Beteja e Loxhës: 26 vjet nga një triumf i lavdishëm për lirinë e Kosovës, në krye me heroin Kolonel Tahir Zemaj!

2 months ago 6
Reklamë

Janë mbushur 26 vjet nga zhvillimi i Betejës së Loxhës, një prej betejave më të lavdishme të luftës në Kosovë.

Beteja e Loxhës u zhvillua gjatë Luftës së Kosovës në fshatin Loxhë të Pejës fillimisht më 6 dhe 12 Korrik 1998 dhe sërish më vonë më 10 dhe 17 Gusht 1998, ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) kundër Ushtrisë Jugosllave (JNA) dhe Policisë Serbe (MUP).

Veprimtari nga diaspora, Fatmir Bajraj, ka folur për gazetën “Bota sot” lidhur me vlerën historike të Betejës së Loxhës.

Image

Fatmir Bajraj

Ai ka thënë se kjo betejë ishte betejë e namit, lavdisë dhe krenarisë kombëtare.

“26 vite nga Beteja e Loxhës, e zhvilluar më 06-07 korrik të vitit 1998, ndërmjet forcave armike të pushtuesit gjakatar serbo-sllav në njërën anë, dhe njesitëve të rregullta të UÇK-së, saktësisht të formacioneve ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës (MMRK) me Ministër, Kolonel Ahmet Krasniqi në kuadër të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK).

Kjo betejë e fituar në mënyrë brilante, erdhi si rezultat i impaktit të drejtpërdrejt të strukturave profesionale ushtarake dhe luftarake të Brigades 131, përkatësisht të njësitit të kombinuar të Batalionit të parë të kësaj Brigade nën udhëheqjen e oficierëve të spikatur; Majorin Nazif Ramabaja, Esat Ademaj e Faruk Gjemajli, për t'u pasuar me Batalionin e dytë dhe të tretë me komandantët e shquar, Bajram Stojkaj, Lumni Surdulli dhe Fadil Hadergjonaj, dhe nën kujdesin dhe komandimin e drejtpërdrejt të operacioneve ushtarake nga ana e Kolonel Tahir Zemaj, si Komandant i Zonës Operative të Dukagjinit.

Marrja nën kontroll e fshatit Loxhë më 5 korrik të vitit 1998, nga forcat pushtuese të armikut shekullor serbo-sllav, në kuadër të një operacioni të larmishëm nga strukturat ushtarake, paramilitare dhe ato të milicisë serbe, kishte irrituar tejmase Komandantin zulmëmadh të ZOD-it, ushtarakun e spikatur dhe strategun e rrallë të luftës, Kolonelin Tahir Zemaj, i cili zëmërimin e kishte shprehur me një fjali:

Kolonel Tahir Zemaj: "Loxha duhet të rikthehet!"”, ka rikujtuar Bajraj.

Dhe ky kushtrim shkoi në vend, thotë Bajraj, sepse vërtetë Loxha u rikthye, duke i shkaktuar dëme të jashtëzakonshme armikut gjakatar, i cili përveç tjerash, la në fushëbetejë 16 trupa të të vrarëve dhe duke braktisur në panik betejën, tani turpërisht të humbur dhe të thyer.

Ai ka rikujtuar se meritat për këtë thyerje të armikut në fushëbetejë, pa dyshim i atribuohen luftëtarëve trima të Brigades 131 dhe Batalioneve pjesëmarrëse.

“Fitorja spektakolare e Betejës së Loxhës është një fitore historike, jo vetëm për Loxhën, UÇK-në, Brigadën 131 dhe Batalionet 1, 2, 3 të kësaj Brigade, MMRK dhe FARK-un, por është një fitore për Kosovën, Shqipërinë dhe shqiptarinë, pasi është fitorja e parë ushtarake dhe luftarake në histori kundër serbëve dhe Serbisë pushtuese në një front dhëmb për dhëmb me një armik të egër dhe të përbetuar kundër Kosovës dhe shqiptarëve, siç ishte dhe është Serbia fashiste.

Meritat për këtë thyerje të armikut në fushëbetejë, pa dyshim i atribuohen luftëtarëve trima të Brigades 131 dhe Batalionëve pjesëmarrës, si edhe drejtuesve të operacioneve të lartëpërmendur, dhe mbi të gjitha, dëshmorëve të rënë atë ditë në altarin e lirisë:

Rrustem Bruçi Lumni Surdulli Enver Alaj

Pa harruar të plagosurit dhe sidomos Kryeheroin e kësaj Beteje lapidare dhe emblematike, Komandantin e ZOD-it, Kolonel Tahir Zemaj, pa të cilin, thyerja e armikut në fushëbetejë dhe rikthimi i Loxhës do të ishte, jo vetëm i pamundur, por edhe i pa imagjinuar”, shtoi ai.

Bajraj, fitoren e Betejës së Loxhës e quan unike, duke thënë se në anën e shqiptarëve patriotizmi, dija, ekspertiza, profesionalizmi, disiplina organizative dhe mbi të gjitha strategjia e përkryer dhe gadishmëria sublime për idealet dhe kauzën e lirisë.

“Beteja e Loxhës dhe fitorja unike kundër një armiku të pajisur me arsenal luftarak: ushtarak dhe teknik në shpërpjesëtim të madh me ne, dhe me një diferencë marramendëse, derisa në anën tonë, shquhej patriotizmi, dija, ekspertiza, profesionalizmi, disiplina organizative dhe mbi të gjitha strategjia e përkryer dhe gatishmëria sublime për idealet dhe kauzën e lirisë.

Beteja historike e Loxhës është e tillë, edhe për faktin se njëjta, theu mitin serb të pamposhtur në fushëbetejë nga shqiptarët, një fakt i provuar historikisht, jo për asgjë tjetër, por për kontekstet historike në të cilat Serbia "fitonte" supermacinë, duke qenë e përkdhelur dhe e mbështetur nga sllavo-ortodoksizmi rus dhe jo vetëm, derisa shqiptarët e Kosovës nuk e përkojën fatin, deri në fundin e shekullit të kaluar”, theksoi ai

Bajraj nënvizoi se Beteja e Loxhës dhe fitorja mbi armikun "dha" leksionin e "duhur" edhe komandantëve të vetsh-pallur kudo, të cilët jo vetëm nuk fituan kurrë asnjë betejë frontale me armikun, por as nuk organizuan ndonjë të tillë!

“Ky fakt tregon se thyerja e armikut në front, ashtu si ndodhi në Betejën e Loxhës dhe më pas edhe në atë të Kosharës, arrihet vetëm me organizim profesional, armatim adekuat dhe strategji luftarake, atribute këto që nuk i posedojnë njerëzit mediokër, pa dije dhe invencion, të cilët luajnë role që nuk i takojnë dhe më pas përballojnë konsekuencat.

Fitorja e madhe në Betejën e Loxhës e lëndoi dhe pengoi Serbinë armike, pasi iu thyen miti i pathyshmërisë, duke e bërë atë edhe më agresive dhe gjenocidale kundër shqiptarëve të pafajshëm, por një sukses i tillë në këtë betejë, sikur nuk gëzoi as komandantët e vetshpallur, të cilët në shenjë hakmarrje fillimisht e braktisën Kryeheroin e Betejës së Loxhës, pastaj atentuan disa nga ushtarët e lirisë, për të përfunduar me një krim makabër, atentatin kundër Kolonelit Tahir Zemaj në Kosovën e çliruar.

Lavdi dhe nderime të përjetshme të gjithë trimave të kësaj beteje, Lavdi të lartpërmendurve, të rënë në altarin e lirisë, dhe mbi të gjitha;

Lavdi Kryeheroit të Betejës së lavdishme të Loxhës, Kolonel Tahir Zemaj!”, përfundoi Bajraj

Read Entire Article