Bashkëpunimi me Europol, Balla në Hagë: Ekspertizë me policinë në disa fusha

8 months ago 29
19:19 24/01/2024

Krimi i organizuar dhe procesi i vetëpastrimit të Policisë së Shtetit ishte në fokusin e takimit që ministri i brendshëm, Taulant Balla zhvilloi në Hagë me Drejtoreshën Ekzekutive të EUROPOL, Catherine De Bolle.

Pas diskutimeve të zhvilluara Balla tha se sundimi i ligjit po godet fort sëmundjen e vjetër të lidhjeve të krimit me policinë dhe drejtësinë.

Taulant Balla: Falë shkëmbimit të informacionit me EUROPOL-in ne kemi arritur tashmë të identifikojmë punonjës policie, të cilët janë nën hetim sa i përket qasjes që kanë pasur në aplikacionet e koduara. Po ashtu do të vazhdojmë ta shkëmbejmë këtë informacion në mënyrë të përditshme dhe vijuese me qëllim që t’i shkojmë në fund këtij procesi vetëpastrimi të Policisë së Shtetit.

Duke iu referuar të ardhmes dhe forcimit akoma më shumë të goditjes ndaj grupeve kriminale, Balla tha se Europol do ofrojë ekspertizë për policinë shqiptare në disa fusha.

Taulant Balla: Kemi rënë dakord me Drejtoren Ekzekutive të Europol për të marrë ekspertizë kryesisht në fushën e krimit kibernetik, aty ku duket qartë që do të jetë dhe sfida e madhe jo vetëm e jona, por edhe vendeve të tjera përfshirë vendet e BE.

Në vitin 2024 Europol pritet të zhvillojë 120 operacione të përbashkëta ku Shqipëria do të jetë pjesë e rëndësishme e zbatimit të tyre në territorin europian, pra jo vetëm në Shqipëri por edhe në një pjesë të rëndësishme të vendeve anëtarë të BE.

Tv Klan


Të ngjashme

Read Entire Article