Biserko “godet” Lajçakun për Urën e Ibrit, jep paralajmërimin e “fortë”: Çka do të ndodhë me ardhjen e “Zonjës së hekurt të Evropës”

2 months ago 6

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka kritikuar emisarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Miroslav Lajçak. Ajo ka komentuar deklaratën e emisarit sllovak se hapja e Urës së Ibrit mund të nxitë tensione të reja dhe se kjo çështje duhet të përfshihet në tryezën e bisedimeve në Bruksel. Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka deklaruar se hapja e kësaj ure nuk është kundër askujt, por në të mirë të banorëve të asaj pjese.

Sipas Biserkos, Lajçakut i mungon autoriteti për të detyruar të dyja palët të zbatojnë atë që është rënë dakord. Ajo ka theksuar se qëllimi i Beogradit është ndarja e Kosovës.

“BE-ja, konkretisht Lajçak, nuk ka qenë ndërmjetësi më i suksesshëm. Duket se atij i mungon autoriteti për të detyruar të dyja palët të zbatojnë atë që është rënë dakord. Beogradi përfiton nga tensionet dhe ruajtja e status quo-së, duke shpresuar se do të krijohet një mundësi për ndarje. Prandaj, çdo përpjekje për të normalizuar gjërat në Beograd portretizohet si ngritje e tensioneve”, ka thënë Biserko për gazetën “Bota sot”.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, ka komentuar edhe refuzimin e kryeministrit Kurti për takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe vendosjen e tri kushteve të tij.

Ajo takimin e 26 qershorit e ka vlerësuar si përpjekje të shefit të diplomacisë së BE-së Josep Borrell, për të ruajtur vrullin në dialog.

“Ishte e qartë se kjo ishte një përpjekje e komisionerit në largim Borrell, për të ruajtur vrullin në dialog. Ishte e qartë se nuk kishte asnjë shans për ndonjë përparim të rëndësishëm”, ka theksuar Sonja Biserko.

Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, do të jetë shefja e re e diplomacisë së BE-së. Ajo është quajtur shpesh “Zonja e re e Hekurt e Evropës”, ​​dhe ajo ka theksuar vazhdimisht se i jep mbështetje të plotë Kosovës në rrugën e saj euroatlantike.

Sipas Biserko, Kallas do të angazhohet seriozisht në Ballkan, kundër operimit të Rusisë.

“Kaja Kallas padyshim që do të jetë shumë e angazhuar në të gjitha çështjet ku Rusia ka potencial për të destabilizuar apo rritur tensionet. Nisur nga vendi nga vjen, ajo është shumë e njohur me metodat e operimit të Rusisë dhe pres që ajo të përfshihet seriozisht në Ballkan, ku Rusia po nxit tensione dhe po destabilizon rajonin”, ka deklaruar ajo për “Bota sot”.

comment

Read Entire Article