DASH jep shpresa për kapjen e Radoiҫiqit, veprimtari nga Amerika ka një kërkesë për SHBA-në

2 months ago 7
Reklamë

Në fund të muajit qershor, Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar Liritë Fetare në vende të ndryshme të botës, duke përfshirë edhe Kosovën.

Në këtë raport, për Kosovën ka përfshirë sulmin në Banjskë ndaj Policisë së Kosovës nga grupi i armatosur serb, organizimin e të cilit e kishte marrë përsipër më vonë politikani serb nga Kosova, Millan Radoiçiq, i cili nga institucionet e Kosovës më pas u deklarua terrorist.

DASh-i thotë se autoritetet në Serbi patën arrestuar Radoiçiqin më 3 tetor, ndërsa e patën liruar më 4 tetor, “në pritje të hetimeve”.

Ky raportim amerikan duket një shpresë drejtë kapjes dhe gjykimit të terroristit dhe kriminelit serb. Kapjen e tij e kishte kushtëzuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Bruksel, në mënyrë që të vazhdojë dialogun me Serbinë.

Megjithatë, ende nuk ka ndonjë zhvillim në këtë drejtim.

Prof.Dr. Ymeri: Departamenti i Shtetit, ashtu si edhe qeveria e Republikës së Dardanisë, duhej t'i kërkonte Beogradit dorëzimin e kriminelit Radoiçiç organeve të drejtësisë së Republikës së Dardanisë

Lidhur me këtë ҫështje, për ‘Bota sot’ ka folur profesori dhe veprimtari nga Amerika, Prof.Dr. Eshref Ymeri. Ai thotë se, nuk mjafton vetëm përmendja e hetimit nga DASH-i, por edhe dorëzimi i kryekriminelit serb.

Image

Prof.Dr. Eshref Ymeri

“Departamenti i Shtetit nuk duhej të mjaftohej vetëm me njoftimin se "Radoiçiqi u arrestua më 3 tetor dhe u lirua më 4 tetor në pritje të hetimeve". Për çfarë "hetimi" e paska fjalën Departamenti i Shtetit? Për ç'hetim" e paska fjalën DASH-i? Për hetim nga ana e organeve serbe? Kjo është qesharake ta mendosh. Departamenti i Shtetit, ashtu si edhe qeveria e Republikës së Dardanisë, duhej t'i kërkonte Beogradit dorëzimin e kriminelit Radoiçiq organeve të drejtësisë së Republikës së Dardanisë”, vlerëson ai.

Profesor Ymeri thekson se pa dorëzimin në Prishtinë të kriminelit Radoiçiq, nuk mund të ketë përshpejtim të epilogut të hetimeve.

“Prokuroria e Republikës së Dardanisë mund të ngrejë akuza sa të dojë për kriminelin Radoiçiq, por ato akuza nuk kanë asnjë vlerë konkrete, përderisa ai kriminel shëtit i lirë në Serbi, sepse organizatori i vërtetë i sulmit në Banjskë ka qenë kryekrimineli Vuçiq”, thekson ai.

Duhanaj: Identifikimi i rastit me individ, siç është Radoiçiq, e shkarkon Serbinë nga përgjegjësia

Image

Leon Duhanaj

Po ashtu, për këtë raportim të DASH-it, ka folur edhe njohësi i ҫështjeve politike, Leon Duhanaj. Ai vlerëson se, çështja e Banjskës, është cilësuar dhe trajtuar që nga fillimi keq.

Sipas tij, cilësimi si grup terrorist, i ka dhënë mundësi Serbisë që ta zhvendosë përgjegjësinë shtetërore tek një grup.

“Për mendimin tim, ky nuk ka qenë sulm nga një grup, por ka qenë agresion shtetëror i Serbisë ndaj shtetit të Kosovës. Nuk e di ide e kujt ishte, por identifikimi i rastit me individ, siç është Radoiçiq, e shkarkon Serbinë nga përgjegjësia dhe ky është vërtetë një dëm i madh, pasi që të gjithë e dimë se e gjithë ajo çfarë ndodhi, ka qenë organizim shtetëror i Serbisë”, thekson Duhanaj.

Ai thotë tutje se, tani, të fokusohet e gjithë lufta për ta akuzuar një njeri të vetëm, prapë është gabim.

“Jo pse Radoiçiq me shumë shokë nuk janë kriminelë dhe nuk e meritojnë burgun, por se nëse fokusin e zhvendosim tek ai, e shfajësojmë shtetin kriminal serb. Mos harroni se Serbia e ka ekstraduar edhe Millosheviqin, kur e ka vlerësuar se mund ta kapitalizoi për interesa shtetërore. Në ketë kontekst uroj që edhe ne shqiptarët, të rezonojmë pak me thellë në raporte e zhvillimet politike e diplomatike, e mos të gjëra dytësore”, thekson Duhanaj.

Read Entire Article