Asambleja e të zgjedhurve vendorë të PD-së, Berisha: Bashkëpunoni me qeverinë, por denonconi çdo diskriminim të saj

1 year ago 38
Reklamë
13:18 16/09/2023

Ditën e sotme është duke u mbajtur Asambleja e Përgjithshme e të Zgjedhurve Vendorë Demokratë. Në fjalën e tij në këtë asamble, kryedemokrati Berisha ka thënë se të zgjedhurit vendorë duhet të motivojnë armatën idealiste për t’u përballur me atë që quan “regjim të Edi Ramës”.

Sali Berisha: Libri i zi i farsës elektorale duhet t’i shërbejë çdo opozitari, çdo qytetari për të njohur të vërtetën mbi procesin themelor të një vendi që janë zgjedhjet. Dhe ajo ju garantoj se nuk është e plotë, se ajo nuk trajton proceset e nëndheshme të një shteti mafioz, por vetëm ato të dokumentuara me dokumente zyrtare, janë fotografuar, janë regjistruar nga qytetarët, aktivistët e opozitës. Është detyra juaj, detyra e të gjithë të zgjedhurve vendorë, atyre që kandiduan, që të angazhohen në një përpjekje të madhe me 600 mijë idealistë opozitarë, të cilët pavarësisht nga pabarazia ekstreme, pavarësisht nga kërcënimet kriminale të një krim-ministri, që zotohej dhe betohej se po votove për kandidatin tjetër, nuk do marrësh një qindarkë, pavarësisht me transformimin e administratës dhe trupës së shërbimit civil në një polici politike elektorale, ata nuk u dorëzuan dhe qëndruan të pamposhtur dhe votuan kundër qeverisë, votuan për opozitën. Është në detyrën tonë, sot që kemi gjithçka të qartë në dritën e diellit, të motivojë këtë armatë idealiste për t’u përballur me regjimin e Edi Ramës. Ky është armik i votës, ky nuk e lejon votën. Ky ka krijuar modele të blerjes publike të votës, po e lëmë të fshehtën. Të bazuar në bandat, vrasësit, kriminelët, me të cilët ai grabit në tërësi mandatet që përcakton.

Porositë e Berishës për të zgjedhurit vendor në këtë asamble ishin: Bashkëpunoni edhe me qeverinë, por denonconi çdo diskriminim të saj.

Sali Berisha: Është shumë e rëndësishme që të bëjmë gjithçka me votën tonë, të kundërshtojmë rritjen e taksave. Ju ftoj gjithashtu, edhe të zgjedhurit tanë të nderuar, të përparësoni me të gjithë pushtetin që keni, arsimin. Bashkitë tona duhet të bëjnë gjithçka që kanë mundësi, me akordim bursash për të varfrit, për ta pasur arsimin si përparësi kryesore. Të kontrolloni ndihmën ekonomike. Të bëni gjithçka për të regjistruar qytetarët që e kanë të domosdoshme ndihmën ekonomike dhe që nuk e marrin. Ne do bëjmë betejë të fuqishme për minimumin jetik. Vendosja e minimumit jetik është e një rëndësie vendimtare. Në përputhje me ligjin, ju duhet të bashkëpunoni me qeverinë qendrore, në interes të zgjedhësve tuaj. Por do denonconi çdo diskriminim të qeverisë vendore ndaj bashkisë tuaj dhe qytetarëve tuaj. Bashkëpunimi duhet të zbatohet mbi projekte. Ndaj, ato fonde që keni, i përqendroni në projekte sidomos nga institucionet ndërkombëtare, se ky do bëjë një diskriminim ndaj jush. Duhet të jeni shumë aktiv në bashkëpunimin ndërkombëtar, në interesin më të mirë të qytetarëve që ju drejtoni./tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article