Bardhi: Kuvendi është pushtuar nga forcat e sigurisë. Mazhoranca të fusë në punë arsyen

10 months ago 11
11:04 04/12/2023

Për kreun e Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, nga mazhoranca “nuk ka asnjë reflektim sa i takon respektimit të të drejtave të opozitës”.

“Opozitës i mohohet e drejta për të pasur përfaqësuesit e saj në komisionin e reformës zgjedhore, sipas një pakti që mazhoranca ka bërë për ta lënë këtë çështje në heshtje, për të mos i dhënë mundësi shqiptarëve që në zgjedhjet e ardhshme të votojnë të lirë dhe të kemi zgjedhje të ndershme dhe të drejta”, tha ai në një prononcim për gazetarët.


Në përfundim të seancës e cila mes kaosit e tymuesve edhe këtë të hënë zgjati vetëm 17 minuta, Bardhi u shpreh se salla e Kuvendit e ka humbur misionin e vet të përfaqësimit të popullit dhe qytetarëve, sepse është kthyer sipas tij, në një sallë të pushtuar nga forcat e sigurisë.

“Edhe sot në mëngjes pa ndodhur asnjë akt në Kuvend jemi përballur me rrethimin e deputetëve të opozitës nga forca e sigurisë. Një vend anëtar i NATO-s dhe një vend kandidat i BE, prej kohësh tashmë e ka kthyer në standard zhvillimin e punës në parlament duke i rrethuar deputetët e opozitës dhe mazhorancës me forca sigurie. Pra kjo godinë dhe kjo sallë ka humbur misionin e vet të përfaqësimit të popullit dhe qytetarëve, sepse është kthyer në një sallë të pushtuar nga forcat e sigurisë, që me një urdhër të paligjshëm futen në sallën plenare që pa nisur ajo dhe kryejnë veprime për të penguar në krye të detyrës deputetët e opozitës të futen në atë sallë ku i kanë mandatuar qytetarët shqiptar”.

Deputeti demokrat u shpreh se aksioni i opozitës do të vijojë dhe i bëri apel mazhorancës që “në vend të forcës të fusë në punë arsyen dhe logjikën”.

Ne do të vazhdojmë të qëndrojnë në këtë aksion që kemi ndërmarrë, nuk kemi ndërmend të tërhiqemi, sepse nëse tërhiqemi ne, do të thotë të tërhiqemi nga zbatimi i Kushtetutës, që do të thotë të pranojmë de facto rënien e shtetit të së drejtës. Nuk kemi ndërmend ta bëjmë këtë dhe jemi të vendosur për të vazhduar. Apeli im i vazhdueshëm ka qenë për mazhorancën që në vend të forcës do duhet të fusë në punë arsyen dhe logjikën. Ne nuk kërkojmë t’i imponohemi atyre me forcë, edhe ata nuk mund të na imponohen ne me forcë. Kërkesat tona janë të arsyeshme, ata do duhet t’i kthehen rrugës së arsyes që të kemi mundësi që parlamenti të kthehet në një funksionim normal të tij”./tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article