Artisti franko-shqiptar me famë ndërkombëtare rrëfehet në podcastin e Ramës

11 months ago 28
Reklamë
11:27 30/09/2023

Angjelin Preljocaj: Aktualisht po punojmë për krijimin e festivalit të dancit bashkëkohor në Tiranë

Artisti franko-shqiptar me famë ndërkombëtare, balerini dhe koreografi, Angjelin Preljocaj ka folur në episodin e tretë, të sezonit të dytë, të podkastit “FLASIM” të kryeministrit Edi Rama për jetën e tij artistike dhe përpjekjet për të ruajtur gjuhën dhe kulturën shqipe edhe pse ka lindur në Francë.

“Dhe përsëri kjo historia me dy koka, dy kultura që takohen, që ushqehen nga njëra-tjetra, që sjellin një të veçantë, që sjellin një hibridizim, të koncepteve të shijeve estetike dhe është kjo që të tërheq.”

Rama tregoi dhe se si kishte dëgjuar për herë të parë për Angjelin Preljocaj gjatë kohës që jetonte në Francë në vitit ’90.

“Isha në metro, shikoja posterat e mëdhenj dhe thosha me vete ky emër : Angjelin Preljocaj, duket sikur ka të bëjë me mua, me vendin tim. Pastaj fillova të interesohesha, të flisja me njerëzit. Dhe kur pashë shfaqjen e parë, besoj se ishte në Chatelet, m’u duk se kishte diçka shumë shqiptare në thelb, jo në skript, por në thelb, diçka shumë ndryshe nga ajo që shohim te koreografët e tjerë të mëdhenj. Besoj se kishte diçka mjaft autentike, diçka që nuk dukej, që mua më shkaktoi këtë jehonë të brendshme, nuk e di nëse është e saktë si përjetim, apo ideja që unë e dija historinë tënde, e dija që ishe shqiptar më bënte të mendoja këtë.”

Duke folur për kërcimin, Preljocaj tha se ajo që provokoi pasionin për kërcimin ishte një fotografi.

“Në atë pamje ishte Rudolf Nurejevi i varur në një kërcim, dhe është e çuditshme, sepse të rrish varur ashtu është si të fluturosh në fakt. Por kjo më ngjalli dëshirën për baletin sepse kishte një dritë të tillë, një bukuri të tillë te ky njeri që po ushtronte pasionin e tij, baletin, saqë pata dëshirën të zbuloja se çfarë kishte prapa këtij imazhi. Dhe ia ktheva revistën vajzës që ma dha dhe e pyeta se ku bënte kurs kërcimi, dhe ajo më ftoi të shkoja në kursin e saj. Bëja xhudo, kur shkova herën e parë nuk kisha geta baleti. Kështu që vesha pantallonat e xhudos dhe një bluzë të bardhë, dhe ja kështu e bëra mësimin e parë të baletit. Dhe ishte si zbulim sepse më pëlqente shumë muzika, por nga ana tjetër isha dhe shumë fizik, bëja xhudo, më pëlqente kontakti me partnerin, edhe pse ishte sport luftimi, xhudo mund të jetë edhe shumë i hijshëm. Pra këto dy gjërat lëvizja dhe muzika, bashkoheshin për herë të parë për mua, dhe ishte diçka që nuk e kisha provuar më parë. Pra ishte diçka e çuditshme.”

Gjatë intervistës me kryeministrin Rama, Prelocaj tregon edhe përplasjen që kishte me Marine Le Pen, e cila i tha të kthehej në Shqipëri, pasi kishte marrë vendimin për t’u larguar nga Teatri i Toulon-it pas fitores së partisë Fronti Kombëtar.

Kërkesës së Marine Le Pen Prelocaj i ishte përgjigjur duke thënë: Unë mund të kthehem dhe t’ia filloj nga zero, por nuk do jap kurrë shfaqje në një vend ku njerëzit votojnë për partinë tuaj.

Teksa tregon përshtypjet e tij kur erdhi për herë të parënë Shqipëri, Preljocaj tegon tregon në podkast se dhe për shfaqet që vë në skenë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.

“Pothuaj çdo vit kam dhënë shfaqjet e mia për TKOB, pa pagesë, si mënyrën time për t’i kthyer këtij vendi gjithçka që më ka dhënë dhe për të rivendosur lidhjen që kam thellë brenda meje me Shqipërinë.”

Artisti franko-shqiptar me famë ndërkombëtare tha se po punon që të sjellë në Tiranë festivalin e dancit bashkëkohor.

“Aktualisht po punojmë me Tim Njuman dhe Ajola Xoxa për krijimin e festivalit të dancit bashkëkohor në Tiranë. Mendoj se është diçka që di ta bëj dhe mund t’ia dhuroj Shqipërisë, pa asnjë lloj interesi nga ana ime, por ku unë marrë pjesë me gjithë qejf. Dhe do të donim ta bënim çdo vit, të ftojmë kompani të mëdha ndërkombëtare, që shqiptarët ta njohin dancin, por edhe artistët e huaj ta njohin Shqipërinë sepse mendoj se është një vend që meriton të njihet. Është një mënyrë për t’u njohur me njëri-tjetrin ndoshta.”

Klan News


Read Entire Article