Berisha: Nuk ka ndodhur kurrë që të kërkohet arrestimi i një deputeti pa paraqitur asnjë provë

9 months ago 28
19:23 21/12/2023

Kryedemokrati Sali Berisha thotë se po bëhen përpjekje për ta lënë Shqipërinë pa opozitë. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, Berisha ka deklaruar se nuk ka ndodhur kurrë që të kërkohet arrestimi i një deputeti pa paraqitur asnjë provë, fakt apo dokument.

Sali Berisha: Askush të mos mendojë se Edi Rama dhe regjimi i tij është i qetë. Përkundrazi, u them unë, ai jeton në terror dhe frikë të madhe. Frika dhe vetëm frika bënë që ai të urdhërojë një zinxhir aktesh, veprimesh, të cilat as Lukashenko i Bjellorusisë nuk do mund t’i realizonte. Gjatë këtyre dy-tre javëve u zhvillua një proces unik, i veçantë në Shqipëri, në të cilin Edi Rama urdhëroi institucionet e drejtësisë dhe parlamentin të kalojnë nga një shkelje e rëndë në një shkelje më të rëndë të Kushtetutës. Për të realizuar aktin e sotëm, ai e realizonte pa asnjë lloj të themi, pengese të pakapërcyeshme sepse kudo kontrollin dhe shumicën. Por përsëri atij nuk i duhej rruga legale, sepse rruga legale mund t’i mbetej e këputur në mes. Për garanci dhe siguri, atij i duhej që në një rast të parë dhe kurrë nuk ka ndodhur në 32 vite, që një deputeti t’i hiqet e drejta e lëvizjes jashtë shteti me një vendim gjykate, duke dhunuar nenin respektiv të Kushtetutës. Nuk ka ndodhur kurrë në historinë e parlamentit që kryetari i opozitës të mos pyetet ndonjëherë dhe të sajohet një piramidë mashtrimi dhe nuk pyetet për shkakun e vetëm sepse jo në një gjysmë ore, por në 20 minuta, rrafshon me dritën e të vërtetës atë piramidë. Nuk ka ndodhur kurrë që të kërkohet heqja e imunitetit dhe arrestimi i një deputeti pa paraqitur në komision të parlamentit, në Komisionin e Mandateve, as edhe një provë, fakt apo dokument të vetëm. Thjesht vendimin e gjykatës, të SKAP-it dhe me radhë.

Berisha është shprehur se ata nuk lëvizin nga parimet e tyre dhe se nuk ngatërrojnë akte të shkëputura nga vlerat universale të partnerëve tanë euroatlantikë.

Sali Berisha: Kjo mbledhje kryesie thirret në momentet më të jashtëzakonshme në historinë e forcës tonë politike, momente kur regjimi i bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve, pasi e demaskuam dhe e demaskojmë çdo ditë për lidhjet e tij me krimin, për dhunimin në parlament dhe kudo të të drejtave të opozitës dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë, për vjedhjet e mëdha, shkretimin e Shqipërisë nga qytetarët shqiptarë, mendoi se zgjidhja e këtij demaskimi është arrestimi i kryetarit të PD, me të cilin Edi Rama dhe kushdo tjetër, e ka të qartë se nuk mundet kurrë të bëjë pazare. Dhe me të cilin, ai nuk përballon dot betejën. E vërteta është se ne si opozitë, jo për dëshirën tonë, por për ndërhyrjet dhe përpjekjet për të lënë Shqipërinë pa opozitë faktikisht, kaluam një periudhë shumë të vështirë, por përsëri me gjithë vështirësitë e mëdha, me gjithë forcën e madhe të korrupsionit transnacional, korrupsion i cili u përdor për shkatërrimin e opozitës shqiptare, kjo nuk ndodhi dhe opozita erdhi duke u fuqizuar gjithnjë e më shumë. Opozita erdhi duke u bërë zëdhënëse e vërtetë e interesave të shqiptarëve, duke u bërë zëdhënëse e vlerave që duhet të ketë një shoqëri e lirë. Vlera që besojmë, vlera që ne kemi në program, vlera me të cilat ne e morëm Shqipërinë nga honet e mjerimit dhe e nxorëm në një vend të respektuar, anëtar i NATO-s dhe institucioneve të tjera evropiane. Ne nuk lëvizim nga parimet tona, nga programi ynë, nuk lëvizim nga orientimi ynë euroatlantik. Nuk ngatërrojmë dhe nuk konfondojmë akte të shkëputura nga vlerat universale të partnerëve tanë euroatlantikë të qytetërimit perëndimor. Lidhja jonë me këto vlera është genuine në kuptimin që e gjithë doktrina moderne e identitetit tonë kombëtar është e ndërtuar mbi këto vlera dhe ajo garanton vokacionin perëndimor të PD dhe kombit shqiptar. Natyrisht, reagimi i Edi Ramës dëshmon tmerrin që ai ka nga opozita e vërtetë. Edi Rama është në llojin e tij një hajdut dhe diktator. Në tërësi është vështirë të ndash hajdutin nga diktatori dhe hajdutin nga diktatori sepse diktatorit i duken të gjitha pronë e tij dhe ndjehet i lirë të vjedhë, të shpërdorojë dhe të abuzojë mbi pasuritë e shqiptarëve. Por problemi më themelor është sepse ai ka arritur të konfiskojë votën e lirë të shqiptarëve dhe pikërisht me këtë mekanizëm ka vrarë pasivisht shpresën te qytetarët shqiptarë. Ka shkaktuar largimin e tyre më të madh në histori nga vendi. Këto të gjitha për ne janë motive beteje. Ndaj dhe ne shpallëm betejë pa kthim./tvklan.al



Read Entire Article