Begaj kthen në parlament Ligjin për Shtetësinë

11 months ago 30
13:58 24/10/2023

Amendamentet nuk morën 84 votat siç parashikon Kushtetuta

Presidenti Begaj ka kthyer për rishqyrtim në parlament ndryshimet e mazhorancës socialiste në Ligjin për Shtetësinë, me argument kryesor faktin se amendamentet nuk morën 84 votat siç parashikon Kushtetuta. Nga procesverbali i seancës plenare të datës 21.9.2023 dhe të dhënave të votimit elektronik, nga Presidenca konstatohet se miratimi i amendamenteve kanë në parlament jo më shumë se 79 vota.

“Për një ligj për të cilin Kushtetuta ka parashikuar miratimin me shumicë të cilësuar, konkretisht 84 vota, këto amendamente nuk e kanë marrë numrin e kërkuar të votave dhe nuk mund të quhen të miratuara. Në procesin e kontrollit kushtetues, konstatimi i shkeljeve procedurale, të cilat bien ndesh me një dispozitë kushtetuese (shkronja “b” e pikës 2 të nenit 81 të Kushtetutës) është shkak i vetëmjaftueshëm për kthimin për shqyrtim të ligjit. Për nga përmbajtja dispozitat e reja nuk bien në kundërshtim me dispozitat substanciale të Kushtetutës. Dispozitat e ligjit sipas presidentit kryesisht krijojnë lehtësira për marrjen e shtetësisë shqiptare, masa dhe lloji i të cilave është në gjykimin sovran të Kuvendit”.

Në argumentet e saj, Presidenca thekson se këto lehtësira në Ligjin për Shtetësinë vlen të analizohen edhe në kontekstin e Konventës Evropiane për Shtetësinë, e cila është Konventë e Këshillit të Evropës, si dhe në kontekstin e raportit që krijojnë me parimin e barazisë para ligjit. Fitimi i shtetësisë me natyralizim sipas Konventës, thekson Presidenti Begaj, ka si kusht të detyrueshëm qëndrimin në mënyrë të ligjshme dhe të vazhdueshme për një periudhë të caktuar përpara depozitimit të aplikimit. Kohëzgjatja e periudhës së rezidencës varet nga vullneti i ligjvënësit. Konventa, nga ana e saj, kërkon vetëm që kjo kohëzgjatje të mos jetë më e madhe se dhjetë vjet.

Me ndryshimet e miratuara në ligjin “Për shtetësinë” nga Kuvendi i Shqipërisë u krijua mundësia që qytetarët e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë Gjuhën Shqipe si gjuhë zyrtare, të mos i nënshtrohen një testi për gjuhën dhe historinë shqiptare për të përfituar nënshtetësinë.

Ministri Balla tha në atë seancë që me ndryshimet e reja ligjore ju krijohet mundësia talenteve që kanë lindur e jetojnë jashtë Shqipërisë që të mund të aktivizohen për ekipet e moshave të kombëtares sonë kuq e zi të pajisen me pasaportën shqiptare edhe kur nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç.

Po kështu fëmijët e lindur në Shqipëri nga prindër të huaj me ndryshimet në ligjin për shtetësinë mund të marrin shtetësi shqiptare, me kusht që prindërit të japin pëlqimin e tyre, kur mosha e tij është nën 18 vjeç. Ky është rasti i parë i kthimit nga Presidenti Begaj të një ligji të miratuar nga mazhoranca socialiste që e ka zgjedhur atë në detyrën e kreut të shtetit. Në rastet e paraardhësit të tij socialistët i kanë rrëzuar gjithnjë në bllok argumentet e juristëve të presidencës. Pritet të shihet nëse në këtë rast ata do të marrin parasysh ndonjë nga sugjerimet e stafit të Begajt.

Tv Klan








Të ngjashme

Read Entire Article