Batatina: Nuk më shqetëson humbja ndaj Ballkanit, djemtë dhanë maksimumin

11 months ago 27
Reklamë

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka folur pas ndeshjes duke thënë se atë nuk e shqetëson humbja ndaj Ballkanit.

Llapi pësoi humbje në udhëtim me rezultat 2-1 ndaj Ballkanit këtë të shtunë, në kuadër të javës së tetë në elitën e futbollit kosovar.

“Jam i kënaqur me luftën e pakompromis që bëmë deri në fund. Pavarësisht disfatës, gjatë rrugëtimit e kemi ditur se do të mposhtemi. Nuk më brengos që humbim. Në pjesën e parë u bë diferenca individuale. Gripshi bëri diferencën. Taktikisht, Ballkani nuk kishte asnjë shans për të bërë gol. Në pjesën e dytë, ndryshova vendosjen taktike. Pranuam një gol nga pakujdesia. Po të ishim pak më të vëmendshëm, do të mund ta realizonim edhe golin e barazimit”, ka thënë fillimisht Batatina.

Tutje, ai përmend mungesat e Hamdi Namanit dhe Ergyn Ahmetit si shumë të rëndësishme dhe deklarohet se ky do të jetë viti i Llapit.

“Llapi ka krijuar skuadër të mirë, cilësore. Mungesa e Hamdi Namanit dhe Ergyn Ahmetit janë mungesa të mëdha. Edhe Valmir Veliu është pjesë e jona. Shpresoj që ai të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës. Djemtë dhanë maksimumin. Ballkani u fut në 20-metërshin e fundit, por neve na mungoi qetësia. Sivjet do të jetë viti jonë, viti i Llapit, sepse kemi super skuadër”, shtoi ai.

Në fund, Batatina u shpreh se se ekipi i tij ka potencial për të rivalizuar Ballkanin deri në fund për titullin kampion.

“Kemi qenë të kujdesshëm për të ardhur deri te finalizimi. Nga minuta e 70-të e kemi ditur se Ballkani nuk mund ta mbajë ritmin e lojës për shkak të ngarkesës. E humb freskinë. Pakujdesia te goli i dytë na penalizoi. Nga minuta e 70-të, gjithçka është luajtur në zonën e Ballkanit. Ne mendojmë për ndeshjen e radhës. Kemi potencial për të luftuar me Ballkanin deri në fund”, përfundoi tekniku llapjan.

Pas kësaj humbje, Llapi e gjen veten në pozitën e dytë në tabelën e klasifikimit me 16 pikë të tubuara, teksa xhiron e radhës do të jetë nikoqir i Lirisë në “Zahir Pajaziti”./Telegrafi/

Read Entire Article