Berisha: Sot nis beteja pa kthim në rrugë, prokurorët në parlament si larot e Ramës

10 months ago 20
13:34 18/12/2023

Në datë 27 Dhjetor çdo demokrat protestë përpara Gjykatës së Lartë

Opozita protestoi për një orë e gjysmë këtë të hënë para kryesisë së Kuvendit. Në fjalën e tij, Sali Berisha i ftoi qytetarët sërish në protestë të enjten dhe çdo të enjte përpara parlamentit. Berisha deklaroi se nga sot nis beteja pa kthim deri në largimin e Edi Ramës. Ai u shpreh se të gjithë demokratët do të derdhen në sheshe, “pasi jetën e japim po votën se japim”.

“Edi Rama, është fundi yt, mblidhu dhe struku ku të duash! Pak javë më parë të paralajmërova se ajo që po shihje në parlament, ajo mosbindje e deputetëve të PD, ishte vetëm fillimi. Do të shohësh ti mosbindjen e këtyre luftëtarëve të lirisë. Gjej skutë ku të futesh, gjej vrimë miu ku të futesh. Avoketërit e diktaturës do t’u thonë se po luftoni për interesat personale të Sali Berishës. U thoni këtyre mjeranëve se ju jeni lëpirës të diktaturës dhe në njëfarë mënyrë gjakpirës të këtij populli. Por Sali Berisha po lufton dhe do luftojë gjer në ditën e fundit të jetës së tij për lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve. Dhe së bashku me ju për fitoren e idealeve të tyre demokratike. Në vitin 1997, ishte vit dramatik. Askush në botë nuk na kthente sytë. Ne kishim besim te e drejta, ne kishim besim te ajo që mbronim dhe nuk u lëkundëm, nuk u tutëm, nuk u tërhoqëm, por kaluam nga protesta e përditshme në mosbindje civile. Kaluam, i vumë përpara dhe në fakt në vitin 2001 fituam zgjedhjet, na i grabitën. Edi Rama mos provo më se votën nuk ta falim kurrë. Ke marrë fund! Pra, sot është ditë kthese e madhe, për të gjithë ju që jeni këtu, por edhe për ata të cilët me shpirt dhe zemër do ishin këtu me ne, por e kanë pasur të pamundur të vijnë. Sot ne hapim një kapitull të ri në historinë e lirisë së kombit shqiptar, kapitullin e betejës pa kthim drejt regjimit që po shkatërron qenien tonë, drejt regjimit që ka grabitur votën tonë, drejt regjimit që po mohon të drejtat bazë kushtetuese të përfaqësuesve tuaj në parlament, drejt regjimit që ka krijuar instrumente identike represive si ato të diktaturës komuniste. Çfarë ndodh tani në parlament? Tani në parlament, dy laro, mercenarë të Edi Ramës, kanë ardhur pasi kanë vendosur në kundërshtim me Kushtetutën privimin e lirisë ndaj meje, tani jo që nuk tërhiqen, por si eprorë të parlamentit për shkak të porosive të Edi Ramës, vijnë të rëndojnë masat ndaj meje. Kjo është dëshmia më flagrante e një shteti monist, ku parlamenti, prokuroria, policia, ushtria, shërbimi informativ, janë në duart e një njeriu, kontrollohen nga një njeri. Ju duket i fortë ai? Jo, është kalbësirë. Ne që zvarritëm bustin, do e kërrejmë nga pushteti.”

Berisha po ashtu bëri thirrje për protestë në datën 27 dhjetor para Gjykatës së Lartë ku do të vendoset për çështjen e vulës së PD-së, ku sipas tij, Edi Rama ka porositur ekzekutimin e identitetit të demokratëve.

“Ç’po ndodh sot në parlament? Sot në parlament, në komision po votojnë ligjin, i cili ndalon hetimin e Edi Ramës. Jo, Edi Rama, i bindur të jesh ti se nuk ka ligj që do na pengojë ne pa hetuar vjedhjet tuaja, pa hetuar vjedhjet që i ke bërë shqiptarëve. Çfarë ndodh? E thërrasin gazetarin, e rrëmbejnë, e fusin njëlloj si dikur në labirintet e sigurimit, e terrorizojnë, tregime si në romanet e Kafkës kam dëgjuar nga gazetarët e tjerë. Po pse? Se ai ka emrin e Edi Ramës në ato regjistrime, në ato lidhje me krimin që ai ka denoncuar, dalin dy emra, Taulant Balla dhe Edi Rama. Dhe ata kanë tmerr se do publikohen. Ne do mbrojmë gazetarët. Ne u themi skapistëve, hiqni dorë mjeranë se ne kemi përmbysur policinë sekrete më të egër të botës dhe nuk u kemi për asgjë. Ju garantoj se do bëheni përgjegjës për çdo shkelje të ligjit dhe të Kushtetutës dhe se do trajtoheni njëlloj si falanga krimi të kreut të Meduzës, të kryehajdutit të Shqipërisë, Edi Rama. Me Edi Ramën kemi hesape të rënda për të larë. Edi Rama është sjellë ndaj nesh, ndaj jush njëlloj si nazistët në kampet e përqendrimit me hebrenjtë. Ata hebrenjve u hiqnin emrat dhe u jepnin nga një numër dhe ditë,javë, muaj atë thërriteshin me numra. Harronin emrat e tyre. Por ne e garantojmë Edi Ramën se do e paguajë shumë shtrenjtë ata që ka bërë dhe përpiqet të bëjë me identitetin tonë. Më 27 dhjetor, çdo demokrate dhe demokrat, përpara Gjykatës së Lartë, ku Edi Rama ka porositur ekzekutimin e identitetit tonë. Ne do qëndrojmë. Ne do fitojmë! E enjtja që vjen, të gjithë përpara parlamentit monist”./tvklan.al


Read Entire Article