“Çfarë garancish ka që vrasja e policit nuk do të përsëritet?” Rama: KFOR-i nuk është ushtri pushtuese në Kosovë

1 year ago 35
12:01 12/10/2023

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në parlament sqaroi edhe pse kërkon që në veri të Kosovës të marrë kontrollin KFOR-i. Kreu i qeverisë u shpreh se KFOR-i nuk është ushtri pushtuese, po njësi e çlirimtarëve ndërkombëtarë të Kosovës.

“Këtë herë iu shtuan edhe “piskamat” për sovranitetin e kërcënuar nga kërkesa ime e përsëritur për NATO-n që KFOR-i të marrë në kontroll veriun, ku kufiri me Serbinë është katandisur prej vitesh në një rrjetë të çarë ngado, ku hyjnë serbes armatime, kudo dreqi me të birin, ndërkohë që forcat ekzistuese të kontrollit të kufirit janë krejt të pamjaftueshme. E ngatërrojnë, siç e ngatërroi edhe parafolësi, me çka unë kam shprehur më parë. Nuk kemi ardhur dhe nuk duhet të mbërrijmë aty. Unë këtu flas për përgjegjësinë absolute që KFOR-i duhet të marrë për ta vënë nën kontroll veriun e Kosovës, gjë që forcat e Kosovës nuk e bëjnë dot objektivisht. Këtë të forcave të pamjaftueshme të KFOR-it e thonë së fundmi udhëheqësit e lartë të Kosovës. KFOR-i e ka shprehur sa herë ka kërcitje, pakënaqësinë për nivelin e bashkëpunimit me Kosovën sepse përtej arsyeve të tjera që mund të ketë, nuk ka forca të mjaftueshme për të kontrolluar situatën e rënduar dhe pastaj justifikohet, nuk kemi bashkëpunim si duhet.

Cili sovranitet i rrezikohet Kosovës nga shtimi i forcave të NATO-s në veri dhe si duhet kuptuar ky sovraniteti tjetër, aktuali, ku në atë zonë ndizet dhe shuhet konflikti sipas oreksit dhe axhendës së individëve dhe grupeve që janë jo vetëm një miks i politikës ultra-nacionaliste serbe me llumin e krimit të organizuar, por gëzojnë edhe mbështetjen e turmave të indoktrinuara atje dhe të varfëruara nga izolimi i banorëve të atjeshëm që ushqehen me lëmoshat e Beogradit dhe tutorët e krimit të organizuar. Kosovës nuk i njohin asnjë autoritet, nuk i paguajnë asnjë taksë, madje që nga viti 1999 nuk i paguajnë asnjë faturë dritash. Ndjesë, por mua kjo mënyrë e qasjes ndaj një problemi kaq serioz më duhet si alibi për ta mbajtur gjallë burimin e konfliktit jo si shqetësim logjik për sovranitetin e territorit të Republikës së Kosovës, garanti më i fortë dhe i padiskutueshëm i së cilit është prania e NATO-s. Jo turma e sherrxhinjve me profile publike dhe false që mësyjnë në rrugët e komunikimit në këto raste për të shkatërruar armikun njëherë e mirë. Ata nuk garantojnë asgjë. KFOR-i nuk është një ushtri pushtuese në Kosovë. KFOR-i është njësia e çlirimtarëve ndërkombëtarë të Kosovës. Apo nuk e mbajnë mend të gjithë këtë. Se helbete të kalon se pasi tjetri të ruan shpinë, pasi ta ka shpëtuar edhe kokën ekziston mundësia që fillon dhe të gënjen mendja që rreziku nuk ekziston më, madje sikur dhe kokën e ke shpëtuar pa ndihmën e askujt, madje të duket që ai që po të ruan po të spiunon dhe të saboton pas shpine, për llogari të atij që të shpëtoi kokën. Fakti i thjeshtë është që KFOR-i do të vazhdojë të rrijë në Kosovë deri kur dialogu për normalizimin me Serbinë të jetë kryer me sukses, të jetë garantuar paqja përfundimtare dhe Kosova të jetë njohur si shtet nga të gjithë. Kështu që kush e sheh sovranitetin e Kosovës të kërcënuar nga kërkesa ime për KFOR-in duhet t’u shpjegojë shqiptarëve pse rrjeta e kufirit në veri është çarë nga të katër anët? Çfarë garancish ka që vrasja e efektivit të policisë nuk do të përsëritet, largqoftë edhe më keq? Cila është rruga alternative e përparimit drejt qëllimit strategjik, drejt kryeqëllimit kombëtar të njohjes përfundimtare të shtetit të Kosovës, përmes dialogut të garantuar nga aleatët strategjikë i cili kërkon vetvetiu qetësi atje. Si mund të garantohet qetësia atje në mënyrë përfundimtare nëse në mënyrë përfundimtare nuk garantohet paqja zyrtare dhe paqja jo me mua po me Shqipërinë, paqja me Serbinë. Se paqja bëhet me armikun, nuk bëhet me vëllain”, u shpreh kryeministri Edi Rama.








Të ngjashme

Read Entire Article