Balla: Nga 300 mijë lëndë narkotike, 200 mijë prej tyre janë asgjësuar në Shkodër në 2023-shin

8 months ago 11
13:42 29/01/2024

Pas analizës vjetore të Drejtorisë Vendore të Policisë së Shkodrës, ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka dhënë një prononcim për mediat.

Gjatë fjalës së tij, Balla ka deklaruar se nga 300 mijë lëndë narkotike, 200 mijë prej tyre janë asgjësuar në Shkodër gjatë 2023-shit.

Për vitin 2024, ministri Balla ka deklaruar se do të garantohen Aple të pastra, të cilat do të jenë një destinacion turistik dhe jo destinacion i grupeve kriminale për të kultivuar bimë narkotike.

Pyetje:  Balla Shkodra ishte drejtoria e radhës e analizës vjetore të Policisë së Shtetit. Cilat janë në mënyrë të përmbledhur rezultatet që ka patur kjo drejtori përgjatë vitit që lamë pas?

Ministri Balla: Shkodra ka një sërë problematikash që lidhen me performancën e punës së Policisë. Dua të them prej momentit të parë se një prej sfidave më të rëndësishme tona mbetet kontrolli i territorit dhe lufta kundër çdo fenomeni kriminal apo informaliteti. Besoj që edhe ju bini dakord që një prej fenomeneve që ka mbartuar puna e Policisë së Shtetit në përballje me informalitetin dhe kriminalitetin lidhet me luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike. Dy në tre bimë narkotike të asgjësuara nga Policia e Shtetit gjatë viti 2023 është në Shkodër, pra nga 300 mijë lëndë narkotike 200 mijë prej tyre janë asgjësuar në Shkodër. Viti 2024 do të jetë konsolidimi i këtyre rezultateve për të garantuar Alpe të pastra, të cilat të jenë destinacion turistik, por të mos jenë më destinacion i grupeve kriminale për të kultivuar bimë narkotike, e përmes kësaj veprimtarie për të furnizuar apo financuar veprimtari të tyre kriminale.

Për sa i përket qytetit të Shkodrës, unë e di fare mirë kush është detyra ime dhe e Policisë së Shtetit, të garantojmë një Shkodër të qetë me siguri publike të garantuar. Të parandalojmë sa më shumë aktivitete kriminale, por dhe krime të rënda kundër personit. Kjo vjen edhe për pasojë të faktit të mos zbulimit në kohë të krimeve të rënda të ndodhura në vite. Kemi 247 persona në kërkim në Shkodër. Sot jemi fokusuar te kjo listë për të shkuar një për një tek secili prej tyre, një pjesë vazhdojnë të jenë e të fshihen këtu në Shkodër. Detyra e Policisë së Shtetit edhe në koordinim me agjencitë e tjera ligjzbatuese, me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, me SHISH është t’i gjejë dhe t’i vendosi ata para drejtësisë. Koha kur në Shkodër të fortit kishin bajraqet e tyre, feudet e tyre, ku nuk mund të hynte dot policia ka mbaruar. Kam qenë shumë i qartë në porosinë ndaj DVP për t’i dhënë fund kësaj historie, pra këtu nuk mund të ketë as lagje, as zona ku policia nuk mund të ndërhyjë apo ushtrojë dot sundimin e ligjit dhe forcën e vet./tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article