Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e konsideron propozimin e forcës së tij politike për reformën zgjedhore si platformën më të mirë në interes të qytetarëve.
Gjatë një takimi me demokratët e Fierit, Basha kërkoi ndihmën e qytetarëve për t’i imponuar mazhorancës përmes debatit publik që të marrë parasysh propozimet jetike të bëra nga PD-ja për lista të hapura, barazinë e votës, votim elektronik dhe votën e diasporës.
T’i vëmë me shpatulla pas murit, duan apo nuk duan ata, tha Basha.
“Pyetja e parë kryesore që shqiptarët kanë, është: kush është platforma për ta bërë këtë. PD vizionin e saj e ka kthyer në realitet në parlamentin shqiptar, me propozimin për reformën zgjedhore. Listat e hapura, kush ka më shumë vota të shkojë në parlament. Barazia e votës, që votat e fierakëve të peshojnë njësoj me kuksianët, dibranët, korçarët, etj. Votimi elektronik që do të zgjidh vonesat e proceseve të numrimit. Dhe e fundit vota e diasporës, që në vitet e fundit është rritur tej mase për shkak të largimeve masive dhe që ka peshën e saj. Cili propozim nuk është i mirë? Ndaj duhet ta imponojmë në debatin publik këto propozime jetike dhe që pakica që është në pushtet të ulet e t’i marrë parasysh. Ta vëmë me shpatulla pas murit, duan apo nuk duan listat e hapura, duan apo nuk duan barazinë e votës, duan apo nuk duan votimin elektronik, duan apo nuk duan votën e diasporës”- tha Basha.
Më tej, Basha ritheksoi mbështetjen e pakushtëzuar të PD-së ndaj drejtësisë së re dhe SPAK-ut për të vënë para drejtësisë të korruptuarit. Sipas kryedemokratit, SPAK nuk është perfekt, por është i vetmi instrument për të vënë para përgjegjësisë të gjithë ata që kanë abuzuar me paratë, pronat dhe pasuritë e shqiptarëve.
“Këta të gjithë janë të zhytur në korrupsion. Kjo është arsyeja se pse i janë turrur SPAK-ut. E them me bindje se PD është në krah të drejtësisë së re, në krah të SPAK-ut që të vënë para drejtësisë të korruptuarit. SPAK nuk është perfekt, por është e vetmja shpresë që do vërë para përgjegjësisë të gjithë ata që kanë abuzuar me paratë, pronat dhe pasuritë e shqiptarëve. Reforma zgjedhore, mbështetja ndaj SPAK dhe programi që do u japë zgjidhje problemeve, janë tre kolonat mbështetëse të PD për t’u kthyer në shpresë për ndryshim për të gjithë shqiptarët”- tha Basha.
Top Channel