Berisha: Akuza pa bazë, të sajuara nga Rama. SPAK është kthyer në një seksion te PS

11 months ago 49
23:39 21/10/2023

Sali Berisha ishte i prerë në përgjigjen e tij për akuzat e ngritura ndaj tij nga SPAK për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.

“Lidhur me këto akuza, deklaroj që në krye se janë absolutisht pa asnjë bazë dhe sulme të ulëta, të mirëfillta politike të Edi Ramës dhe jo vetëm atij”.

Arsyet Sali Berisha i gjen tek aksioni politik që tha se opozita ka nisur në parlament ndaj kryeministrit Rama.

“Asnjë manipulim, asnjë veprim i paligjshëm dhe asnjë drejtësi e instrumentalizuar nuk do mund të ndalojë qëndresën dhe betejën pa kthim të opozitës deri në fitoren e plotë të kauzës së saj”.

Sipas ish-Kryeministrit vendimi i marrë ndaj tij është në shkelje të Kushtetutës.

“Në kundërshtim me Kushtetutën, i cili përcakton se liria e deputetit në çdo formë lëvizje, nuk mund të cenohet pa miratimin e parlamentit. Por duke qenë autor i një propozimi të tillë në vitin 2012, që ky nen të hiqet, unë pranoj plotësisht sfidën”.

Politik e cilësoi edhe arrestimin e dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, i cili tha se nuk është thirrur asnjëherë në prokurori.

“Dhe pikërisht se nuk kanë gjetur dot asnjë shkelje të vetme, asnjë shkelje të vetme, nuk kanë guxuar ta thërrasin kurrë në prokurori, por kanë preferuar të shpërndajnë lajme të rreme, me gazetarë të keqpërdorur të oborrit qeveritar, gjoja për abuzime”.

Lidhur me privatizimin e ish-kompleksit Partizani tha se është një proces i nisur para se ai të vinte në qeveri dhe se për të ka firmosur edhe vetë Rama.

“Klubi Partizani nuk është nxjerrë nga plani i përhapjes së Forcave të Armatosura me propozimin e Sali Berishës, as edhe me firmën e Bamir Topit. Por nga presidentë të tjerë para Bamir Topit. Destinacioni i klubit Partizani nga terren sportiv në truall për ndërtime, është ndryshuar me firmën e Edi Ramës dhe pa propozimin e Sali Berishës. Privatizimi i objektit të klubit Partizani është nisur nga qeveria e Fatos Nanos”.

Tv Klan








Të ngjashme

Read Entire Article