Ca vargje të Naimit për çeçenët (Një përgjigje për Genc Pollon)

1 month ago 8
Reklamë

Nga Pëllumb Kulla

Eh, more Genc Pollo, kisha kohë që nuk ta kisha dëgjuar zërin!

Kishe mbetur po ai!E të them të drejtën më kishte marrë malli… Dhe të vura re: gjithmonë besnik, gjithmonë interesant, tejet kërkues, gjithmonë patriot me kërkesa të larta estetike!
Ja!… U kishe rënë në qafë atyre dy çeçenëve që morën medaljet olimpike nën flamurin shqiptar, pa ditur ata fakirët asnjërin nga vargjet e Naim Frashërit!…

Më ke vënë gjishtin në një nga brengat e mia…

Eh, si është bërë bota, more Genc i dashur. Kokolepsur e ngatërruar që mos e pyet! Prishur kufijtë dhe hapur portat e botës! Dhe sot ke në Shqipëri çeçenë, neozelandezë, taxhikë… Ama, ke edhe shqiptarët e tu, që bëjnë goxha biznese atje tej, në Zanzibar!…

M’u kujtua i ndjeri Devole kur rrëfente për nipërit e tij të veckël dhe qahej se nipi japonez i pat hedhur duart në fyt nipit tjetër të Koços, atij norvegjezit!…

Duke lexuar pakënaqësinë tënde për çeçenët që kishin ngritur flamurin a e Shqipërisë në Olimpiadë, m’u kujtua dhe ajo ndeshja e futbollit para 4 ditësh, po në Paris, kur skuadra franceze kishte nxjerrë në fushë njëmbëdhjetë lojtarë që të gjithë me ngjyrë! Asnjë të bardhë! Me siguri ishin shtetas francezë, por të ardhur nga Afrika! Leri pastaj amerikanët, që me kohë e kanë bërë sportin ujem. Morën medaljet saç morën të gjithë vendet e tjera, por i morën me sportistë me rrënjë të huaja, irlandezë, rusë, polakë, italianë, japonezë edhe kinezë. Se në fakt në Shtetet e Bashkuara thuajse amerikanë të vërtetë nuk gjen!

Edhe ty, sikurse mua, të erdhi mirë që dy çeçenët me ato dy medaljet e bronxit bënë të valvitej flamuri shqiptar, por ty të kishte ardhur mbase edhe një urdhër nga ai ballkoni, që ta ktheje e të bëheshe helm e pikë, ngaqë të dy ata nuk dijnë vargje as nga Fishta as nga Naimi! Në fakt, siç të kuptova unë që të njoh thellë, ti e kishe me Ramën, jo me mundësat, por gjej sebepe të tjera t’i biesh Ramës. E Ramës mund t’i gjesh sebepe plot. Dhe të jemi të hapur, as Rama dhe as ata që ngrohën para tij kolltukun e kreut të vendit, nuk se nuk i ze gjumi për sportin e për artet!

Sportistët nga Çeçenia pa ato vargje dhe morën bronxe! Të dinin të gjorët mundësa vjershat e Naimit, për nder, ata mund të kishin përlarë edhe medaljet e arit!

Por edhe të arta të ishin, prapë Ramës e Veliajt nuk do t’ua kishim për borxh vetëm se ngjeshën nga një vulë në ca kërkesa azili! (Bile ca thonë se njëri nga ata mundësat, po e humbte ndeshjen e tij, por në pushim mes raundeve, traineri i dha lajmin që në Tiranë i qe miratuar azili. I qe miratuar bash në fund të raundit të dytë! Dhe ai u ngrit vërtik, u kthye në tapet i shndërruar në tigër! Dhe fitoi!)

Sa kohë të gjendesh me sytë përpjetë nga ballkonet dhe penxheret, ti dhe shokët e tu, o i miri Genc, do vazhdoni të mallkoni edhe diellin që ngroh atë vend. Sa të jetë ky Ramë në pushtet, do të mos iu gëzojë as një lule që mbin në Shqipëri.

Bre bre, nuk ditkan sportistë të lindur kushediseku, vargjet e Naim Frashërit! Po ata të lindurit këtu, je i sigurtë se i dijnë?

Edhe unë u bije kot në qafë gjithë sportistëve… Merrua celularët deputetëve në sallën e kuvendit dhe u kërko, po nuk dorëzuan dy vargje nga Naimi do përjashtohen nga parlamenti!

Nga njëqindedyzet zor të të mbeten aty jo më shumë se njëzetepesë vetë!

Hë!… Kujt u nevojiten më shumë vargjet e Naimit për të merituar medalje!

Read Entire Article