Begaj merr pjesë në Samitin e Brdo-Brione: Integrimi përshpejtohet me bashkëpunim rajonal! Osmani dhe Vuçiç ulen në një tryezë

1 year ago 60
Reklamë

Samiti i Radhës i Bërdo-Brijunit u ndal në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Presidenti Stevo Pendarovski mikpriti një e nga një të gjithë krerët e shteteve të Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Kroacisë, Sllovenisë, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Në një komunikim për mediat, Presidenti Bajram Begaj tha se ky takim vjen në një moment delikat për gjeopolitikën për shkak të agresionit rus mbi Ukrainën, teksa rajoni po përballet edhe me sfida të tjera që lidhen me emigrimin apo të rinjtë. Kreu i Shtetit u shpreh se ishte optimist që objektivi strategjik për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, anëtarësimi në BE do të bëhet realitet.

“Ky takim i sotshëm vjen në një moment të rëndësishëm siç e dimë, nga situata gjeopolitike, e cila është e lidhur me agresionin rus në Ukrainë. Të qenurit bashkë për të diskutuar rreth sfidave të cilat duhet të përballojnë vendet e Ballkanit Perëndimor është një gjë jashtëzakonisht e rëndësishme. Sfidat janë gati të njëjtat në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe çështjet që u trajtuan gjatë këtij samiti kishin të bënin me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kishte të bënte me disa çështje më sensitive për popujt tanë që janë të lidhura me rininë, me emigrimin, dhe po ashtu me sfidat e lidhura me ndryshimet klimatike” – tha Presidenti Begaj. Ndërsa presidentja Vjosa Osmani e ulur në një tryezë me presidentin serb, shprehu angazhimin se Kosova do të vijojë të luajë rol aktiv për të kontribuar në të ardhmen e rajonit. Osmani e njoftoi homologun Pendarovski lidhur me hapat e ndërmarrë për deeskalimin e situatës në veri dhe kërkoi përgjigje të unifikuar kundër përpjekjeve destabilizuese të satelitëve të Rusisë si dhe kundër grupeve të krimit të organizuar.

“Falenderoj Presidentët Pendarovski, Musar dhe Milanoviq për mirëseardhjen e tyre në fillim të takimit të liderëve të proçesit Bërdo-Brione. Kosova ka rol aktiv në formësimin e së ardhmes së rajonit dhe kontribut përmbajtësor për rrugën e përbashkët euro-atlantike”, shkroi Osmani në Facebook.

Në fund të takimit krerët e Shteteve të Procesit të Brdo-Brijunit miratuan një deklaratë të përbashkët, duke nënvizuar nevojën e përshpejtimit të procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimin dhe koordinimin për përballimin së bashku të efekteve nga ndryshimet klimatike, si dhe krijimin e projekteve dhe të programeve të përbashkëta për zbutjen e efekteve të emigrimit të të rinjve nga vendet e rajonit. Procesi i Bërdo-Brijunit është një nismë maqedonase, sllovene e kroate, e ndërmarrë në vitin 2010 nga Borut Pahor, asokohe kryeministër i Sllovenisë.

Read Entire Article