“Bravo Kurti me përgjigjen!”, Ngjela komenton deklaratën e kryeministrit: Ja pse Kosova s’mund të ketë marrëveshje me Serbinë

2 hours ago 21

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se Serbia dëshiron prioritet të ketë draf-statutin për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Nga ana tjetër, Kosova sipas tij, do Marrëveshjen Bazike që në qendër e ka njohjen e ndërsjellë defakto.

“Marrëveshja bazike është kryefjala e raporteve të Kosovës dhe Serbisë, mandej vijnë të tjerat”, ka thënë ai.

Qëndrimin e kreut të ekzekutivit të Kosovës, e përkrah edhe avokati i njohur shqiptar Spartak Ngjela. Ai për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Kurti po respekton pavarësinë e Kosovës, pasi kjo e fundit nuk mund të ketë marrëveshje juridike me një shtet që nuk ia njeh pavarësinë e saj.

“Kryeministri Kurti është në nivel të lartë të respektimit të pavarësisë së Kosovës. Kurse Beogradi mashtron me dredhi që e kuptojnë edhe mendjet adoleshente.

Zotërinj, Kosova nuk mund të ketë marrëveshje juridike territoriale, me një shtet që nuk i njeh pavarësinë. Le të rrijë Beogradi në ëndërrimet irracionale që ka.

Kush nuk e njeh Kosovën si shtet i pavarur nuk mund të ketë asnjë marrëdhënie juridike me Kosovën”, ka deklaruar avokati Ngjela.

Teksa ka përgëzuar Kurtin për deklaratën, ai ka kërkuar nga Kosova që të mos bëjë lëshime ndaj agresorit – Serbisë.

“Bravo Kurti me përgjigjen! Sepse, me Serbinë, Kosova është fituese në dyluftime kundër saj. Asgjë nuk bëjnë dot serbët, se sot janë të mundur në një luftë ku vetë Serbia ka qenë agresori.

Asnjë lëshim për agresorin e mundur - kjo është aksioma e politikës së madhe në qytetërimin Perëndimor. Suksese Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti! Por, dhe vetë ushtrisë patriote të Kosovës. Suksese”, ka theksuar Spartak Ngjela për “Bota sot”.

Duke folur për Asociacionin, Kurti ka thënë se Asociacioni që po e kërkon Serbia, do ta minonte Kushtetutën. Sipas tij, e njëjta vlen edhe për garancitë specifike për kishat dhe manastiret ortodokse.

“Ne gjithashtu angazhohemi që të dëgjojmë kërkesat e të gjitha komuniteteve pakicë në vendin tonë dhe të peshojmë kërkesat politike bazuar në ndikimin e tyre te njerëzit e zakonshëm dhe në fund të fundit në bazën ligjore që i mbron ata. Një kërkesë e tillë është për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Asociacioni që po e kërkon Serbia, pa e njohur fillimisht Kosovën, do të kërkonte të merreshin fuqi ekzekutive, qoftë nga Qeveria, qoftë nga komunat, gjë që do ta minonte Kushtetutën tonë. E njëjta gjë vlen edhe për garancitë specifike për kishat dhe manastiret ortodokse të cilat gëzojnë zona të veçantë mbrojtëse nga dhjetëra deri në mijëra hektarë. Kësaj kërkesë do t’i duhej qeverisje nga një shtresë që nuk është e rregulluar ligjërisht për të ofruar gamën e gjerë të mbrojtjeve të cilat rendi i tanishëm veçse i ofron. Ky është një rast kur kërkesa për më shumë është në fakt një ofertë më pak”, ka deklaruar Kurti gjatë një adresimi të tij ndaj komunitetit të Harvardit, organizuar nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Harvardit.

comment

Read Entire Article