Çfarë do t’i sjellë Kaja Kallas dialogut Kosovë-Serbi? Ky mund të jetë zëvendësuesi i Lajçakut

2 months ago 7
Reklamë

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka folur lidhur me ndryshimet që pritet të ndodhin në Bashkimin Evropian, Shefi për Politikë të Jashtme dhe Siguri në Evropë, Joseph Borrell dhe ndërmjetësi në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak do të largohen nga pozitat e tyre.

Sic thotë Bytyçi, ky është një lajm i mirë për Kosovën, pasi të dy, Borrell e Lajçak e kanë dëshmuar se ishin kundër Kosovës, e pro Serbisë.

"Zëvendësimi i të ngarkuarit për Politikë të Jashtme dhe Siguri në Evropë, Joseph Borrell dhe ndërmjetësit Mirosllav Lajçak, tashmë është i ditur. Asnjëri prej këtyre të dyve nuk do të jetë më në detyrën që kryen gjatë përiudhës së legjislaturës së fundit të mandatit evropian. Kur këta të dy u zgjodhën në postet që së shpejti do t’i dorëzojnë, kishte një situatë tjetër të zhvillimeve evropiane dhe ndërkombëtare. Rusia ende shihej si mundësi e jo si përjashtim i mundësive. Për pasojë edhe Serbia shihej si mundësi që me mjete diplomatike e politike të afrohej me perëndimin euro-atlantik. Ndaj dhe për Kosovën e dialogun e saj me Serbinë u zgjodhën dy diplomatë, që vinin nga dy vende mike të Serbisë e deri diku edhe të Rusisë", thotë Bytyçi.

Sipas tij, që kur u zgjodhën ata në këto funksione, ishte paraparë se do të anonin nga Serbia dhe do t’i kundërviheshin Kosovës.

"Se do të toleronin Serbinë dhe do të ndëshkonin Kosovën. Kështu që ata e kryen misionin për të cilin u ngarkuan. I dhanë mundësi Serbisë që të rehabilitohej e më pas panë te ajo se nuk ndryshon. Mirëpo edhe pse Serbia nuk ndryshon në marrëdhëniet e saj me Moskën, as Borrell e as Lajçak nuk ndryshuan në raport me Serbinë. Kjo fabul krijoi ngërçin e detyrës që kryenin. Pavarësisht se paraardhësja e Borrell, pra Frederica Mogherini ishte akoma më pro-ruse e pro-serbe sesa pasardhësi i saj, që shkoi deri te ideja e ndarjes së Kosovës. Tani Evropa jeton një situatë krejt tjetër sesa ajo e para pesë viteve. Agresioni rus kundër Ukrainës ka hyrë në vitin e tretë të saj. Vladimir Putin shihet tashmë si kërcënimi më i madh i Evropës dhe paqes në botë. Borrell dhe Lajçak, si dhe urat e lidhjes që ata kishin me Rusinë nuk shërbejnë më për ndonjë dobi të qenësishme. Ndaj ata nuk mund të jenë në ato funksione e detyra, të cilat e kryen deri më sot", shton Bytyçi.

Image

Enver Bytyçi

Por kush do t’i zëvendësojë Joseph Borrelin dhe Miroslav Lajçakun?

"Joseph Borrell, sipas të gjitha gjasave, do të zëvendësohet nga ish-kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas. Ajo do të marrë detyrën e shefit të marrëdhënieve me Jashtë, pra të politikës së Jashtme dhe të Sigurisë në Bashkimin Europian. Ajo është kryeministre e Estonisë prej janarit të vitit 2021, e për pasojë edhe anëtare e Këshillit Evropian. Por me marrjen e detyrës së re në Bruksel do të duhet të heqë dorë nga detyra aktuale. Kallas është e kundërta e Borrell, sa i përket qëndrimeve ndaj agresionit rus në Ukrainë e për pasojë e sheh ndryshe edhe bashkëpunimin e Serbisë me Moskën. Nëse Beogradi u tolerua në qëndrimin e evt ndaj Vladimir Putin, duke mos vënë sanksione kundër Rusisë, kjo me siguri nuk mund të ndodhë me Kaja Kallas", thekson profesor Bytyçi.

"Ajo është përballur direket me këtë agresion. Ajo dhe vendi i saj ndjehen të kërcënuar pashmangshmërisht nga Moska, sidomos përmes Kaliningradit të future si pykë në afërsi të vendeve baltike dhe Polonisë. Kryeministrja estoneze, kandidate për shefe të diplomacisë evropiane, ka qenë në vijën e parë të iniciativave dhe aktivitetit kundër rrezikut rus në Europë. Dhe kjo ka ndodhur, sepse nëse Rusia e fiton luftën në Ukraine Estonia, Lutiania, Letonia dhe Moldavia janë e do të ishin viktimat e para të agresionit në vazhdim. Kaja Kallas e kupton më mirë se Borrell e Lajçak çfarë do të thotë të kesh Rusinë dhe ushtarin rus në territorin e vendit tënd. Shteti estonez u krijua në vitin 1918, por në vitin 1941 ra nën pushtimin e Bashkimit Sovjetik të Stalinit dhe pas Luftës së Dytë Botërore, deri në vitin 1990 ishte pjesë e federatës së Bashkimit Sovjetik. Ushtarët rusë e kanë shkelur atë vend për rreth 50 vite, e kanë sunduar dhe e kanë shtypur. Estonia dhe vendet që përmenda më lart kanë në përbërje popullsi me etni ruse dhe këto vende e ndjejnë se çdo të thotë kjo për të qenë si motiv i Kremlinit në agresionet e ardhshme në funksion të krijimit të botës serbe", shpjegon më tej Bytyçi.

Prandaj sipas tij, edhe qëndrimet e Kaja Kallas do të jenë krejt ndryshe nga ato të Borrell.

"Këto ndryshime shihen si domozdoshmëri. Por Kallas do të propozojë edhe një ndërmjetës si vetja e saj në dialogun Kosovë-Serbi. Parandjes se ai do të jetë nga dy vendet anëtare të BE-së, dikur pjesë e ish-Jugosllavisë, pra Sllovenia ose Kroacia. Do të ishte mirë që edhe Kroacia të propozonte një figurë politike dhe diplomatike të kompletuar për këtë funksion. Ish-presidenti slloven, Pahor, është vetëpropozuar. Për mua nuk është i papranueshëm. Nuk e di dhe jam skeptik, nëse do ta pranonte Beogradi. Por kështu është cikli. Shqiptarët nuk e donin zotin Lajçak, tani serbët le të mos e duan pasardhësin e tij. Jo gjithmonë Drini duhet të nxjerrë peshk për dikë e për dikë tjetër jo!", përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi.

Read Entire Article