Berisha: Rama kërkon të arrestojë liderin e opozitës njësoj si Putini me Navalnin

9 months ago 35
13:14 25/12/2023

“Në këtë betejë kam mbrojtur vetëm Kushtetutën”

Kryedemokrati Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin e vendit, Edi Ramën pasi sipas tij, kërkon të arrestojë liderin e opozitës, njësoj si Putini kundërshtarin e tij, Navalnin. Gjatë fjalës së tij në bashkëbisedimin me qytetarët në rrjetet sociale, kryedemokrati Sali Berisha është shprehur se ka mbrojtur vetëm Kushtetutën.

Sali Berisha: Por ai shkon më tej, kërkon të arrestojë kryetarin e partisë më të madhe politike opozitare. Vladimir Putin, këto kohë, ka zhdukur Navalnin edhe nga burgjet, nuk dihet ku është. Pse? Se ka frikë se Navalni do regjistrohet si kandidat për president. Putin, Navalnin e ka frikë edhe në burg aty ku është. Edi Rama bëri të njëjtën gjë. Nuk lejoi në kundërshtim me ligjin, regjistrimin e emrit tim si kryetar koalicioni. Edi Rama bëri edhe më shumë. Nuk lejoi as regjistrimin e emrit të PD nga frika dhe tmerri.

Ne jemi sot në këtë situatë kur ai në një zinxhir veprimesh antikushtetuese, ka vendosur që të arrestojë, të dënojë me arrestim Sali Berishën, pa asnjë fakt, pa asnjë dokument, pa asnjë provë për një proces që është më i ligjshmi që mund të bëhet. Në dosjen Partizani ka një moment: Jamarbër Malltezi, njëri nga qindra pronarë të territorit, ka marrë 410 metra tokë. Në këtë proces që ka zgjatur nga viti 1995 deri në vitin 2009, Sali Berisha nuk ka një firmë të vetme në procesin e njohjes dhe privatizimit të objekteve të klubit Partizani. Nuk ka një punonjës që të paraqesë ankesën apo dëshminë më të vogël se Sali Berisha ka ndërhyrë në këtë proces.

Por ka diçka tjetër. Së pari, e gjithë dacibao e Edi Ramës dhe prokurorëve të tij është e ndërtuar mbi fshehjen e dokumenteve zyrtare. Është formuluar duke mos e pyetur asnjë herë Sali Berishën dhe as Jamarbër Malltezin, sepse dihej se shpjegimet e tyre do asgjësonin pretendimet e tyre. Ka një moment tjetër, për ta mbyllur me këtë çështje. Nga toka e familjes Begeja, nga e cila Jamarbër Malltezi ka marrë 410 metër katrorë tokë, Edi Rama me Karlo Bolinon kanë marrë 1500 metër katrorë tokë, të cilën Begejsit me fisnikërinë e tyre, e lanë për ndërtimin e një gjimnazi pasi zona prej 65 mijë banorësh nuk kishte një të tillë.

Në vend të gjimnazit, Edi Rama ka firmosur 4 vendime qeverie të personalizuara për Karlo Bolinon, çka njeriu nuk e bën kurrë veçse kur është vetë pronar, për të rrëmbyer 1500 metër katrorë tokë. Ju keni konstatuar se unë kam ndjekur me përpikmëri, ose kam kërkuar asgjë tjetër përveç zbatimit të Kushtetutës dhe ligjit. Edi Rama, duke parë se me Kushtetutën dhe ligjin nuk mund të bënte asnjë veprim, sepse nuk kishte asnjë bazë, zgjodhi rrugën e dhunimit të Kushtetutës dhe ligjit.

Ju keni dëgjuar se si larot, lakejtë, puthadorët e narkodikaturës, gjatë këtyre javëve të fundit, përsërisin se Shqipëria nuk përfill gjykatat, Berisha nuk përfill prokurorinë. E vërteta është se unë kam përfillur gjykatat dhe kam dërguar aty në përputhje me ligjin avoketët e mi. Unë kam përfillur parlamentin, komisionin hetimor parlamentar dhe kam dërguar aty avoketërit e mi. Kam përfillur Gjykatën Kushtetuese dhe grupi i PD i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Por unë nuk kam përfillur vendimin antikushtetues të një gjykatëse që është shkarkuar nga Sali Berisha me datën 8 shkurt 1996 dhe në përputhje me ligjin e vendit dhe çdo ligj tjetër të botës jodiktatoriale, ajo nuk mundej kurrë të shqyrtonte dosjen e njeriut që e ka shkarkuar.

Nuk kam pranuar atë vendim, ndonëse theksoj se vendimet e gjykatës për mua janë ligj, por ligjet kanë hierarkinë e tyre. Në hierarkinë e ligjeve, Kushtetuta është ligji suprem. Kushtetuta është ligji i të gjitha ligjeve. Kushtetuta urdhëron çdo qytetar të mos pranojë asnjëherë një vendim antikushtetues. Sikundër ligjet urdhërojnë çdo punonjës të mos pranojnë asnjëherë një vendim antiligjor. Pra, në këtë betejë, Sali Berisha nuk bëri asgjë tjetër veçse mbrojti Kushtetutën, mbrojti shtetin ligjor, mbrojti ato parime pa të cilat rendi demokratik nuk ekziston dhe u faktoi shqiptarëve se Shqipëria tashmë është një narkokraturë. Se në Shqipëri, shteti ligjor është zëvendësuar me narkoshtetin./tvklan.al


Read Entire Article