“Ciaran” thellon bilancin e viktimave në Europë

10 months ago 60
Reklamë
10:08 03/11/2023

Dëmet janë të konsiderueshme ndërsa miliona kanë mbetur pa energji

Stuhia ‘Ciaran’ thellon bilancin e viktimave në Europën veriperëndimore. Të paktën shtatë njerëz u vranë dhe dhjetëra u plagosën pasi stuhia goditi Francën duke sjellë shira të rrëmbyeshëm dhe erëra deri në 200 km/h.

Shkollat, disa rrugë, linjat ajore dhe shërbimet e trenave janë mbyllur deri në përmirësimin e situatës. 16 të tjerë u lënduan në perëndim dhe veri të Francës, shtatë prej tyre punonjës të shërbimeve të emergjencës. Rreth 1.2 milionë shtëpi vijojnë të mbeten pa energji në Francë.

20,000 shtëpi dhe biznese janë pa energji elektrike edhe në Mbretërinë e Bashkuar, ku stuhia ‘Ciaran’ ka shkaktuar dëme të konsiderueshme kryesisht në Anglinë jugperëndimore. Për shkak të erërave të forta, disa ndërtesa u dëmtuan ndërsa pemët u rrëzuan duke dëmtuar makina dhe biznese. Disa njerëz u detyruan t’i lëshonin shtëpitë e tyre dhe të strehoheshin në hotele në jug të Anglisë. Porti i Doverit u mbyll për një kohë të shkurtër dhe tragetet përtej Kanalit të La Manshit pezulluan shërbimet për shkak të erës së fortë.

Një ngjarje kombëtare e çiklizmit në Holandë u anulua pasi stuhia ‘Ciaran’ goditi vendin. Mediat holandeze raportojnë për një të vdekur dhe disa të lënduar nga rrëzimi i pemëve. Stuhia e fuqishme ka goditur gjithashtu edhe disa rajone spanjolle që shkaktoi qindra incidente dhe vendosi të gjithë vendin në gatishmëri.

Stuhia goditi Spanjën veriperëndimore duke shkaktuar erëra deri në 119 km/h. Erërat e forta shkulën pemët nga toka, duke mbyllur disa autostrada dhe duke rrëzuar linjat e energjisë elektrike. Fluturimet u anuluan dhe linjat e trenave u mbyllën. Një grua vdiq pasi u godit nga një pemë, ndërsa tre persona të tjerë u lënduan. Alarmet e kuqe dhe portokalli do të mbeten për pjesën më të madhe të bregdetit verior të Spanjës gjatë gjithë fundjavës.

Dëme u shkaktuan edhe në Belgjikë ku dy turiste si dhe një fëmijë pesë vjeç humbën jetën për shkak të rënies së pemëve nga era e fortë. Ndërkaq stuhia ‘Ciaran’ ka mbërritur edhe në Itali duke shkaktuar përmbytje të mëdha në Toskanë.

Një 85-vjeçar është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij pranë Pratos, pasi shtëpia e tij u përmbyt. Viktima e dytë u gjet në Livorno, ndërsa viktima e tretë është një grua 84-vjeçare. Guvernatori i Toskanës shpalli gjendjen e jashtëzakonshme ndërsa Mbrotja Civile është vendosur në gatishmëri për të evakuuar njerëzit të cilët janë të bllokuar. Në Firence, lumi Bizenzio doli nga shtrati dhe autoritetet u kërkuan banorëve të zhvendoseshin. Ndërkaq autoritetet gjithashtu po monitorojnë edhe lumenjtë në disa rajone të tjera që janë në pikën kritike.

Moti i keq pritet të prekë gjithashtu edhe Greqinë perëndimore shoqëruar me erëra të forta dhe shira të rrëmbyeshëm përgjatë gjithë fundjavës.

Klan News








Të ngjashme

Read Entire Article