Berisha: Rama, përgjegjës për bllokimin e integrimit

10 months ago 17
19:40 13/12/2023

“Duan të më mbyllin gojën me kërkesën për arrestim”

Nga Shkodra ku u takua me mbështetës të Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi Kryeministrin Rama se është i vetmi shkaktar që penalizon Shqipërinë për mos hapjen e kapitujve me Bashkimin  Europian.

“Sot ju keni lexuar konkluzionet e Brukselit. Nuk hapet kapitulli i negociatave. Vendosën shtatë kushte. Ai do fillojë të thotë që e kemi nga Beleri, e kemi nga greku. Nuk është e vërtetë. Ai është një nga shtatë kushtet, respektimi i minoriteteve. Por kushti i parë është dialogu, kushti i parë është kjo që bën ai kundër opozitës. Janë liritë.”

Demokratët e qytetit verior i ftoi në mosbindje civile, teksa një mesazh i dërgoi edhe kundërshtarit të tij politik, pas kërkesës së bërë nga SPAK për arrestimin e tij.

“Gabon, përkundrazi! Zotohem këtu se mosbindja civile, pavarësisht çfarë qëndrimi do mbajë ai, do jetë vullkani që do përmbysë këtë narkodiktaturë njëherë e përgjithmonë”.

Më herët, përpara gazetarëve kërkesën e SPAK-ut drejtuar Kuvendit për t’i hapur rrugë arrestimit të tij e cilësoi procedurë për të legjitimuar shkeljen kushtetuese të bërë pak javë më parë nga kjo strukturë, e cila vendosi kufizimin e lirisë së tij jashtë vendit.

SPAK-un e akuzoi se funksionon si departament të Kryeministrit, nisur dhe nga fakti që sipas tij, deputetes Monika Kryemadhi i është kontrolluar posta elektronike pa një autorizim nga parlamenti. Qëllimi final sipas tij është goditja e opozitës.

“Përndjekje politike e opozitës nga Edi Rama. Ata duhet t’i merrni lejen parlamentit.”

Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit do ta shqyrtojë të hënën e 18 Dhjetorit, kërkesën e SPAK-ut për Berishën, por vetë ai nuk e ka vendosur nëse do ta shfrytëzojë të drejtën për t’u përfaqësuar vetë në këtë mbledhje.

“Nuk është marrë akoma një vendim se duhet të takoj avoketërit.”

Por pavarësisht vendimit të Kuvendit strategjia e bllokimit të parlamentit do të vijojë. Berisha ka vijuar me denoncimet për dosjen e inceneratorit të Tiranës. Ai ka publikuar disa dokument, ku sipas tij, provohen që është abuzuar dhe me kostot e ndërtimit të inceneratorëve, me atë të përpunimit të mbetjeve, por dhe me kontributin e sektorit privat që është vjelur për depozitimin e dherave në landfill.

Tv Klan


Të ngjashme

Read Entire Article