Begaj në OKB: Njihni Pavarësinë e Kosovës

11 months ago 25
Reklamë
Bajram Begaj
00:01 22/09/2023

Presidenti: Shqipëria ka mbështetur gjithmonë paqen mbi tensionet dhe konfliktet

Nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, Presidenti shqiptar Bajram Begaj deklaroi se Shqipëria mbetet e përkushtuar për garantimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.

“Gjatë gjithë historisë sonë, Shqipëria i është përmbajtur një politike të marrëdhënieve të miqësisë dhe fqinjësisë së mirë. Jemi thellësisht të shqetësuar  për krizat e herëpashershme që përsëriten në marrëdhëniet mes fqinjëve. Si Shqipëria, ashtu edhe Kosova kanë mbrojtur vazhdimisht paqen mbi tensionet dhe konfliktet, dhe ne mbetemi të përkushtuar në këtë rrugë. Shpresojmë të njihen kontributet tona dhe të mos lejojmë që përpjekjet që bëjmë të errësohen nga qasjet negative”.

Gjatë fjalës së tij, Begaj tha se Shqipëria mbështet dialogun e vështirë, që po vijon midis Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga ndërmjetësimi i kujdesshëm i Bashkimit Evropian dhe mbështetja e fortë e Shteteve të Bashkuara. E në këtë pikë ai kërkoi nga vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë këtë.

“Gjithsesi Kosova është ende në pritje të njohjes së pavarësisë së saj nga shumë vende. Shpresoj që këto vende së shpejti do ta njohin kontributin e Kosovës për një komunitet global më të drejtë, më paqësor dhe do t’i japin Kosovës njohjen që meriton. Njiheni Pavarësinë e Kosovës!”

Presidenti Begaj tha se Shqipëria pret me padurimin samitin e ardhshëm BE-Ballkan Perëndimor që do të mbahet në Tetor, në Tiranë, ndërsa shtoi se vendi ynë është i përkushtuar për transformimin e rajonit në një shembull besimi dhe partneriteti që kapërcen kufijtë dhe komunitetet.

Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Begaj u takua me presidentin e SHBA Xho Bajden. “Miq dhe partnerë, të lidhur nga një aleancë vlerash”, shkroi Presidenti krah fotos me presidentin Biden. Presidenti i Republikës, u takua edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, António Guterres.

Klan News


Të ngjashme

Read Entire Article