Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka ka deklaruar se bashkimi i opozitës zor se arrihet vetëm nga ndërkombëtarët.
I ftuar në “Breaking”, Duka i qëndroi bindshëm idesë së konfederatës, duke theksuar se duhet menduar për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe një opozitë e copëtuar nuk ngjall besim te njerëzit.
Sipas Dukës, “në vend që të rrekemi dhe të fajësojmë individ të ndryshëm brenda PD-së, vetëm tejkalimi i vetes tonë mund të sjellë bashkimin.”
“Mund të duket e vështirë, por dy mendje janë për t’u bashkuar. Nëse ne i shkojmë rreth njërit prej këtyre një emri, Berishës apo Bashës, ne nuk i shërbejmë bashkimit por ndarjes. Të dy këto figura politike për momentin duhet të jenë jashtë, pra jo udhëheqës të opozitës. Të caktohen 3-4 koordinator që do të udhëheqin opozitën në kushtet e kërkuara ku të kemi një departament për marrëdhëniet me ndërkombëtarët të cilën e kemi shumë të dobët. Më vonë pastaj secili nga këta mund të kandidojë për të marrë udhëheqjen”– tha Duka.
Për të gjithë mosbesuesit, kreu i PAA-së shtoi se ky plan “nuk është shpikje, por e ka bërë PS-ja kur lideri Fatos Nano ka qenë në burg”.
Pjesë nga biseda:
Çfarë mendoni për aksionin e opozitës? Sot zoti Noka theksoi se të hënën do të ketë një protestë përpara Kuvendit që do të jetë një sipar i protestave mbarkombëtare për të treguar mosbindjen civile.
Gjithë ky termi mosbindje civile është pak i fortë, saqë shpesh duket se është përdorur vend dhe pavend. Mosbindje civile do të thotë që të mos i bindesh rregullave të shtetit, gjë që nuk e kemi parë deri tani. Nëse këto mjaftohen vetëm me atë pjesën që janë bllokuar punimet e parlamentit, nuk është kjo termi i duhur për t’u përdorur. Unë nuk e kam dëgjuar deklaratën e Nokës, se di për çfarë tematike do të bëhet protesta…
Tre ishin arsyet: Përjashtimi i 19 deputeteve, mosngritja e komisioneve hetimore dhe mos ndryshimi i përbërjes dhe bashkëdrejtimit i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore.
Të gjitha këto pika kërkojnë vëmendjen e vetë dhe ata kanë të drejtë. E rëndësishme është që kjo të mos ketë vetëm ndjeshmërinë e anëtarëve të Parlamentit, do ndjeshmërinë e popullit opozitar, dhe gjithë popullit shqiptar. Nëse njerëzit janë të ndjeshëm ndaj këtyre padrejtësive atëherë duhet reagim kombëtar.
Çfarë efekti ka dhënë aksioni opozitar muajt e fundit?
Nuk ngjallet shumë besim me një opozitë kaq të copëtuar. Një opozitë që merret shumë me veten. Sot p.sh: Basha në fjalimin e tij anatemoi pjesën tjetër të opozitës duke thënë që jemi ne që do të çojmë përpara reformën etj etj. Nga ana tjetër kemi Rithemelimin që e konsideron PD-në zyrtare zgjatim të pushtetit. Këto lloj retorikash nuk besoj se bashkojnë popullin në protesta të mëdha. Unë kam thënë dhe them se nuk ka asnjë shpresë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare nëse opozita nuk del e bashkuar në zgjedhje. Dhe këtu nuk flas ideologjikisht, por të paktën të kenë një agjendë të përbashkët dhe Reforma Zgjedhore të jetë pjesë e asaj agjende. Përderisa ne biem dakord për të gjithë këto pika sa i përket Reformës Zgjedhore, pse nuk i kërkojmë të gjithë së bashku? Detyra që ka opozita është të kontribuojnë në bashkimin e opozitës. Berisha dhe Basha duhet të jenë më të drejtë dhe të tejkalojnë ndasitë e tyre për hir të bashkimit të opozitës. Nëse secili prej tyre do të ngul këmbë, duket se secili kërkon mbijetesë në politikë por nuk ngjall shumë shpresë pushteti.
Gabimet e opozitës që nga djegia e mandateve, mospjesëmarrja në reformën territoriale dhe moshyrja në zgjedhjet vendore janë gabime që i kushtuan vite të tëra opozitës. Tashmë në vend që të rrekemi dhe të fajësojmë individ të ndryshëm brenda PD-së, vetëm tejkalimi i vetes tonë mund të sjellë bashkimin. Mund të duket e vështirë, por dy mendje janë për t’u bashkuar. Nëse ne i shkojmë rreth njërit prej këtyre një emri, Berishës apo Bashës, ne nuk i shërbejmë bashkimit por ndarjes. Të dy këto figura politike për momentin duhet të jenë jashtë, pra jo udhëheqës të opozitës. Të caktohen 3-4 koordinator që do të udhëheqin opozitën në kushtet e kërkuara ku të kemi një departament për marrëdhëniet me ndërkombëtarët të cilën e kemi shumë të dobët. Më vonë pastaj secili nga këta mund të kandidojë për të marrë udhëheqjen. Këto që po them unë nuk janë shpikje, por i ka bërë PS-ja kur lideri Fatos Nano ka qenë në burg.
Top Channel