Si kundërpërgjigje ndaj agresionit rus në Ukrainë, Bashkimi Evropian ka prezantuar sot masën shtesë kufizuese kundër një personi dhe një kompanie përgjegjës për veprime që cenojnë ose kërcëojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës.
Bëhet fjalë për PJSC Alrosa dhe drejtorin ekzekutiv të saj Pavel Alekseevich Marinychev. PJSC Alrosa është kompania më e madhe e minierave të diamanteve në Rusi që është në pronësi të shtetit rus, dhe është pjesë e rëndësishme e sektorit ekonomik që po i siguron të ardhura të konsiderueshme qeverisë dhe Federatës ruse, transmeton Telegrafi.
Me këtë masë kufizuese nënkuptohet ndalimi i importit të diamanteve rusë, si pjesë e paketës së 12-të të sanksioneve ekonomike dhe individuale të miratuar më 18 dhjetor 2023 si kundërpërgjigje ndaj agresionit rus në Ukrainë.
Ndalimi i diamanteve ruse është pjesë e një përpjekjeje të G7 për të zhvilluar një ndalim të koordinuar ndërkombëtarisht të diamanteve, që synon të privojë Rusinë nga ky burim i rëndësishëm të ardhurash.
Për këto ndalesa të deritanishme ka patur reagime të ashpra nga shumë rusë, siç është Roman Abramovich që kishte apeluar këtë vendim, por që me urdhër të gjykatës evropiane ato mbeten në fuqi. /Telegrafi/