BIRN: ‘Rikthimi i vonuar’ i baritonit Gëzim Myshketa në Durrës

2 months ago 6
Reklamë

Nga Gëzim Kabashi

Gëzim Myshketa, baritoni i njohur ndërkombëtarisht, është rikthyer në Durrës, qyteti i tij i lindjes me një projekt të qartë.

Këngëtari lirik 42-vjeçar kërkon të sjellë operan në qytetin turistik, i cili, sipas tij “ka më shumë se sa Tirana, dy elemente të paimitueshëm “detin dhe antikitetin”.

Në një intervistë për BIRN, Myshketa flet për familjen e tij “plot me artistë”; për rrugën profesionale 20-vjeçare në të gjitha skenat e Europës, dhe kontinente të tjerë, si dhe për nevojën e një komunikimi të drejtpërdrejtë të kësaj përvojë me trashëgiminë artistike dhe kulturore të qytetit të tij.

“Rikthimi im është i vonuar,” tha Gëzim Myshketa, i cili sidoqoftë ka qenë i pranishëm në disa projekte të përbashkëta me TKOB në Tiranë, duke iu rikthyer marrëdhënies me qytetin e lindjes me shprehjen latine: “Nemo profeta in patria”.

Sipas Myshketës “është një përzierje ndjenjash: emocion, obligim, dëshirë. Liceu i Durrësit patjetër ka lënë gjurmë në përgatitjen time njerëzore dhe profesionale. Isha fëmijë. Për mjaft mësime shkoja në Tiranë dhe kemi bërë mjaft sakrifica familjarisht. Veçanërisht nëna ime, që pas pune më shoqëronte për mësimet e kantos me pedagogen prof. Suzana Frashëri.

Muzikantët brenda familjes Myshketa kanë ndikuar jo pak në rrugën e Gëzimit, “ne veçanti babai im Refik Myshketa – baterist i orëve të para dhe të vona”. Më tej xhaxhai im Petrit Myshketa – fizarmoniçist dhe karakter i hedhur, të cilin ia kam xhelozuar shumë. Në fund por jo nga vlerat, xhaxhai tjetër Skender Myshketa – pianisti fisnik në vlera dhe nota” e mbyll këngëtari lirik tregimin për familjarët artistë.

Gëzim Myshketa ngjitet në skenën e pallatit të kulturës i vogël në moshë, nen kujdesin e QKF, ishte fillimi i viteve 1990. Ecuria e tij merr formë në shkollën e mesme artistike “Jan Kukuzeli” në Durrës.

Me një grup bashkënxënësish këngëtari i ardhshëm lirik bëhet protagonist i koncerteve të përditshme në kampet e refugjatëve kosovarë nga Qerreti në Hamallaj.

Mësuesit e këshillojnë të mos abuzojë me vokalin, por Myshketa e ka edhe sot një përgjigje.

“Unë kam qenë fëmije kapriçoz . Njëlloj si atëherë, edhe tani kam vënë përpara gjithnjë ndjenjat, e kam dëgjuar zemrën, më tepër se mendjen dhe logjikën e ftohtë”.

Pastaj i kthehet vitit 1999: profesorët më thonin të bëja kujdes, por unë kisha dëshirë të zjarrtë që të ndihmoja me zërin tim, në shuarjen sado pak të dhembjes së vëllezërve tanë, viktima të luftës”, tha artisti për BIRN, duke shtuar:

“Atë periudhë e mbaj mend si një kohë të vështirë e të vuajtur, por jam shumë krenar për kontributin tim modest prej adoleshenti 17 vjecar”.

Baritoni Gëzim Myshketa të shtunën do të jetë protagonist i koncertit që po organizohet në Amfiteatrin antik të qytetit. “Kam kënduar për herë të fundit në Durrës 12 vjet më parë,” i kthehet Gëzimi koncertit për 100-vjetorin e Pavarësisë.

Kënga e parë do të jetë “Të falem i bukuri Durrës”, një variant i ripërpunuar nga Kel Guga me bandën e tij fantastike të jazz/it. Sipas këngëtarit të shquar lirik “kënga e kënduar dikur nga Bilbili i Durrësit – Qemal Kërtusha është melodia më e ndjerë, e kompozuar deri më sot kushtuar qytetit nga gjenialiteti i Enver Mares dhe nga fjalët e sinqerta të Hysen Çelës”.

“Të falem i bukuri Durrës” është një himn që duhet risjellë në skenë,” nënvizon Myshketa.

Më tej thotë: Por projekti që unë ëndërroj prej kohësh është “Opera në Durrës”. Ka ardhur koha të realizohet dhe unë jam në dispozicion.

Sipas artistit durrsak, më shumë se sa infrastruktura, “burimet njerëzore mbeten problemi kryesor. Jo në numra, saktëson ai, por në përgatitjen e duhur për realizimin e eventeve specifike artistike.

“Infrastrukturat janë dhe aty ku nuk janë krijohen,” vëren baritoni.

“Durrësi nga Tirana ndryshon në faktin që e dyta është kryeqytet, dhe ka mundësi më të mëdha e një infrastrukturë të mirë provuar”.

Gëzim Myshketa vijon duke thënë: “duhet të mbarojë përfundimisht sensi i inferioritetit në krahasim me Tiranën. Ne kemi dy elemente fantastikë që Tirana nuk i ka: Antikitetin dhe Detin. Çdokush lufton me armët që ka – këtë duhet të bëjmë edhe ne”.

Kalendari vjetor i viteve 2010 në Durrës përfshinte disa festivale si Poeteka, ai I Dancit modern dhe kontemporan, festivali NMK Bienale e muzikës klasike, Festivali Ndërkombëtar i muzikës së dhomës, etj. Mjaft prej tyre nuk funksionojnë aktualisht për mungesa financiare, por edhe vullneti.

DOA (Opera në Durrës) realizohet krejtësisht falas, pra me asnjë fond të kërkuar, si dhe me disa shpenzime krejtësisht personale.

Por logjikisht nuk mundet të funksionojë gjatë në këtë mënyrë.

Bashkia këtë herë ka dhëne ndihmë të pakursyer në njerëz , infrastrukturë, me mbështetje të plotë. Në vitet në vazhdim nëse do të dëshirojnë që Durrësi të kthehet në qendër specializimi ndërkombëtar të Kantos dhe të mos ta “rrëmbejë” si gjithnjë Tirana, do të duhet një përpjekje financiare”.

Shkolla artistike “Jan Kukuzeli”, “paradhoma e profesionit”, siç e quan artisti lirik, do të jetë afër projektit të Myshketës, por njëlloj ai fton edhe muzikantët durrsakë, që punojnë në orkestra të ndryshme, në Shqipëri dhe nëpër botë janë bashkëpunëtorët e mundshëm, të cilët baritoni i njohur i fton publikisht: I ftoj miqtë e mijë muzikantë durrsakë ti bashkohen çdo nisme për të mirën e Durrësit. Dera është e hapur!-përfundon artisti shqiptar Gëzim Myshketa./BIRN ALBANIA

Read Entire Article