Begaj: Në Kuvend ballafaqohen ide, jo luftë! Rikthejuni bashkëpunimit parlamentar dhe rigjeni qëllimin e humbur

9 months ago 35
18:34 15/01/2024

Fjalimin që duhej ta mbante në parlament, Presidenti Bajram Begaj e dha nga institucioni i Presidencës, duke qenë se deputetët demokratë bllokuan foltoren.

Begaj iu drejtua deputetëve që të riorientojnë dialogun për të mirën e përbashkët, të rikthejnë bashkëpunimin parlamentarë dhe të rigjejnë qëllimin e humbur. Ai u shpreh se Kuvendi është skena e ballafaqimit të ideve dhe jo arena e luftës ndaj kundërshtarit.


Bajram Begaj: Jam i bindur se deputetët dhe klasa politike mund të gjejë forca që konfliktin politik ta zëvendësojnë me bashkëpunim konstruktiv, përçarjen ta këmbejnë me frymën e shenjtë të parlamentarizmit demokratik dhe shtetit të së drejtës pa shuar debatin që institucionet e shtetit të forcohen. Në demokraci përballja e ideve brenda kornizës së respektit për tjetrin dhe vetëpërmbajtja janë domosdoshmëri. Prandaj debati lipset konstruktiv. Kuvendi është skena e ballafaqimit të ideve, jo arena e luftës ndaj kundërshtarit. Është dora e shtrirë ndaj kompromisit dhe dialogut. Sesioni i kaluar i Kuvendit fatkeqësisht shpenzoi më shumë kohë për axhenda joparlamentare sesa për çështje madhore për vendin. Koha e humbur në theksimin e ndasive nuk kthehet më. Ky sesion i ri parlamentar është një mundësi e re për ju deputetë që të riorientoni dialogun për të mirën e përbashkët, interesin kombëtar dhe konsolidimin e pozitave të Shqipërisë në rajon, me BE-në dhe aleatin tonë strategjik, SHBA-në. Ndaj uroj t’i riktheheni bashkëpunimit parlamentar dhe të rigjeni qëllimin e humbur. Të gjithë ne shqiptarët i kemi sytë nga ju. Përveç rolit të ligjbërësve keni rolin e rëndësishëm të modeleve në shoqëri.

Duke folur për sfida e reja të këtij sesioni, Begaj u shpreh se ato kërkojnë përkushtim, atdhedashuri dhe kthjelltësi nga të gjithë.

Bajram Begaj: Jam i vetëdijshëm se axhenda politike e këtij sesioni kuvendor është e mbushur me sfida. Siguria, drejtësia, arsimi, shëndetësia, rritja e mirëqenies në të gjitha shtresat e popullsisë, demografia, mjedisi, drejtësia sociale janë sfida që kërkojnë përkushtim, atdhedashuri dhe kthjelltësi. Koha nuk pret. /tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article