Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ditë më parë ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të zbatojnë Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit, të arritur në vitin 2023.
“Epo, linja zyrtare e BE-së për momentin është sigurisht që marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit janë ligjërisht të detyrueshme dhe ato duhet të zbatohen sa më shpejt që të jetë e mundur, edhe AKS-ja duhet të zbatohet sa më shpejt. Dhe hapi tjetër është se Bashkimi Evropian po i rekomandon Qeverisë së Kosovës që draft statusin e AKS-së, t’ia dorëzojë Gjykatës Kushtetuese këtu në Kosovë. Pastaj përsëri, ne kemi komisionerë të rinj që vijnë, në Bruksel, ne kemi një ekip të ri në Bruksel, ata duhet të hedhin një vështrim në këtë situatë aktuale dhe të shohin nëse mund të vijnë me ide të reja për të gjetur një zgjidhje”, ka thënë Westerlund, sipas të cilit, qeveria e Kosovës duhet të ecë përpara edhe me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Por, analistët politikë nuk presin asnjë risi sa i përket çështjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë si dhe presionit për formimin e Asociacionit. Sipas tyre, gjithçka do të mbetet nën hijen e zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Asociacioni në pritje të qeverisë së re
Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Nexhat Haziri thotë se qeveria nuk do ta ndërmarr asnjë hap për dërgimin e draft-statutit për themelimin e asociacionit te komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese.
Nexhat Haziri
“Tani kur ka filluar fushata zgjedhore edhe pse jo zyrtarisht, nuk pritet qe qeveria ta dërgojë draft-statuti për themelimin e asociacionit te komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese përkundër kërkesave nga BE, por edhe nga SHBA- ja. Ky hezitim i qeverisë për ta dërguar draft-statutin në Kushtetuese ka qëllime elektorale pasi partia në pushtet LVV-ja llogaritë se në rast të dërgimit mund të humb elektoralisht në zgjedhjet e 9 shkurtit”, shprehet Haziri.
“Po ashtu edhe tashmë kërkesa apo ideja e qeverisë për ta hartuar një statut të AKS-së poashtu është vetëm për qëllime politike dhe elektorale pasi që në kohën kur kërkohej nga partnerët tanë që qeveria të dilte me një propozim për një draft-statut të AKS-së, është po kjo qeveri dhe po ky kryeministër që hidhnin poshtë një mundësi të tillë, e përtej kësaj draft- statutin për AKS-në e kanë pranuar dhe vlerësuar si më të përparuarin dhe konform kushtetutës”, deklaron Haziri.
Më tej, ai thotë se Asociacioni do ta pres në tavolinë qeverinë e re, e cila do të themelohet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Pra ky draft- statut do të mbetët në tavolinën e qeverisë së re e cila do të dal zgjedhjet e 9 shkurtit dhe se pa përparim të qeverisë së ardhshme në këtë drejtim, vendit jo që nuk do të hiqen sanksionet financiare, por këto sanksione mund të zgjerohen dhe fuqizohen edhe në sferat e tjera që do të ishin shumë të dëmshme për Kosovën”, thotë Haziri.
“Dhe krejt në fund, qeverisë së Kosovës dhe vet kryeministrit Kurti duhet përkujtuar se ishte vet ky i fundit që ka pranuar AKS-në me marrëveshjen e Brukselit dhe asaj që njihet në Ohër, madje duke pranuar që të ngritët nga një asocim të komunave me shumicë serbe për disa çështje të caktuar, në një vetmenagjim që është një formë autonomie politike dhe territoriale, përtej marrëveshjes së 2013 dhe asaj 2015”, përfundon Nexhat Haziri për “Bota sot”.
Presioni ndërkombëtar
Kurse analisti tjetër, Gani Qarri thotë se asnjë marrëveshje nuk mund të zbatohet në mënyrë të njëanshme.
“Andaj megjithëse ne e kuptojmë se parim i diplomacisë ndërkombëtare, mbetet që “palëve” tu bëhet presion, ashtu siç u deklarua edhe ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, duke kërkuar nga Kosova dhe Serbia të zbatojnë Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit, të "dakorduara" në vitin 2023, ai dhe diplomacia ndërkombëtare, janë plotësisht, të vetëdijshëm, se është e pamundur të zbatohet njëanshëm, çfarëdo marrëveshje që nuk është nënshkruar nga palët madje edhe të hedhur poshtë zyrtarisht nga Serbia. Pra një marrëveshje që edhe ashtu, e mangët dhe e panënshkruar siç ishte, është hedhur publikisht poshtë, në mënyrë zyrtare nga Qeveria e palës tjetër, andaj para çdo veprimi, fillimisht duhet të dëshmohet zyrtarisht vlefshmëria e saj, ngase pas letrës së Bërnabiqit, në emër të shtetit dhe qeverisë serbe, marrëveshja praktikisht, është bërë inekzistente dhe për rrjedhojë edhe plotësisht e pamundur ti besohet zbatimit të neneve të saj, nga Serbia, nëse ajo nuk e tërheq letrën zyrtare dërguar BE-së dhe Vuçiq nuk e nënshkruan këtë marrëveshje”, shprehet Qarri.
Gani Qarri
Sipas tij, Kosova duhet ta ndjekë shembullin e Kroacisë, dhe mos ta themelojë Asociacionin e Komunave serbe.
“Edhe sa u takon të drejtave të pakicës serbe, shqiptarët gjithmonë kanë dëshmuar dhe kanë zbatuar edhe në praktikë të gjitha të drejtat e mundshme, duke shkuar përtej të drejtave që u takojnë atyre si pakicë deri në diskriminim pozitiv, që nuk ka ndodhur në asnjë vend fqinj, apo cilindo shtet në botë, ndaj unë jam i mendimit se Kosova duhet ta ndjekë shembullin e Kroacisë, ku jetojnë dy-tre fish më shumë minoritar serb se sa në Kosovë dhe tu ofrojë atyre formimin ne një Këshilli Nacional, e mos të shkohet në ekstreme të tilla të papërballueshme si i ashtuquajturi "asociacion", që rrezikojnë hapur vendin tonë, i cili edhe për vete, akoma është në fazën e shtetndërtimit!”, nënvizon Qarri.
“Kjo për faktin e vet-kuptueshëm, se shembuj të krijesave të tilla, pa marrë parasysh numrin a përqindjen e minoritarëve, nuk ka askund në asnjë vend tjetër në rajon, madje as në FYROM ku përqindja e shqiptarëve arrin shifrën, pothuajse në 40%, por atje, as gjuha shqipe, akoma nuk është zyrtarizuar në kushtetutë, derisa dihet mirëfilli, se pasojat dhe rreziqet e "asociacionit" duhet ti bartë Kosova e jo ambasadorët apo shtetet e huaja, që kanë përfaqësues të përkohshëm dhe ambasada rezidente në Kosovë”, shpjegon Qarri.
Ai thotë se bashkësia ndërkombëtare duhet ta detyrojë Serbinë që t’i pranojë marrëveshjet e nënshkruara me Kosovën.
“BE, SHBA dhe faktori ndërkombëtar, pas letrës së dërguar nga qeveria serbe, dhjetorin e vitit të kaluar-BE-së, fillimisht duhet ta detyrojnë Serbinë që ta tërheq letrën e dërguar dhe ta nënshkruaj Marrëveshjen me sekuencimin e saj, të arritura në Bruksel dhe Ohër, e vetëm pastaj mund të hapet rruga që ti kërkohet ekzekutivit të Kosovës, të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese, jo vetëm "asociacionin", siç thuhet në BE, por dy forma të rregullimit ligjor për të drejtat e pakicës serbe, në Kosovë. Nën1. Të dërgohet një draft për formimin e një Këshilli Nacional dhe nën 2. Të dërgohet edhe një propozim formal, për të ashtuquajturin "asociacion" të hartuara nga ekspertët ligjor dhe kushtetues të vendit tonë në konsultim me ekspert nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar, që Gjykata Kushtetuese të vendos në mënyrë të pavarur, Për njërin Variant!, bazuar në kushtet dhe mundësitë e Republikës së Kosovës dhe jo drafte të imponuara nga Bashkimi Evropian, të cilët përfaqësuesit pro-serb të BE-së i kanë marrë si "mall" të gatshëm të fabrikuar nga Serbia, enkas për destabilizimin kushtetues e territorial dhe pamundësimin e vazhdimësisë së shtetit të Kosovës”, shpjegon Qarri.
Ashtu si Haziri, edhe Qarri thotë se risi të reja sa i përket çështjes së Asociacionit, priten pas zgjedhjeve nacionale në Kosovë.
“Siç dihet, Qeveria e Kosovës edhe më herët, ka propozuar ta hartoj vet një draft-statut për një të ashtuquajtur “asociacion” sipas kushteve dhe mundësive të vendit tonë, mirëpo kjo siç kemi pasur mundësi ta shohim e dëgjojmë publikisht në media, është kundërshtuar nga Peter Stano, në emër të Bashkimit Evropian, ndaj dhe nuk ka mundur të bëhet diçka më tepër në këtë drejtim, kështu që mbetet të shohim se si do të veprohet në të ardhmen, pas zgjedhjeve vendore në Kosovë”.
“Pas fitores së Donald Trumpit në SHBA, formimit të Administratës së re të Shtetit amerikan, si dhe zëvendësimeve të personelit në përfaqësimin për Politikë të Jashtme të BE-së, ka ndryshuar tërësisht gjendja edhe në gjeopolitikën evropiane dhe ndërkombëtare, andaj me afrimin e zgjedhjeve dhe afatit të shkurtër për fillimin ligjor të fushatës parazgjedhore në Kosovë, edhe kërkesat sporadike të diplomatëve të huaj, që bëhen në mënyrë formale, për të ashtuquajturin "asociacion", varësisht nga përmbajtja dhe qëllimi, mund të shqyrtohen dhe marrin përgjigjen e arsyeshme, vetëm pas përfundimit të votimeve dhe formimit të Qeverisë së re, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, të vitit që vjen”, përfundon analisti Gani Qarri për “Bota sot”.