Berisha: Degët e mësuesisë po mbyllen, ju ftoj të ngrihemi në protesta për të mbrojtur të ardhmen

11 months ago 14
Reklamë
12:36 02/10/2023

Kryedemokrati, Sali Berisha, shprehet se dita e parë e hapjes së dyerve të universiteteve të vendit nuk është një ditë e mirë për Shqipërinë. Gjatë fjalës së tij, Berisha ka shtuar se këtë vit, në universitete hyjnë 15 për qind studentë më pak se një vit më parë.

Berisha thotë se qiratë, çmimet dhe tarifat po e bëjnë universitetin një mollë të ndaluar.

Sali Berisha: Dita e parë e hapjes së dyerve të universiteteve të vendit nuk është një ditë e mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Nuk është një ditë e mirë, sepse këtë vit hyjnë në universitetet e vendit 15 përqind më pak studentë se një vit më parë. Dhe, hyjnë në bankat e vendit, pothuajse gjysma e atyre që hyjnë në universitete në vitin 2012-2013. Pra, ka një rënie dramatike të numrit të studentëve në një kohë kur Shqipëria ka nevojë jetike për kapërcimin e prapambetjes së tmerrshme që trashëgoi nga e shkuara, për një numër në rritje të qytetarëve të saj të diplomuar në universitete. Por nuk është vetëm ulja e numrit të studentëve një problem madhor për vendin dhe arsimin e lartë universitar. Një problem tjetër shumë i madh është situata ekonomike e studentëve në Shqipëri. Studentët në Tiranë, nisin vitin e tyre universitar në qytetin e tretë me qira më të larta në Europë. Më të shtrenjta! Ndërkohë, qeveria shqiptare nuk ka parashikuar qoftë dhe një qindarkë kompensimi për rritjen stratosferike të qirave të banimit. Nuk ka parashikuar një qindarkë të vetme kompensim për rritjen stratosferike të ushqimeve dhe shërbimeve në qytetin e Tiranës. Kështu, studentët përballen këtë vit njësoj si qytetarët me çmime 7-10 përqind më të shtrenjta për ushqimet se në vendet anëtare të BE. Por, absurde dhe ndëshkuese janë për studentët, tarifat që duhet të paguajnë për regjistrimin në universitetet e vendit. Këto tarifa janë disa herë më të larta në proporcion me rrogat se në të gjitha vendet e tjera të Europës. Këto tarifat janë dhe nominalisht disa herë më të larta se në Gjermani, Austri, Francë, Greqi, Slloveni, Itali dhe vende të tjera. Këto tarifa de facto bëjnë të papërballueshëm shkollimin e fëmijës së dytë apo të tretë për më shumë se 60 përqind të familjeve shqiptare. Këto tarifa, së bashku me qiratë e larta dhe çmimet e ushqimeve, shndërrojnë universitetin në një mollë të ndaluar.

Berisha thotë se degët e mësuesisë po mbyllen dhe për këtë arsye, fton të gjithë të ngrihen në protesta për të mbrojtur të ardhmen.

Sali Berisha:Katastrofë mund të vlerësohet situata për përgatitjen e mësuesve të ardhshme. Dështim total i përpjekjeve të qeverisë nëpërmjet pagesave për angazhimin e të rinjve në degët e mësuesisë. Ishte e pashembullt në historinë e Europës dhe të botës, që të këto degë, në Tiranë, matematikë, fizikë, kimi për mësuesi kanë ngelur me më pak se 10 studentë. De facto janë të mbyllura, në një kohë kur pak vite më parë, ishin nga degët më të preferuara të vendit. Nuk kishte nevojë për stimuj të tjerë. Kishte një stimul: dyfishimi i rrogave të mësuesve. I bëri degët e mësuesisë degë të preferuara. Madje dhe të mbingarkuara. Qëndrimi ndaj mësuesit nga kjo qeveri, i shkretoi ato nga studentët, i falimentoi dhe ato po mbyllen. Arsimi i lartë, këtë vit është një thirrje ku gjendja në të cilën ai ka rënë, të gjithë këto faktorë që rreshtova më sipër, janë një thirrje e fuqishme në radhë të parë për të rinjtë e universiteteve. Po kaq edhe për gjimnazistët, për familjarët e tyre, të ngrihen fuqishëm në protesta. Këto që po ndodhin janë shkatërrim masiv i ëndrrave më të bukura të të rinjve shqiptarë, mbi të cilat duhet të ndërtohet e ardhmja dhe Shqipëria e nesërme. Unë garantoj studentët se PD në programin e saj, do t’u japë përgjigjen më të shkëlqyer të gjitha këtyre çështjeve, por i fton ata të marrin në dorë fatin e tyre, të ngrihen me guxim kundër një qeverie që është përçmuese, përbuzëse ndaj tyre dhe të ardhmes së tyre./tvklan.al


Read Entire Article