Berisha: Malltezit iu sekuestruan pasuritë brenda orës, për Pëllumb Gjokën u kujtuan tani që i zbrazi të gjitha

11 months ago 28
13:44 27/10/2023

Gjatë konferencës së përjavshme për shtyp, ish-kryeministri Sali Berisha komentoi edhe sekuestrimin e disa pasurive të biznesmenit Pëllumb Gjoka, i arrestuar gjatë operacionit “Metamorfoza”.

Me këtë rast, Berisha bëri krahasim me arrestimin e dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi. Kryedemokrati tha se Malltezit iu sekuestruan pasuritë brenda orës pavarësisht se nuk provohet asnjë shkelje ligjore.

Ndërsa me Pëllumb Gjokën, tha Berisha, prokurorët e SPAK u kujtuan pas disa muajsh. Kjo sipas tij i ka thënë kohën e duhur biznesmenit të arrestuar që të çojë paratë aty ku ka dashur.


“Profesor Abi Malltezit, pa provuar pas tri vitesh asnjë shkelje ligjore në mënyrë absolute, i vendosin sekuestro brenda orës, për të gjitha pronat e tij. Vrasësit Pëllumb Gjoka, mikut të ngushtë të skapistëve kriminelë, u detyruan t’i vendosin sekuestron megjithëse duhet të dini një gjë, regjistrimet e bisedave dhe mesazheve në EncroChat dhe SKY, gjykata franceze i ka pranuar si prova të mirëfillta krimi. Megjithëse janë dorëzuar, kanë kaluar 2 ose 3 muaj dhe vetëm dje u kujtuan se ky problem ekziston.

Merrni vesh ju se çfarë organizate është SKAP-i. Tani thanë se njerëzit do pyesin se këtij ia sekuestruan të gjitha pronat, dhe ato që ka pasur kur ata kanë punuar si zyrtarë në OKB, kanë pasur një rrogë më të madhe dhe kanë blerë prona, edhe ato të gjitha ia ka sekuestruar SPAK i partisë. Kurse për Pëllumb Gjokën u kujtuan dje. Dje u kujtuan, kurse për këtë u kujtuan brenda një ore. Flet vetë.

Ato që bëhen nën presion nuk janë kurrë pozitive. Ato nuk prodhojnë kurrë pozitivitet. Pëllumb Gjokës iu dha mundësia gjatë kësaj periudhe të zbrazë çdo gjë. të gjitha, llogaritë dhe çfarë kishte. Dhe kjo ishte e qëllimshme. Se Pëllumb Gjoka, përveçse mik i Edi Ramës, është edhe mik i Taulant Ballës. E kam deklaruar këtu se ka udhëtime në Itali me Taulant Ballës. Se gjëja e parë, Pëllumb Gjokës i bllokoheshin të gjitha llogaritë. Përkundrazi, kjo sekuestro u vendos pasi ai zbrazi të gjitha llogaritë. I çoi paratë ku deshi”, u shpreh Berisha.

Gjykata e Posaçme vendosi sekuestro preventive mbi 3 pasuri të paluajtshme të biznesmenit Pëllumb Gjoka. Bëhet fjalë për 390 mijë metra katrorë pyll në 3 zona të ndryshme në Velipojë. Dy prej tyre figurojnë në emër të shoqërive tregtare të biznesmenit ndërsa tjetra është regjistruar në emër të babait të tij.

Në vendimin e gjykatës për sekuestron preventive thuhet se këto pasuri të llojit pyll janë fituar nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve të kryer nga Pëllumb Gjoka në bashkëpunim me persona të tjerë./tvklan.al








Të ngjashme

Read Entire Article