“Basha i gjuajti me llastiqe Berishës”, analistët: Duhet ta kishte vrarë politikisht, pastaj të merrej me Ramën

2 months ago 8
Reklamë

Analistët Ergys Mërtiri dhe Neritan Alibali, të ftuar “Top Talk”, në një diskutim mbi opozitën, kritikuan mënyrën se si Lulzim Basha ka luftuar ndaj kryetarit të tanishëm të PD, Sali Berishës.

Në analizën e tij, Mërtiri thotë se Basha ka qenë në përpjekje të sulmojë Ramën, por në fakt i ka dhënë superioritet Berishës. “Në fakt lufta e Bashës gjatë gjithë kësaj kohe duhet të ishte me Berishën. Pa ‘vrarë’ Berishën, ai nuk mund ta ‘vriste’ dot Ramën”, thotë analisti.

Në mbështetje, Alibali në formë batute thotë se Basha “I gjuajti me llastiqe, nuk e vrau” Berishën.

“Është në stilin e ‘Berishizmit’ që të përhapë shpifje, të sajojë gjëra kot dhe për të përcjellë gjërat që do ajo. Këtë gjë e kemi parë gjatë gjithë kohës. Sigurisht që unë kam shumë rezerva për sa i përket mënyrës se si Basha ka luftuar kundër Berishës. Basha nuk ka dashur të luftojë me Berishën, sepse ka menduar që nuk ia vlen, donte të luftonte kundër Ramës e gjëra të tilla. Në fakt unë besoj se kjo e ka dobësuar Bashën përballë Berishës dhe u pa duke i dhënë Berishës superioritet, sepse ka luftuar me një njeri që s’i përgjigjej dhe është logjike”, analizon Mërtiri.

Ai thotë se Basha duhej të krijonte mundësi që Berisha të mos ngrihej kur e kishte mundësinë dhe kjo është arsyeja që sipas tij nuk arriti ta mposhte.

“Ai e goditi dhe e goditi seriozisht. E hoqi nga partia, e hoqi nga grupi parlamentar. E la që të bënte foltoren, por e ndihmoi Ramën që të vinte në pushtet. Pa ndihmën e Ramës, pa ndihmën e oligarkëve… ne e dimë se si bëhen këto punë. Ne i dimë dhe mediat që kanë qenë në ndihmë të z.Berisha, ne dimë shumë gjëra në këtë vend, se si bëhen punët. Sigurisht që Basha kishte mundësi që përveç plumbit tek, kishte mundësi t’i fuste dhe një breshëri mbrapa që mos të krijonte mundësi që ai të ngrihej. Ai nuk e bëri këtë për fatin e tij të keq dhe për fatin e keq të vendit dhe prandaj jemi këtu“, tha Mëriri në Top Talk.

“Berisha u mbajt me shiringa se i leverdiste kësaj qeverie”, thotë analisti, “që Berisha të ishte aty qoftë si përçarës i opozitës, po qoftë edhe si faktor i cili kurrë nuk rikthehet dot në pushtet. Nuk rikthehet dot në pushtet sepse është super i konsumuar, sepse është ndëshkuar me 1 milionë vota dhe nuk rikthehet dot në pushtet sepse ka gjithë faktorin ndërkombëtar kundër. Berisha është i izoluar dhe një opozitë e izoluar sigurisht që nuk mund ta mundë dot një pushtet autokratik”.

Read Entire Article