Balla thirrje deputetëve: Duam mbështetjen tuaj që çdo keqbërës, që i afrohet shkollave të marrë ndëshkim më të ashpër

11 months ago 21
Reklamë
14:02 21/09/2023

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka kërkuar mbështetje nga Kuvendi për disa ndryshime në Kodin Penal që në thelb kanë rritjen e sigurisë në shkolla dhe që parashikojnë dënime më të ashpra për shpërndarësit dhe trafikantët e drogës në perimetrin e sigurisë.

Balla theksoi se strukturat shtetërore, Policia dhe agjencitë e sigurisë, duhet të ndërhyjnë sot fort, në mënyrë që e ardhmja e të rinjve shqiptarë, të jetë më e sigurt dhe më e mirë nesër. Ministri i Brendshëm, në apelin drejtuar kuvendit u shpreh se “dua t’i kërkoj kuvendit mbështetjen e plotë, pa asnjë dallim, të majtë – të djathtë, mazhorancë – opozitë, për ta çuar të gjithë së bashku këtë paketë të sigurisë, në shkolla.”

Duke cituar një figurë historike si Churchill, për dallimet mes politikanit dhe shtetarit, ai solli në vëmendje të kuvendit që “shtetar është ai që mendon për gjeneratën e radhës.”

“Unë mendoj që të rinjve shqiptarë sot, u rrezikohet një e ardhme më e mirë, nëse ne nuk ndërhyjmë sot, me forcë, kundër përdorimit të lëndëve narkotike,” u shpreh Balla.

Më poshtë fjala e plotë e Ministrit Balla:

Meqenëse N/kryetari i kuvendit, z. Gjekmarkaj, preku një prej detyrave më të rëndësishme që unë mendoj, ka Policia e Shtetit dhe që ka të bëjë me sigurinë pranë shkollave, dua ta informoj kuvendin e Shqipërisë se edhe për çështjen që ngriti, z.Gjekmarkaj, prej ditës së parë në këtë detyrë, i kam kërkuar Policisë së Shtetit, të identifikojë të gjitha llojet e lëndëve narkotike, apo dhe lëndë të tjera, të cilat në legjislacionin shqiptar nuk konsiderohen si lëndë narkotike, por që sot janë kthyer në një trend të rrezikshëm të përdorimit dhe pastaj të krijimit të varësisë së fëmijëve hap pas hapi tek lëndë të ndryshme narkotike.

Këtu dua ta them shumë qartë që, as rasti në fjalë, i nderuar deputet, nuk po tolerohet! Policia po e bazon veprimin e vet dhe goditjen e vet, në mungesë të legjislacionit që ne do ta sjellim shumë shpejt në kuvend, për ta klasifikuar, edhe këtë formë të oksidit të azotit, në një lëndë të palejuar, edhe pse ligji e ka lejuar. Kjo lëndë ka hyrë prej vitesh në Shqipëri duke paguar doganën. Por ne jemi bazuar veprimtarinë goditëse në disa konventa të Kombeve të Bashkuara, të cilat e konsiderojnë atë si një lëndë, e cila duhet vendosur nën kontrollin e shtetit për mënyrën e përdorimit të saj, sepse kryesisht është përdorur në klinika stomatologjike për moshat e vogla për të lejuar mjekun stomatolog, për të bërë ndërhyrje te fëmijët.

E megjithatë meqenëse e mora fjalën, dua t’i kërkoj Kuvendit mbështetjen e plotë, pa asnjë dallim, të majtë – të djathtë, mazhorancë – opozitë, për ta çuar të gjithë së bashku këtë paketë të sigurisë, në shkolla.

Kjo nuk është politikë e ditës. Dhe, sa herë që të flasim për ketë çështje, mendoj të sjellim në vëmendjen tonë, një shtetar si Winston Churchill, i cili besoj që e ka perifrazuar më mirë se kushdo, dallimin mes politikanit dhe shtetarit. Politikan është ai që mendon për zgjedhjet e radhës, shtetari është ai që mendon për gjeneratën e radhës.

Unë mendoj që të rinjve shqiptarë sot, dhe jo vetën të rinjve shqiptarë, besoj që është një sfidë globale, u rrezikohet një e ardhme më e mirë, nëse ne nuk ndërhyjmë sot, me forcë, kundër përdorimit të lëndëve narkotike.

Këtu nuk dua të sjellë një shifër shqiptare. Dua të ndaj me ju një shqetësim të Sekretarit Amerikan, Blinken, i cili në pranverë të këtij viti, ndërsa me porosinë e Presidentit Biden, njoftonte dhe krijimin e një koalicioni botëror kundër drogës, solli një shifër që për mua është shumë domethënëse. Gjatë vitit 2022 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndodhën 110.000 vdekje, për shkak të përdorimit të lëndëve narkotike dhe për shkak të mbidozës, nga të cilat 2/3 e tyre, shkaktohen nga përdorimi i një droge sintetike, opioide, e cila vjen nga Kina, shkon në Meksikë dhe prej aty hyn në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe 2/3 e 110.000 janë shumë, por 110.000 janë shumë, janë më shumë se sa shtetas amerikanë, që kanë humbur jetën gjatë Luftës II Botërore, në përballje me nazizmin.

Natyrshëm që edhe në Europë ka një situatë të ngjashme edhe pse drogat sintetike nuk kanë hyrë ende. Gjatë kësaj vere ne kemi arritur, pra Policia e Shtetit ka arritur të godasë një sërë grupesh kriminale që kanë tentuar apo tentojnë të fusin droga në Shqipëri, përveç atyre që kemi njohur tradicionalisht.

Gjatë operacionit kombëtar “Tempulli” u arrit të identifikoheshin edhe droga, të cilat kanë hyrë në Shqipëri, do e quaja nga vende të sigurta sikurse Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja apo dhe vende të tjera. Prandaj na duhet që në kuadër të këtij koalicioni mbarëbotëror kundër drogës, të kemi dhe ne një mirëkuptim, të gjithë bashkë, që lufta kundër këtij fenomeni t’i tejkalojë ndasitë e vjetra politike.

Ne do të sjellim në Kuvendin e Shqipërisë shumë shpejt ndryshime në kodin penal. Dhe unë besoj që ndjesia e shtetarit duhet të prevalojë mbi nevojën e politikanit. Besoj që deputetët e kuvendit të Shqipërisë, edhe për shkak se kjo kërkon 3/5 e anëtarëve të kuvendit, t’i mbështesin ndryshimet që ne duam mbështetjen tuaj, për të garantuar që çdo keqbërës, shpërndarës lëndësh narkotike, spaçator, që i afrohet shkollave, të marrë një ndëshkim shumë më të ashpër, edhe pse nuk e fsheh që parashikimet në Kodin Penal shqiptar janë ndër më të ashprat, por është rrethanë rënduese.

Ne duhet të garantojmë një perimetër sigurie pranë shkollave, përtej oborrit të shkollës. Nuk është oborri i shkollës perimetri i sigurisë, prandaj kemi ndryshuar qasjen këtë vit shkollor për të futur të gjitha rrugët e rrugicat që rrethojnë shkollat.

Sot në mëngjes, në një prej shkollave më të populluara të Peshkopisë, policia, gjatë ushtrimit të kontrollit, të ri, do ta quaja, për shkak të paketës së sigurisë, sapo ka ndaluar një person i cili është raportuar edhe për shkak të këtij koordinimi të ri, edhe me oficerët e sigurisë në shkolla, gati për të shpërndarë lëndën narkotike të dyshuar, kanabis sativa, te fëmijët.

Ne duhet ta përdorim foltoren e kuvendit, pikërisht, për t’i kërkuar gjithkujt që ka informacione të tilla, t’i ndajë ato me Policinë e Shtetit.

Kam dëgjuar këtu, në pamundësi për të qenë personalisht gjatë atij momenti në sallë, për shkak të ministerialit, “non grata-n” e kësaj salle, teksa, lidhur me operacionin “Tempulli” thoshte që “është një gënjeshtër, nuk janë të vërtetë ato numra”.

Po mirë, tani që gjykata dhe prokuroria dhe në fakt, mund të kem pasur shpesh herë në këtë foltore pakënaqësitë e mia si deputet apo edhe si ministër tashmë, ndaj gjykatave dhe prokurorisë, por në fakt, në këtë rast, shumë mirënjohje dhe shumë falënderim për të gjithë ata prokurorë e gjyqtarë, të cilët konfirmuan ato prova që prezantoi, dokumentoi Policia e Shtetit.

Plot 213 prej tyre janë sot në burg, 19 janë në arrest shtëpie dhe këmba këmbës jemi duke kërkuar edhe 43 të tjerë të cilët janë në kërkim nga policia dhe natyrshëm që do të gjenden dhe do të vendosen para drejtësisë. Dhe 23 grupe kriminale, sot kanë marrë një goditje. Ka mes tyre edhe drejtues të atyre grupeve kriminale. Ndërkohë dua të ndaj me ju informacionin e Europol-it që sapo është goditur një grup i madh kriminal që zhvillonte aktivitetin e vet, sa në Spanjë, sa në Shqipëri. Kur njëri që bërtet dhe që ka pasur nderin e madh të jetë ministër i Brendshëm i Shqipërisë, duhet që ta përshëndesë, kur Policia bën punën e vet./tvklan.al


Read Entire Article