Çfarë “fshihet” pas deklarimit të vonuar për sulmin në Banjskë, politikani serb: Na bën të dyshojmë se...

4 months ago 10

Sulmi terrorist në Banjskë të Zveçani dhe autorët e këtij sulmi janë rikthyer në vëmendje.

Në raportin e diskutuar të shtunën e kaluar në komisionin për mbrojtje e siguri në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s, është shkruar që misioni i KFOR u morë vesh me sulmuesit që të ikin nga kishin ardhur.

“Zyrtarët e KFOR-it negociuan tërheqjen e pjesës tjetër të grupit në pyjet përreth, ku ata ishin zhdukur. (ICG, 2024). Autoritetet e Kosovës besojnë se potencialisht qindra sulmues të tjerë po fshiheshin në pyjet mes Banjskës dhe kufirit serb dhe ata zbuluan një arkivë të madhe armësh të gatshme për të shkaktuar dëme dhe viktima. Kjo përfshinte raketat anti-tank, granata hedhës, minat anti-tanke dhe 24 makinat (njëra e blinduar) (ICG, 2024)”.

Por, pas disa ditësh KFOR ka reaguar duke mohuar një gjë të tillë duke thënë se kjo “është e pasaktë”.

“Grupi Ndërkombëtar i Krizave së fundmi publikoi një raport të titulluar “Veriu i Kosovës: Pohimi i sovranitetit mes besnikërisë së ndarë”. Në rrëfimin e tij për dhunën që ndodhi në Banjska në shtator 2023, raporti thotë se: “Duke pasur frikë nga një gjakderdhje, KFOR-i negocioi tërheqjen e grupit [luftëtarëve serbë] në pyjet përreth, nga të cilat ata u zhdukën”. Kjo është e pasaktë. Në asnjë moment KFOR-i nuk ishte i përfshirë në negociatat e supozuara”, thuhet në një kumtesë për media.

Siç shkruajnë aty, KFOR-i u koordinua ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) për të rivendosur sigurinë në zonë.

“Dhuna që ndodhi në Banjska erdhi pas një sulmi kundër paqeruajtësve të KFOR-it në maj të vitit 2023, i cili rezultoi në plagosjen e 93 personelit të KFOR-it, disa prej të cilëve pësuan lëndime të rënda. NATO ka mbajtur gjithmonë qëndrimin se faktet duhet të vërtetohen dhe autorët duhet të përballen me drejtësinë. Pas dhunës, NATO ka dislokuar rreth 1000 paqeruajtës shtesë dhe forca të blinduara më të rënda në Kosovë. Ky ka qenë përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë në një dekadë; dhe kjo tregon se NATO është e gatshme të ruajë paqen.

KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, përkatësisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë”, thuhet tutje.

Për këtë ka folur edhe politikani serb, Miko Bisevac, i cili thotë se ajo çka ndodhi në Banjskë nuk duhej lejuar.

Sipas tij, KFOR dhe faktorët ndërkombëtarë kanë dështuar.

“Edhe më herët si parti politike kemi përmendur se marrëdhëniet në veri janë absolutisht të acaruara për shkak të veprimeve të njëanshme të Policisë Speciale, shpronësimit të tokës dhe tentativës për vendosjen e një sistemi me tuba të gjatë. Të gjitha këto ia kemi përmendur KFOR-it dhe faktorëve të tjerë ndërkombëtarë dhe ata si faktor paqeje në Kosovë në një moment kanë dështuar. Ajo që ndodhi në Banjskë nuk duhej lejuar”, deklaron Bisevac për “Bota sot”.

Image

Miko Bisevac

Aksioni në Banjska ka thelluar konfliktin mes bashkësive etnike, thotë Bisevac, gjersa shton se nëse deklarimi i NATO-së është vonuar atëherë ka arsye të dyshohet.

“Aksioni në Banjska e thelloi konfliktin mes bashkësive etnike. Duke qenë se deklarimi është vonuar, na bën të dyshojmë se mund të ketë pasur disa gjëra që i janë fshehur publikut. Nga ana tjetër, organet kompetente hetimore nga Prishtina ende nuk kanë dalë me rezultatet e hetimit, gjë që na bën sërish të dyshojmë për përfshirje të shumë faktorëve të tjerë”, përfundon Bisevac.

Sulmi në Banjska ka ndodhur më 24 shtator, ku si pasojë ka vdekur një polic i Kosovës dhe disa janë lënduar. Hetimet për këtë agresion të Serbisë përveç institucioneve të vendit po i vazhdojnë edhe partnerët ndërkombëtarë.

Read Entire Article