhet t'i bëhet vlerësimi i rrezikut individual, ku merret parasysh kohëzgjatja e dënimit të shqiptuar, mosha, gjinia, gjendja shëndetesore dhe veçoritë tjera karakteristike të të dënuarve.

E vendosja në institucion korrektues të tipit të hapur, e një personi i cili është sinonim i arratisjes, kjo determinon nevojën dhe domosdoshmërinë për hetim, përtej hetimit administrativ.

Po ashtu, fakti që një person arratiset për herën e nëntë, dëshmon se ka dështuar risocializimi i tij”, përfundon avokati për “Bota sot”.

Kujtojmë, se i arratisur është aktualisht edhe Enver Sekiraqa, i dënuar për vrasjen e policit Triumf Riza në vitin 2007.

Read Entire Article