Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka fajësuar kryeministrin Edi Rama në lidhje me atentatin e ndodhur 10 ditë më parë në Shkodër, ku humbën jetën 4 persona.
Në një konferencë për shtyp, kryedemokrati u shpreh se policia nuk ka ende një pistë hetimi, ndërsa shtoi se gjithçka ka ndodhur me urdhër të kreut të qeverisë.
Berisha e lidh ngjarjen e ndodhur në Shkodër me zgjedhjet e vitit të ardhshëm, ndërsa thekson se një nga bandat e këtij qyteti, ajo e Bajrave, ka marrë urdhër të “pastrojë terrenin” në mënyrë që fitorja e PS në Shkodër të jetë e sigurt.
“Mirëdita dhe përshëndetje të përzemërt gazetareve dhe gazetarëve të pranishëm në sallë që ndjekin këtë konferencë shtypi, qytetarëve kudo që ndodhen.
Kaluan 10 ditë nga masakra e Shkodrës, në të cilën 4 qytetarë të pafajshëm u ekzekutuan në rrugët kryesore të qytetit në mesditë dhe gjer sot nuk ekziston asnjë pistë për hetimin e kësaj ngjarje, për shkakun e vetëm se pista e vetme është pista shtetërore.
Që ditën e parë, informova shqiptarët se kjo ishte një masakër me licencë qeveritare të Edi Ramës sepse banda Bajri është banda, e cila rrëmbeu mandatin e kryetarit të bashkisë dhe i është betuar Edi Ramës se do i garantojë mandatin në Shkodër me dhunë dhe terror.
Banda Bajri në kundërshpërblim për shërbimet kriminale që i bën Edi Ramës, qeverisë së tij, është autorizuar të pastrojë sipas gjuhës së tyre, terrenin nga çdo lloj vështirësie që mund të ketë për të siguruar mandatin.
Kur unë deklarova se pjesëmarrëse në këtë masakër është Policia e Shtetit, Mondi, i cili u duhej atyre sipas regjistrimeve për të kryer ca punë, Mondi qëndron në krye të vendosjes së narkopolicisë në shërbim të bandës.
Por nuk është vetëm Mondi. Mondi tjetër në krye të ministrisë është një përfaqësues i njërës prej bandave më të rrezikshme të Shqipërisë dhe Ballkanit, i Troplinëve.
Ai është emëruar aty nga banda e Troplinëve për të mbuluar të gjithë veprimtarinë e tyre dhe të ortakëve të tyre në Shqipëri.
Kurse Mondi tjetër famëzi në krye të polici, i implikuar në trafiqe, por edhe në vrasje siç flitet rëndom, përfaqëson bandën e Elbasanit”, shprehet ai.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb