Edhe këtë të Premte, për herë të dytë, dështoi mbledhja e Komisionit të Reformës Zgjedhore.
Ishin deputetët e opozitës ata të cilët nuk lejuan zhvillimin e punimeve duke u ulur në karriget e kolegëve të mazhorancës. Këta të fundit, janë detyruar më pas të largohen nga Kryesia e Kuvendit.
47 deputetë opozitarë i kanë drejtuar një shkresë dje Kryetares së Kuvendit për ndryshimin e përbërjes së komisionit, me argumentin se 2 bashkëkryetarët aktualë Damian Gjinkuri dhe Enkeled Alibeaj nuk kanë dhënë asnjë rezultat prej 22 muajsh.
Kujtojmë se OSBE/ODIHR-i u ka bërë thirrje partive kryesore në vend që të gjejnë gjuhën e dialogut dhe të angazhohen në realizimin e reformave në mënyrë që të zgjidhet çdo problematikë që lidhet me procesin zgjedhor në Shqipëri. Ambasadorja e misionit në Tiranë Clarisse Pasztory ka takuar javën e shkuar kreun e grupit të PD Gazment Bardhi si dhe dy bashkëkryetarët e Komisionit të “Zgjedhores”.
Ndërsa Gjinkuri e Alibeaj kanë kërkuar atashimin e ekspertëve ndërkombëtarë për t’i ardhur në ndihmë punës së këtij komision, Bardhi hodhi akuza ndaj tyre duke thënë se rifillimi i punimeve është një fasadë. Ai u shpreh për mediat se demokratët i besuan fillimisht Alibeajt, por ai nuk e realizoi detyrën e tij./tvklan.al
Të ngjashme