Gazment Bardhi: Reforma nuk është bllokuar për shkak të problemeve të brendshme të PD-së. Reforma ka dy vite që nuk bën asgjë. Për shkak të bllokimit që i është bërë punës së Komisioinit, deputetët e opozitës kanë kërkuar riformatimin për ta bërë funksional Komisionin e Reformës Zgjedhore. Unë ndaj të njëjtin qëndrim me Celibashin që reforma zgjedhore duhet të ishte përmbyllur me kohë, duhet të jetë një reformë që adreson shqetësimet e Komisionit të OSBE – ODIHR dhe Venecias.
Detyra jonë është të bëjmë atë që është në interes të qytetarëve. Në interes është një reformë që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Që në 2025 t’i japim shqiptarëve zgjedhje të lira, të ndershme të pakontestuara. Nuk do të heqim dorë nga kjo betejë, sa kohë që është në interes të qytetarëve.
Ne nuk po bojkotojmë parlamentin. Por, jemi duke ndjekur të njëjtën rrugë që ndjek mazhoranca me opozitën, po na pengon të ushtrojmë ato detyra që na kanë ngarkuar qytetarët. Ne e dimë që një ligj i miratuar nga qeveria, vijohet gjithnjë me votat e mazhorancës. Kur një ide sado e mirë është, thuhet nga opozita, ajo nuk merret parasysh. Ne nuk po bëjmë një betejë për veten tonë, po bëjmë një betejë që t’u shërbejë qytetarëve.
Grupi Parlamentar i PD-së është bashkuar në një aksion tërësor kundër qeverisë. PD gjatë këtyre dy viteve ka qenë e ndarë. Ne kemi kuptuar që ndarja e PD e ka dobësuar dhe e ka bërë jofunksionale opozitën. Po shohim mundësitë për të pasur një bashkim. Një projekt të përbashkët të përballjes me qeverinë e korruptuar.
Ka zero rëndësi se kush njeh kë, sa kohë që çështja e legjitimitetit të institucioneve të PD ndodhet ende në gjykatë. Sa të merremi me historinë, duhet të fokusohemi tek ajo që ka nevojë sot Shqipëria. Ka nevojë për një opozitë që përmbush misionin e saj. Janë të gjitha mundësitë nëse secili prej nesh kapërcen interesin personal.
Top Channel