Bardhi: Seanca plenare e nesërme dhe asnjë komision parlamentar nuk ka për të funksionuar, të respektohen të drejtat e opozitës

11 months ago 27
14:40 01/11/2023

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi shprehet se asnjë komision parlamentar dhe asnjë seancë plenare nuk do të funksionojë normalisht përsa kohë që sipas tij, mazhoranca nuk respekton të drejtat e opozitës.

Gjatë fjalës së tij në një prononcim për gazetarët, Bardhi ka thënë se ajo që po ndodh në Kuvend është një reagim i detyruar i nxitur nga një sjellje e paprecedentë e mazhorancës që sipas tij, i ka mbyllur çdo rrugë opozitës në Kuvend.

Gazment Bardhi: Ajo që ndodh prej ditësh në Kuvend, nuk është vullneti i opozitës së bashku, por reagim i detyruar dhe i nxitur nga një sjelje e paprecedentë e mazhorancës që i ka mbyllur çdo rrugë opozitës në Kuvendin e Shqipërisë. Duhet të respektohet e drejta kushtetuese e deputetëve të opozitës. Duhet të përmbushet detyrimi ndaj realizimit të Reformës Zgjedhore. Kemi bërë propozimet tona dhe mazhoranca duhet të respektojë të drejtën e opozitës që të përfaqësohemi në tryezën e reformës zgjedhore me ato kolegë që duam. Po ashtu është tallje ajo që kryetarja e Parlamentit bën në punët e brendshme të grupit parlamentar të PD-së. Kemi vendosmërinë e grupit për të mos lejuar vijimin normal të Parlamentit derisa opozita të lejohet të kryejë punën e saj. Mazhoranca ta harrojë se do të kryejë veprimtari normale. As seanca e nesërme dhe asnjë komision parlamentar nuk ka për të funksionuar për sa kohë që nuk lejohet të funksionojë opozita. Çdo deputet i Kuvendit është i lejuar të marrë pjesë në veprimtarinë e çdo komisioni parlamentar dhe do të shkojmë për të mos lejuar zhvillimin normal të asnjë komisioni që do të zhvillohet. Mazhoranca të reflektojë dhe të respektojë të drejtat e opozitës./tvklan.al








Të ngjashme

Read Entire Article