Biden: Hamasi i frikësohet izraelitëve dhe palestinezëve që jetojnë krah për krah në paqe

10 months ago 10
09:39 29/11/2023

Teksa në Katar vijojnë bisedimet për një zgjatje të mundshme të armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit Joe Biden ka thënë se lejimi i vazhdimit të konfliktit në Gaza “do t’i japë Hamasit atë që ata kërkojnë”.

Presidenti i SHBA tha se Hamasi filloi sulmet më 7 Tetor sepse i frikësohej “asgjëje më shumë se izraelitët dhe palestinezët që jetojnë krah për krah në paqe”, raporton BBC.

“Të vazhdosh rrugën e terrorit, dhunës, vrasjeve dhe luftës do të thotë t’i japësh Hamasit atë që ata kërkojnë,” tha ai në X, i njohur më parë si Twitter.

Postimi i tij në “X” shkaktoi konfuzion, me disa pyetje nëse Biden po sinjalizonte një zbutje të qëndrimit të SHBA-së ndaj konfliktit.

Biden ka kundërshtuar më parë një armëpushim, duke thënë se ai nuk do të sillte paqe mes Izraelit dhe Hamasit.

“Për sa kohë që Hamasi i përmbahet ideologjisë së tij të shkatërrimit, një armëpushim nuk është paqe,” shkroi ai në një artikull të opinionit të Washington Post në fillim të këtij muaji.

Por një zyrtar i lartë nga administrata e Biden tha për Jeëish Insider se reagimi i tij “nuk ishte një ndryshim në politikë”, duke shtuar se ai erdhi nga një fjalim më i gjatë që ai mbajti javën e kaluar.

“Ai donte të thoshte se ne nuk mund të humbasim shpresën për paqen, në fund të fundit, në rajon, se është ende tepër e rëndësishme që ne të vazhdojmë të hedhim bazat dhe të krijojmë kushtet për një paqe të qëndrueshme dhe që përfshin një zgjidhje për dy shtetet”, tha zyrtari./tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article