Begaj, pritje për 111-vjetorin e Pavarësisë: Politika të udhëhiqet nga interesi kombëtar

10 months ago 18
23:37 28/11/2023

Pritjen zyrtare me rastin e 111-vjetorit të Pavarësisë së vendit, Presidenti Bajram Begaj e shfrytëzoi për të dhënë mesazhe të qarta për politikën shqiptare. Nisur edhe nga situata që po shoqëron punimet e Kuvendit prej disa javësh kreu i shtetit i bëri thirrje klasës politike që të punojë për interesat e shqiptarëve.

“Shqipëria nuk ndërtohet me indiferentizëm dhe pasivitet. Bëj thirrje për përfaqësuesit e shqiptarëve në Kuvend që kokëulur të punojnë për një Shqipëri që sundohet nga ligji. Në jetën tuaj parlamentare të udhëhiqeni nga interesi kombëtar, nga respekti dhe jo mllefi dhe mbi të gjitha nga përgjegjësia mbi të ardhmen”.

Në prani të Kryeministrit Edi Rama, Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, përfaqësuesve të klerit, por edhe ambasadorëve të huaj të akredituar në vendin tonë, kreu i shtetit vlerësoi gjithashtu rolin e faktorit shqiptar në stabilitetin e rajonit, ndërsa vuri theksin te bashkëpunimi me Kosovën.

“Kemi fatin të kemi dy shtete shqiptare në rajon. Bashkëpunimi me Kosovën duhet të jetë sa më i ngushtë dhe përplotësues. Kemi edhe më shumë për të bërë për t’u ngritur në nivelin e pritshmërive të qytetarëve tanë. Faktori shqiptar ka dalë në një dritë të re në marrëdhëniet rajonale dhe ndërkombëtare”.

Sipas kreut të shtetit angazhimi diplomatik duhet të ecë paralelisht me përmirësimin e jetës politike brenda dhe jashtë vendit.

Tv Klan


Të ngjashme

Read Entire Article