BE-ja kërcënon Kosovën me sanksione të reja, profesori zbulon “planin B”, që rrezikon seriozisht Kosovën!

1 month ago 14
Reklamë

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano, tha të enjten se blloku mund të shtojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, nëse administrata në Prishtinë vazhdon me veprime të njëanshme e të pa bashkërenduara, në veriun e banuar me shumicë serbe.

“Masat u vendosën vjet për faktin se shumëçka po ndodhte që çonte në përshkallëzim dhe në vend të hapave që çonin drejt depërshkallëzimit janë ndërmarrë edhe më shumë hapa të njëanshëm që çojnë në përshkallëzim nga ata njerëz. Ne e kemi thënë atëherë se këto masa mund të zgjaten apo të hiqen pavarësisht zhvillimeve të situatës. Pra, çfarë do të bëjmë? Kemi masa në fuqi dhe këto masa mund të shtohen nëse akterët evropianë pajtohen se ato duhet të shtohen”, ka thënë Stano.

Pas kësaj deklarate ka pasur reagime të shumta, lidhur me masat që mund t’I shtohen Kosovës. Edhe Qeveria e Kosovës ka dalë me një reagim, duke thënë se për masat e BE-së ndaj Kosovës është dëshmuar se kanë qenë të padrejta.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se shtimi i tyre vetëm do ta thellonte padrejtësinë.

“Masat nuk janë zgjidhje. Koha e ka dëshmuar që masat e BE-së ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta. Ato vazhdojnë të jenë të tilla për aq kohë sa janë në fuqi. Shtimi i tyre vetëm sa do ta thellonte padrejtësinë. Në anën tjetër shtrohet pyetja çfarë masa ndërmorri BE ndaj Serbisë e cila pas sulmit terrorist dhe paramilitar shpalli Ditë Kombëtare Zie për tre terroristët e vrarë në Banjskë, kreun e të cilëve, Millan Radoiçiq e strehon dhe financon?”, ka thënë Kryeziu.

‘Bota sot’ ka zhvilluar një bashkëbisedim me njohësit e politikës së jashtme, lidhur me atë se si komentohet kjo deklaratë, ҫfarë masash të tjera mund t'i vendosen Kosovës nga BE-ja dhe pse nuk po lejohet ushtrimi i sovranitetit të shtetit duke e bërë Kosovën si një vend me status ende të pazgjidhur?

A po shkojmë drejt imponimit të Asociacionit me kompetenca ekzekutive pavarësisht premtimeve se ky organ nuk do të ketë kompetenca të tilla?

Bytyҫi: Duket qartë se Stano nuk e njeh shtetin e Kosovës!

Image

Prof.Dr. Enver Bytyҫi

Lidhur me këto ҫështje, ka folur Prof.Dr. Enver Bytyҫi, duke thënë se, Peter Stano është zëdhënës i zotit Borrell dhe ai në gjithçka që thotë përcjell opinionin e Shefit të Politikës së Jashtme dhe për Siguri të BE-së.

“Kjo është arsyeja pse unë personalisht shqetësohem për deklaratat e tij kërcënuese kundër Kosovës. Në deklarimin e së enjtes ai sërishmi kërcënoi se BE do të shtojë sanksionet kundër Kosovës “nëse administrata e Prishtinës vazhdon me veprime të njëanshme e të pabashkërenduara në veriun e banuar me shumicë serbe”! Brenda kësaj fjalie të tij duhen sqaruar disa nocione:

Së pari çdo të thotë “Administrata e Prishtinës”! Pse nuk flet për qeverinë e Republikës së Kosovës? Duket qartë se Stano nuk e njeh shtetin e Kosovës! Ndaj përdor të njëjtën logjikë diskursi, si edhe Beogradi. Që do të thotë se zëdhënësi i BE-së dhe shefi i tij, Borrell, janë palë me Serbinë dhe kundër Kosovës. Kur Kosova dhe Serbia janë ulur të bisedojnë më 2011-ën ato u ulën si palë. Me presionin e Serbisë u vendos një fusnotë. Por sërishmi Kosova përmendej si shtet i pavarur edhe pse me fusnotë. Tani as fusnota nuk bën punë për përfaqësuesit e Serbisë në Bruksel. Duan që së paku për veriun ta paraqesin Prishtinën si agresore. Kur nuk thonë administrata e dhunshme e Prishtinës.

Por së dyti, këtë termin “administratë e dhunshme të Prishtinës” Stano e paramendon kur akuzon për veprime të njëanshme e të pabashkërenduara. Çfarë do të thotë “zë njëanshme e të pabashkërenduara”? Do të thotë se Stano gjykon mbi bazën e logjikës se “Qeveria e Kosovës është e huaj për serbët e veriut të Kosovës”! Më së paku Stano do të thotë se “veriu i Kosovës është problem i Prishtinës po aq sa edhe i Beogradit”! Këtë kuptim ka edhe kërkesa e tij dhe e Joseph Borrell që çështje të tilla si hapja e urës, mbyllja e qendrave postare serbe në veri, ashtu si dikur edhe targat, dokumentet, simbolet e Kosovës në veri, përdorimi i monedhës etj”, thekson profesor Bytyҫi.

Bytyҫi: I vihet sanksione një vendi si Kosova, pse ajo mbron sovranitetin e saj

Tutje, ai thotë se në deklaratën e Peter Stanos dallohet qartë se ai dhe shefat e tij, Kosovën e konsiderojnë të varur e jo të pavarur. Statusin e saj e konsiderojnë të padefinuar.

“Ata që ne që themi të vërteta të tilla na thonë “anti-europianë”, apo anti-amerikanë”, i ftoj që të argumentojnë të kundërtën e kësaj që shpjegova më lart. Vetëm në diktaturë pohimi i së vërtetës konsiderohet akt armiqësor ndaj diktaturës, në rastin konkret ndaj diktaturës euro-amerikane”, vlerëson ai.

Ndërkaq, sa i përket masave ndëshkuese që janë paralajmëruar, ai thotë se si mund t’i vihen sanksione Kosovës, derisa po përpiqet të mbrojë sovranitetin e vet. Këto sanksione thotë se më pas votohen nga shtetet europiane që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Tani të vijmë te sanksionet. Ato që shpjegova më lart janë shkaku dhe arsyetimi i sanksioneve që BE i ka vendosur Kosovës, sanksione të cilat Stano dëshiron t’i forcojë. Këta që tolerojnë një Bjellorusi në zemër të Ballkanit e të Europës dhe kësaj Bjellorusie ballkanike (Serbisë) nuk guxojnë t’ia përmendin sanksionet, janë pikërisht këta që kërcënojnë viktimën serbo-bjello e ruse, Kosovën! Që këtu shkelmohen predikimet europiane nga vetë zëdhënësi i politikës së saj. Shkelmim i tmerrshëm! I vihet sanksione një vendi si Kosova, pse ajo mbron sovranitetin e saj. Dhe këto sanksione i votojnë shtetet europiane që e kanë njohur pavarësinë e saj?! Zot na ruaj! Dhe nëse kësaj ne i themi intrigë, kurth, vrasje e Kosovës pas shpine, atëherë na thonë anti-europianë! Nga ana tjetër vendosin sanksione se qeveria e Kosovës dëshiron të hapë Urën e Ibrit! A ka rast në botë që të ndëshkohet hapja e një ure bashkëpunimi, mirëbesimi, respekti, ndërmjetësimi?! Nuk ka. Po pse ndodh kjo, sipas Peter Stanos? Sepse Stano e shefat e tij kanë në projekt ndarjen e Kosovës. Hapja e urës integron komunat e veriut me ato të jugut. Integron serbët e veriut në institucionet e Kosovës. Pikërisht këtë përpiqet Peter Stano me kërcënimin e tij ta parandalojë! Po kujt i intereson mbajtja e urës mbyllur e mos-integrimi i serbëve ne institucionet e Kosovës? Dihet: Beogradit, Serbisë, Aleksandër Vuçiq i intereson! Atëherë Stano me kërkesat, presionin dhe kërcënimet e tij është vënë në shërbim të Serbisë dhe kundër Kosovës. Ai e di se Serbia nuk bie dakord për hapjen e urës dhe ndërkohë kërkon që çështja të zgjidhet përmes dialogut në Bruksel. Sikur është atribut i Brukselit për çfarë të bjerë ose jo presidenti i Serbisë ne ujdi”, thekson profesori.

Ai thotë po ashtu, se deklarata e zëdhënësit të BE-së shkon në të njëjtën linjë me atë të ambasadorit amerikan në Prishtinë dhe të zëdhënësit të Departamentit të Shtetit.

“Për mua (uroj të jem shumë, shumë i gabuar) ky rekordim është i rrezikshëm. Gjykoj se ka një Plan B për Kosovën. Po quaj Plan A njohjen e Kosovës nga Serbia dhe respektimin nga ana e saj të sovranitetit shtetëror të saj. Por nëse nuk arrihet kjo dhe nuk ka gjasa të arrihet, atëherë do të dalë nga sirtari sërishmi Plani tjetër, që po e quaj B, i cili ka të bëjë me ndarjen e Kosovës. E di se ka nga ata që do më pyesin si gjithnjë, nga e dini ju këtë! Njerëzit janë pajisë me tru, për të kuptuar dhe parandaluar të këqijat që i kërcënohen. Dhe të këqijat që të kërcënojnë nuk parandalohen pasiqë ato ndodhin. Njerëzit që e duan atdheun nuk presin që të firmoset ndonjë marrëveshje për ndarjen e Kosovës e më pas të flasin e kritikojnë. Sepse mendja pas kuvendi dhe pushka pas lufte nuk kanë vlerë”, vlerëson Prof.Dr. Bytyҫi për ‘Bota sot’.

Ҫipa: Retorika e Bashkimit Europian për masa të shtuara ndëshkuese ndaj Kosovës është e pavend

Image

Akri Ҫipa

Po ashtu, për ҫështjen e shtimit të masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, ka folur edhe eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Akri Ҫipa.

Ai thotë se ky deklarim i BE-së, është i pavend, ndërsa më paradoksale është kur e krahasojmë qëndrimin e Brukselit lidhur me sulmin terrorist në Banjskë.

“Retorika e Bashkimit Europian për masa të shtuara ndëshkuese ndaj Kosovës është e pavend, duke marrë parasysh dhe sa të pavenda ishin masat ndaj Prishtinës zyrtare në rradhë të parë. Kjo tablo është edhe më paradoksale, kur e krahasojmë me qëndrimin e Brukselit zyrtar për trysninë që duhet të kishte ushtruar ndaj Serbisë pas sulmit terrorist në Banjskë dhe vënies përpara përgjegjësisë se kriminelëve që gjetën strehim në Serbi”, vlerëson ai.

Eksperti thotë për ‘Bota sot’ se, ‘Qeveria e Kosovës ka të drejtë kur refuzon premisën e Bashkimit Europian për ta trajtuar dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, një dialog i presupozuar strategjik dhe i nivelit të lartë, si një shportë ku mund të trajtohet gjithfarë çështeje e rëndomtë dhe banale’.

“Thënë kjo, nismat e nxituara dhe të pakoordinuara me partnerët strategjikë nuk sjellin benefite. Përkundrazi, rrezikojnë të kthehen në kosto afatgjata, pavarësisht përfitimeve afatshkurtra që mund të krijojnë. Izolimi diplomatik është nga ato lloj kostosh që Kosova nuk e merr dot përsipër, prandaj nevojitet një tjetër qasje në raport me disa nga partnerët, përtej debateve për çështje specifike të ditës”, vlerëson ai.

Read Entire Article