Berisha nuk shkon në gjykatë: Zbatoj Kushtetutën, akuzat janë të sajuara

11 months ago 12
15:35 24/10/2023

Në të njëjtën orë kur duhet të ishte në seancën gjyqësore për t’u përballur me akuzat e SPAK-ut për korrupsion pasiv, Sali Berisha doli përpara gazetarëve duke e bërë fakt atë që kishte paralajmëruar.

Ish-kryeministri nuk do të paraqitet përpara gjykatës sepse sipas tij do të pranonte një shkelje kushtetuese që pretendon se është bërë nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion në rastin e kufizimit të tij të lëvizjes pa marrë më parë miratimin nga parlamenti.

“Nuk është se unë nuk pranoj gjykatën se unë sa herë të thirrem do të shkoj. Të heqë gjykatësi masën antikushtetuese dhe ta provojë a po shkoj, apo s’po shkoj unë”, tha Berisha.

Berisha shpjegon dhe një herë të vërtetën e tij se ligji për përdorimin e letrave me vlerë në procesin e privatizimeve ishte një reformë jetike sipas tij që jo vetëm nuk u bë për të favorizuar dhëndrin e tij, por që sipas tij nuk i ka sjellë përfitime Malltezit dhe bashkëpronarëve të tij, por me dhjetëra pronarëve të tjerë.

“Këta 64 pronarë kanë përfituar 80 mijë Euro, qindra mijëra pronarë të tjerë kanë përfituar 30-40 milionë Euro. Çfarë ka këtu, të ndërpres reformën apo ta përjashtoj? T’i them shikoni jeni bashkëpronarë me dhëndrin tim ju nuk mund të përfitoni. Të bëja një ligj të tillë unë”?

Berisha pretendon se i vetmi ligj i shkelur në këtë çështje është ai i urbanistikës dhe është bërë nga ish-kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama.

“Një fjali ku thotë është shkelur ligji. Vetëm në një vend thuhet. Thuhet ligji i urbanistikës. E ka shkelur Edi Rama”.

Ish-kryeministri e cilëson gjithë çështjen e nisur për të dhe dhëndrin e tij, si një luftë të nisur ndaj opozitës ndaj dhe fton popullin opozitar të nisin protestat, por pa caktuar një datë.

“Edi Rama i ka shpallur luftë opozitës dhe opozita do të qëndrojë me të gjitha mundësitë e saj”.

Kreu i demokratëve e nënvizoi disa herë se SPAK-u po kërkon t’i bëjë gjyq reformave të qeverisë së tij dhe jo familjes Berisha.

Tv Klan








Të ngjashme

Read Entire Article