Berisha: Urdhri i gjykatës i paligjshëm, po mbroj Kushtetutën

11 months ago 34
15:36 27/10/2023

“I gatshëm për çdo hetim. Rama të votojë ndryshimin kushtetues”

Teksa e cilësoi të paligjshëm vendimin e gjykatës për detyrim paraqitjeje në SPAK, Sali Berisha sqaroi arsyet e refuzimit, duke u shprehur i gatshëm të përgjigjet përpara organeve të drejtësisë vetëm në respekt të kushtetutës dhe shtetit ligjor.

“Urdhri i gjykatës është i paligjshëm. Po mbroj shtetin ligjor dhe Kushtetutën e Shqipërisë, përndryshe nuk i lejoj vetes asnjë kufizim apo hezitim për t’u paraqitur dhe për t’ju përgjigjur prokurorisë dhe gjykatës”, tha Berisha.

Rruga ligjore që sipas Berishës i hap rrugë kufizimit të lirisë së deputetit është ndryshimi i Kushtetutës. Ndaj kryeministrin Rama e sfidoi sërish të votojë në parlament amendimin e bërë prej tij në vitin 2012, kohë kur Berisha ishte në pushtet.

“Të jetë burrë, të ketë guxim politik dhe të votojë amendamentin që propozova në vitin 2012. Tani ai është në pushtet dhe Sali Berisha nuk mund të arrestojë askënd”, u shpreh ai.

Në shënjestër të akuzave vuri jo vetëm Edi Ramën, por edhe përfaqësues të SPAK-ut, që tha se janë kthyer në mercenarë të kryeministrit, duke shkelur ligjin themeltar të shtetit.

“Ata që marrin përsipër të shkruajnë Kushtetutën në vend që të zbatojnë atë janë banditë kundër shtetit dhe jo përfaqësues të tij”, tha ai.

Për të treguar se procesi i nisur nga SPAK-u ndaj tij dhe Jamarbër Malltezit është politik solli rastin e biznesmenit Pëllumb Gjoka.

Profesor Abi Malltezit i vendosin sekuestro brenda orës për të gjitha pronat e tij. Pëllumb Gjokës nuk i janë sekuestruar investimet strategjike se e ka me Edi Ramën ai”, tha Berisha.

Për Sali Berishën vendim i gjykatës është veç trembje e kryeministrit nga aksioni i opozitës në parlament, të cilin e paralajmëroi se do ta ketë përballë në seancën plenare të së hënës, ndonëse maxhoranca ka përjashtuar 23 deputetë demokratë, përfshi edhe vetë ish-kryeministrin.

“Do ketë një uragan opozitar”, tha Berisha.

Tv Klan








Të ngjashme

Read Entire Article