Berisha: Me 27 Dhjetor mbrojmë logon dhëmb për dhëmb

9 months ago 26
15:46 23/12/2023

“Mobilizim, përballje. Ta harrojnë që do më mposhtin”

Riorganizimi i Partisë Demokratike dhe vijimi i aksionit opozitar pas arrestimit të tij ishte kryefjala e Këshillit Kombëtar, ku përpara anëtarëve të këtij forumi, Sali Berisha kërkoi angazhim maksimal në betejën pa kthim të nisur për rrëzimin e qeverisë dhe kryeministrit Rama.

Sali Berisha: O sot, o kurrë të zgjojmë luanin, mobilizim dhe mosbindje.

Në betejën e radhës tha se përballë nuk do të ketë vetëm drejtësinë e kapur nga Kryeministri, por edhe opozitën fasadë të Lulzim Bashës, që sipas tij, në 27 Dhjetor tenton t’i marrë logon e partisë që themeloi vetë 33 vite më parë.

Sali Berisha: Ai është peng i Edi Ramës.Në 27 Dhjetor do mbrojmë logon dhëmb për dhëmb.

Teksa fati i tij do të përcaktohet mesditën e 26 Dhjetorit, të fundit paralajmërim ia dha edhe kryeministrit Rama, që tha se qëndron pas arrestimit të tij.

Sali Berisha: Edhe në Hënë po të më çojnë, unë do gjej mënyrën për të bërë opozitë dhe do qëndroj për të vërtetën.

Të njëjtin mesazh adresoi edhe ndaj prokurorëve e gjyqtarëve të SPAK-ut.

Sali Berisha: Para se të përsërisni këtë gënjeshtër dhe këtë akuzë për Sali Berishën, kontrolloni xhepat tuaj.

I ashpër ishte edhe me partnerët ndërkombëtarë.

Sali Berisha: Duke denoncuar Vuçiçin dhe duke injoruar batërdinë zgjedhore të argatit të Vuçiçit, ju vetëm nxitët me këtë standard regjimin e narko-shtetit në Shqipëri.

Këto akuza ish-kryeministri Berisha i ripërsëriti edhe gjatë një takimi që zhvilloi me Lidhjen Demokratike të Gruas./tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article