Beleri kërkesë GJKKO: Po i detyroni njerëzit të ndahen në grekë e jo grekë. Jepni një vendim, tregoni integritet

10 months ago 10
17:11 11/12/2023

Kryebashkiaku aktual i Himarës Fredi Beleri i ka drejtuar një kërkesë zyrtare Gjykatës së Posaçme.

Në hyrje të saj ai thekson se shtyrjet e seancave gjyqësore po e dëmtojnë atë jo vetëm në aspektin profesional, por edhe atë familjar e personal.

“Po shkaktoni një reagim të përgjithshëm armiqësor, po i detyroni njerëzit të ndahen në grekë e jo grekë, duke dëgjuar Kryeministrin dhe shpurën e tij çdo ditë, që e banalizojnë reagimin e Greqisë si personal. Unë Fredi Beleri me ndërgjegje mora përsipër të kandidoj për kryetar bashkie në Himarë, pasi kisha testuar më parë besimin e bashkëqytetarëve të mi. Nuk e kisha parashikuar reagimin e Kryeministrit dhe nuk kisha asnjë përgatitje shpirtërore as unë, as familja ime, për të përballuar fjalorin e tij denigrues ndaj meje. Megjithatë mbështetja e bashkëqytetarëve të mi më dha forcë për të vazhduar. Janë një grup të rinjsh me besim te e ardhmja, që më kanë dhënë mbështetje gjatë fushatës dhe aktualisht, që jam i paraburgosur, është mbështetja e bashkëqytetarëve të mi, që më jep forcë të duroj qetësisht. Por, këto që po ndodhin në këtë gjykim vetëm po mbajnë me bukë analistë dhe të paditur por çakenj, dhe nuk i shërbejnë drejtësisë apo të përditshmes së shqiptarëve”, thotë Beleri në shkresë.

Ai flet më tej dhe për gjyqtarët që janë marrë me çështjen e tij.

“Gjyqtar Bekteshi në Durrës jep dorëheqjen se ka gjykuar shumë grekë dhe ky gjyqtar kam dëgjuar që do të shkojë në Gjykatë të Lartë. Ky gjyqtar i ndan njerëzit që gjykon në grekë dhe shqiptarë, në shekullin e 21-të, dhe e shkruan këtë mendim publikisht pa turp. Meqë ka gjykuar shumë “grekë” nuk gjykon çështjen time, por meqë ka gjykuar shumë shqiptarë, ky zoti Bekteshi pse nuk jep dorëheqjen nga detyra?! Gjyqtarja Garxenaj jep dorëheqjen për ndjenjat personale të saj për një ngjarje që ka ndodhur kur ajo ose nuk kishte lindur ose ka qënë motake, dhe nuk ka lidhje me gjykimin e kësaj çështjeje. Gjykata e lartë mezi e nxori datën e kësaj çështjeje pas disa kërkesave dhe nxori një vendim që nuk është shqip. Më në fund pas 4 muajsh xhiro nëpër gjykatat e reformuara, juve i luteni drejtorit të burgut të shtyjë seancën të verifikojë në Postë kur ia kanë dhënë avokatit shkresën, kur ai vetë thotë që nuk ka si ta gjejë se nuk punon në Postë po në burg. Avokati thotë që keni zarfin në dosje ku jane vulat e postës. Po pse me procedurë doni të shpëtoni nga kjo dosje??? m. Gjyqtari Pëllumbi e thote hapur ne vendim, ne paragrafin 30, 31, nuk ia zëvendësoj masën se po doli do behet kryetar bashkie, sikur punon në Kryeministri, jo në gjykatë. Ky gjyqtar ka dy muaj që mban zvarrë një kërkesë tjetër timen, që duhet të kishte dhënë vendim për 15 ditë. Gjeti mekanizmin ta cojë në Gjykatë Kushtetuese, t`ju japë juve të posaçmëve imunitet. Nuk e di pse ky gjyqtar dhe gjyqtari Kalaja kanë pritur kërkesat e mia të kujtohen për të dërguar dosje në Gjykatën Kushtetuese, se edhe ai e filloi një rrugë të tillë.”

Beleri e konsideron të gjithë procesin gjyqësor ndaj tij “me direktiva të kryeministrit Edi Rama.” Ai kërkon me ngulm marrjen sa më shpejt të një vendimi final për të.

Kujtojmë se Fredi Beleri u arrestua 2 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të 14 Majit dhe akuzohet për “Korrupsion në zgjedhje”./tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article