“Beteja” në Këshillin e Sigurimit, ja si Kurti ia demantoi gënjeshtrat Vuçiqit – presidenti serb e pësoi si..!

8 months ago 10

Në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë shkëmbyen sot akuza të rënda, përfshirë rreth zbatimit të vendimit për kufizimin e importit të dinarit serb në Kosovë.

Më saktësisht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me fjalimin e tij të fuqishëm në KS të OKB-së, shpërfaqi gënjeshtrat dhe propagandat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Profesori Enver Bytyçi, në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se seanca e KS të OKB-së për dinarin u shndërrua në një betejë mes Kurtit dhe Vuçiqit.

Sipas tij, presidenti serb e pësoi si Vuk Jeremiq dikur.

“Mbledhja e së enjtes e Këshillit të Sigurimit për çështjen e përdorimit të monedhës serbe, dinarit, në Kosovë u shndërrua në fakt në një betejë midis dy protagonistëve kryesor në konfliktin shqiptaro-serb, kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiq. Unë besoj së praktikisht zoti Vuçiq në këtë rast pësoi si Vuk Jeremiq dikur, kur ai kishte dërguar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë çështjen e ligjishmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Atë kohë, më 2009-tën, ministri i Jashtëm i Serbisë, Jeremiq, ra në kurth kur dërgoi në atë gjykatë kërkesën për ta shpallur të paligjshme shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Ajo gjykatë shpalli vendimin e saj më 22 korrik 2010 në të cilin thuhet se “Pavarësia e Kosovës është e bazuar në të drejtën ndërkombëtare, si dhe në pajtim me Rezolutën 1244”!” – deklaroi profesori.

Gjithashtu, Bytyçi tha se Vuçiqi me diskutimet e tij u shndërrua në rolin e Jeremiqit, madje tha se me fjalimin e tij, presidenti serb e konfirmoi se është një mashtrues tipik.

Madje, tha se Kurti ia “çmontoi” propagandën serbe dhe ia demantoi gënjeshtrat e tij.

Image

Profesori Enver Bytyçi

“Edhe më 8 shkurt 2024, Aleksandër Vuçiq shkoi në Këshillin e Sigurimit “si cjapi te kasapi”! Në vend të vinte vetulla, ai nxori edhe sytë, pavarësisht se vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit i kërkuan zotit Kurti të japë kohë për zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës sa i përket përdorimit të dinarit në vend. Opozita e Kosovës ka material për ta sulmuar qeverinë, sepse është e vërtetë se vendet mike të Kosovës janë kundër zbatimit të menjëhershëm të këtij vendimi. Por ballafaqimi në këtë Këshill i dy liderëve përkatës, atij të Kosovës dhe të Serbisë, e shndërroi presidentin serb në rolin e Jeremiqit.

Gjithkush në botë që ka ndjekur fjalën e këtyre dy liderëve në Këshillin e Sigurimit ka kuptuar faktin se Aleksandër Vuçiq jo vetëm është fjator dhe përgjegjës për masakrat serbe në Kosovë, por është gjithashtu një mashtrues tipik politik. Ai e kishte ndërtuar propagandën e tij në shifra, pa dhënë asnjë fakt, asnjë provë, thjesht për të krijuar iluzionin se “Serbët në Kosovë jetojnë nën terror”! Por fjala e zotit Kurti e demantoi plotësisht rrenën serbe të Aleksandër Vuçiq. Ky është për mua efekti më pozitiv i fjalës së zotit Kurti. Çmontimi i propagandës serbe kishte ndodhur vetëm një herë në historinë e re të Kosovës, kur i madhi Ibrahim Rugova e bindi botën demokratike se problemi e agresori në Ballkan është Serbia dhe shqiptarët janë viktima”, theksoi ai.

Krahas kësaj, profesori vlerësoi se Kurti po shkon rrugës së Rugovës për demaskimin e politikave mashtruese të Beogradit, derisa kritikoi ish-liderët e Kosovës dhe planet e tyre për ndarjen e Kosovës.

“Është hera e dytë që ndodhi ky fenomen në ballafaqimin Kurti-Vuçiq. Rugova e beri demaskimin e agresorëve serbë në Kosovë, pa ballafaqim direkt më udhëheqësit fashistë të Beogradit. Pasardhësit e tij e patën mundësinë që ta bëjnë këtë në katër sytë e debatit midis tyre. Fatmir Sejdiu arriti të ruajë dhe të mbrojë në kushtet e realpolitikës së kohës interesat e Kosovës gjatë bisedimeve për statusin e saj. Por më pas zhvillimet shkuan në favor të Serbisë, pikërisht për faktin se liderët e Kosovës hoqën dorë nga politika e demaskimit të demagogjisë, rrenave dhe mashtrimeve të Beogradit. Madje “qeni i shtëpisë” (Kosovës) u bë me “ujkun” kundër vendit të vet! Deshën ta copëtojnë Kosovën dhe t’i ricopëtojnë trojet shqiptare! Ky ishte kulmi i tradhtisë kombëtare! Ata që u përfshinë në këtë mision, kudo qofshin, do t’i ndëshkojë historia.

Albin Kurti dëshmoi të enjten e shkuar se vijon me devotshmëri në rrugën e Rugovës për të demaskuar politikat mashtruese të Beogradit. Por nuk e ka aq lehtë! Sepse vendet mike të Kosovës, edhe pse e dinë faktin se presidenti serb është mashtrues klasik, e tolerojnë atë për arsyet që vetëm ata i dinë. Në këto kushte ka vështirësi në demaskimin e plotë të Serbisë përballë të drejtës së pamohueshme të Kosovës. Por, nuk është e pamundur. Serbia del lakuriq para botës, ashtu siç është, e pabesë, autokrate, destruktive, dhunuese, nëse Kosova vazhdon rrogën e demokratizimit të plotë të shtetit dhe shoqërisë”, nënvizoi Bytyçi.

Më tej, ai kërkoi nga liderët e Kosovës dhe gjithë politikënët, përfshirë ata të opozitës, që të flasin si viktimë e Serbisë dhe të mos lejojnë që Vuçiqi të paraqitet si viktimë.

“Natyrisht që fjalët e liderëve të saj, sidomos kryeministrit dhe presidentes Osmani kanë shumë rëndësi dhe fuqi demaskimi. Por liria, e drejta, demokracia janë instrumentet kryesore. Këto janë armë që duhen përdorur me shumë sukses kundër qeverisë dhe presidentit autokrat të Serbisë. Vetëm kësisoj del në pah fytyra e vërtetë e tyre. Kurti, zonja Osmani dhe të gjithë politikanët e Kosovës, përfshirë ata të opozitës, duhet në kor të flasin si viktima të Serbisë. Ndonjë që e bën Vuçiqin viktimë dhe Kurtin agresor, ai nuk besoj se është shqiptar! Viktimat e vërteta të Serbisë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë vetëm shqiptarët e Kosovës në këtë Ballkanin tonë të trazuar. Ky fakt duhet përmendur kudo e me këdo. Duhet përsëritur pa u mërzit asnjë çast me fakte, prova dhe dëshmi të vjetra e të reja. Ndryshe, Serbia me mashtrimet e saj do të dakë “e pafajshme”, thjesht për interesa strategjike e gjeopolitike, madje edhe të miqve të Kosovës”, shpejgoi profesori.

Ndër të tjera, Bytyçi tha se duhet të bëhet demaskimi i plotë i propagandës fashiste e mashtruese të shtetit serb, sepse ajo propagandë çon në luftë.

“Mbledhja e shkuar e Këshillit të Sigurimit u shfrytëzua me sukses në këtë drejtim. Kjo duhet të vazhdojë të përhapet në çdo aspekt, në çdo rrethanë. E di se serbët e ndoshta edhe ndonjë politikan shqiptar do të vazhdojë të thotë “Ta harrojmë se çka ndodhur, të shohim përpara”! Por, përpara shkohet kur pranohet e vërteta dhe ndalen mashtrimet serbe për gjoja “Genocidin shqiptar kundër serbëve”! Akuzat e sotme të Beogradit të kujtojnë memorandimin famëkeq të Akademisë së Shkencave të Serbisë të vitit 1986, kur Kosova ishte vënë nën terror. Të kujtojnë rastin Martinoviç! Duhet demaskuar plotësisht kjo lloj propagande tipike fashiste e mashtruese, sepse ajo propagandë çon në luftë, siç ndodhi me sulmet ushtarake ruse në Ukrainë!” – përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Read Entire Article