Blinken mbërrin në Tel Aviv, thirrje për armëpushim për të lejuar ndihmën humanitare në Gaza

10 months ago 39
Reklamë

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken thotë se do të diskutojë hapat konkretë për të minimizuar dëmtimin e civilëve në Gaza në vizitën e dytë në Izrael brenda një muaji

Shtëpia e Bardhë njofton se Blinken pritet t’i kërkojë qeverisë izraelite që të pajtohet me ndalimin e luftimeve në Gaza.

Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se Shtetet e Bashkuara nuk po mbrojnë një armëpushim të përgjithshëm, por një pauzë “të përkohshme, të lokalizuar”.

Duke u larguar nga Uashingtoni, Blinken e paralajmëroi se do të diskutonte hapat konkretë për të minimizuar dëmtimin e civilëve në Gaza gjatë vizitës së tij në Izrael.

Që kur militantët e Hamasit sulmuan Izraelin më 7 tetor duke vrarë 1,400 izraelitë, të paktën 9,061 palestinezë janë vrarë në luftë, kryesisht gra dhe fëmijë dhe më shumë se 32,000 njerëz janë plagosur, tha të enjten ministria e shëndetësisë në Gaza.

Numri i të vdekurve është i paprecedentë në dekadat e konfliktit izraelito-palestineze, raporton Associated Press.

Më shumë se 3,700 fëmijë palestinezë janë vrarë në 25 ditë luftimesh, më shumë se gjashtëfishi i 560 fëmijëve që OKB-ja kishte raportuar të vrarë në 19 muajt e luftës në Ukrainë deri më 8 tetor.

Bombardimet kanë dëbuar më shumë se gjysmën e 2.3 milionë banorëve të territorit nga shtëpitë e tyre. Ushqimi, uji dhe karburantet po mbarojnë nën rrethimin e Izraelit dhe spitalet e mbingarkuar paralajmërojnë se janë në prag të kolapsit.

Top Channel

Read Entire Article